Kërko

Selia e Shenjtë mbron drejtësinë shoqërore në vendin e punës Selia e Shenjtë mbron drejtësinë shoqërore në vendin e punës   (AFP or licensors)

Selia e Shenjtë, e angazhuar për promovimin e drejtësisë shoqërore

Kardinali Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, lexoi mesazhin e Papës Françesku për pjesëmarrësit në Samitin e Botës së Punës 2023, mikpritur nga Organizata Ndërkombëtare e Punës e Kombeve të Bashkuara. Papa i inkurajon të gjithë të ecin në një rrugë të re, që mbështet parimet e "dinjitetit njerëzor, solidaritetit dhe të ndihmës" në botën e punës, duke zbatuar drejtësinë sociale në mbështetje të të përjashtuareve.

“Mos iu nënshtroni konceptimit kufizues të drejtësisë shoqërore, i cili përqendrohet vetëm në treguesit ekonomikë dhe socialë”, por ndërtoni mbi tri shtylla: “Dinjiteti njerëzor”, “solidariteti”, “ndihma”. Këtë thekson Papa Françesku në mesazhin drejtuar ILO, Samitit Botëror të Punës 2023, mirëpritur nga Organizata Ndërkombëtare e Punës e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, ku u mblodhën për dy ditë bisedimesh, 14 dhe 15 qershor, ekspertë nga e gjithë bota. Pjesëmarrësit reflektuan mbi "Social Just for All” (Drejtësi shoqërore për të gjithë). Mesazhin e Papës për samitin e lexoi kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, i cili - në emër të Atit të Shenjtë, vlerësoi "Koalicionin Global për Drejtësi Sociale", për të cilin u fol gjatë takimit, duke e cilësuar si "nismë të lavdërueshme”, në përkim me inkurajimin e Kishës Katolike për besimtarët, që të jenë gjithnjë qytetarë me përgjegjësi.

Mbrojtja e drejtësisë sociale

Në mesazhin e tij të lexuar nga kardinali, Papa thekson se “Selia e Shenjtë zotohet të mbështesë çdo përpjekje për promovimin e drejtësisë sociale, veçanërisht në vendin e punës, duke i vënë mjetet e saj në dispozicion të bashkësisë ndërkombëtare e, mbi të gjitha, doktrinën shoqërore të Kishës”. Duke kujtuar konfliktet e shumta dhe paqëndrueshmërinë e botës sonë, Françesku shpreh besimin se Koalicioni Global për Drejtësi Sociale mund të ndihmojë në mbrojtjen e "kauzës së paqes". Kisha Katolike, nga ana e saj, ripohon se "angazhimi për drejtësinë duhet të jetë i lidhur ngushtë me angazhimin për paqen në botën moderne".

Punë degraduese

Ky vizion i paqes, i mbështetur nga drejtësia sociale, ndoshta mund të duket "utopik" - kujton Papa - veçanërisht për miliona njerëz në botën tonë që "shpesh janë në mëshirë të interesave ekonomike ose të shfrytëzimit pa dallim", të papunë ose të punësuar, që mezi arrijnë të mbijetojnë. Ndërmjet tyre kujtojmë punëtorët e shumtë emigrantë dhe refugjatë, të cilët kryejnë punët e njohura si 3D: "Dangerous, dirty and degrading (të rrezikshme, të ndyra, degraduese). Është shembull, që tregon si shkelet dinjiteti i tyre njerëzor.

Në mesazhin e tij, Papa kujton se Kisha, ndonëse plotësisht e vetëdijshme se nuk mund të zgjidhet çdo problem, "vijon ta shpallë Ungjillin e paqes dhe të bashkëpunojë me të gjitha autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare për ta mbrojtur këtë pasuri universale, dhuratën e paqes, të ushqyer nga drejtësia e vërtetë shoqërore”.

Të hartohet një rrugë të re

Mendja të shkon edhe tek sfidat që u duken gjatë pandemisë: këto - shkruan Françesku - tregojnë sesa e rëndësishme është të nisesh në një rrugë të re solidariteti. Për këtë arsye, është themelore t'i kemi "para së gjithash në zemrat dhe mendjet tona" ata që jetojnë në skutat e tregut të punës, sa herë që marrim pjesë "në diskutime politike mbi drejtësinë shoqërore".

Të përfshihen të përjashtuarit

Është shumë e rëndësishme të përfshihen të përjashtuarit "si pjesëmarrës të plotë dhe aktivë në vendimet që marrim për të arritur një paqe më të sigurt në shoqëritë tona, duke gjetur mënyrën që drejtësia shoqërore të ndihmojë për të përballuar shkaqet e varfërisë, si pabarazia, mungesa e punës, mungesa e strehimit apo mohimi i të drejtave sociale dhe të punës. E kjo do të thotë të shikosh përtej treguesve ekonomikë dhe socialë”- pohon Papa.

Tre gurët e themelit për zbatimin e drejtësisë sociale

Pra, janë tre gurë themeli, mbi të cilët duhet të mbështeten përpjekjet për ta dalluar dhe për ta zbatuar drejtësinë sociale: "Dinjiteti njerëzor, solidariteti dhe ndihma". Respekti për dinjitetin njerëzor, dhuratë e Zotit - nënvizon Papa - kërkon “mbrojtjen e të drejtave themelore dhe të mirëqenies së të gjithë individëve, duke përfshirë nevojat e tyre fizike, emocionale dhe shpirtërore “nga zënia, deri në vdekjen natyrore”. Solidariteti dëshmon ndërlidhjen dhe ndërvarësinë e të gjithëve - thekson Françesku; është  thirrje për përgjegjësi, "që të kujdesemi për njëri-tjetrin, veçanërisht për të pambrojturit, a që pësojnë padrejtësi. Duhet t’i shoqërojmë dhe t’i mbrojmë "ata që provojnë diskriminim, varfërinë, dhunën, padrejtësinë" - pohon Jorge Mario Bergoglio. Së fundi, tërheq vëmendjen për ndihmën në sigurimin e drejtimit të duhur të pushtetit dhe të vendimmarrjes. "Institucionet ose autoritetet më të mëdha mund të ofrojnë mbështetje të përgjithshme kur është e nevojshme, ndërsa në nivel lokal individët dhe bashkësitë kanë lirinë të marrin vendime që ndikojnë në jetën e tyre”- shkruhet në mesazh. Ky drejtpeshim mund të shmangë përqendrimin e tepruar të pushtetit në pak duar dhe të mbështesë fuqizimin dhe pjesëmarrjen e individëve dhe të bashkësive, në përpjekjen për të vendosur vetë mbi  fatin e tyre.

16 qershor 2023, 15:49