Kërko

Papa Francesco Angelus Papa Francesco Angelus

Françesku: këto ditë pata shumë afërsi, faleminderit nga zemra!

Para se të kremtonte lutjen e Engjëllit të Tënzot këtë të dielë, e 11-ta e Kohës e zakonshme, Papa falënderoi për lutjet dhe shprehjet e dashurisë gjatë shtrimit të tij në Gemelli. Duke komentuar Ungjillin e së Dielës, nënvizoi se zemra e shpalljes është "dëshmia, shërbimi falas" dhe se duke qenë pranë Zotit "ne mposhtim frikën dhe ndjejmë nevojën për ta përhapur" dashurinë e tij. .

R.SH. / Vatikan

“Faleminderit të gjithëve për afërsinë tuaj gjatë këtyre ditëve të shtrimit në spital pas operacionit”. Kështu e nisi Papa Françesku Engjëllin e parë pas daljes nga spitali, duke kujtuar ditët në Poliklinikën Gemelli, për të cilat nënvizoi:

“Pata kaq shumë afërsi: e bekoj Zotin për këtë dhe ju jam mirënjohës të gjithëve: faleminderit nga zemra!

Ishte një takim i jashtëzakonshëm, ky i sotmi. Papa i sapodalë nga spitali u duk përsëri në Dritaren e Engjëllit, mbas një mungese të shkurtër, i duartrokitur stuhishëm nga turma. E nisi katekizmin, shkëputur nga Ungjilli i sotëm i Shën Mateut (Mt 10,7)  kushtuar të Dymbëdhjetë apostujve dhe këshillave për misionin e tyre.

Zoti është pranë nesh, ai është Ati, ne nuk jemi vetëm

Sot, në Ungjill, Jezusi i thërret me emër dhe i nis dymbëdhjetë Apostujt. Duke i nisur, u kërkon të shpallin vetëm një gjë: “Predikoni, ndërsa shkoni, duke thënë: ‘Mbretëria e qiejve është afër” (Mt 10,7). Është e njëjta shpallje me të cilën Jezusi nisi predikimin: mbretëria e Hyjit, domethënë mbretëria e tij e dashurisë, është pranë, po vjen në mesin tonë. E ky nuk është lajm ndërmjet të tjerësh, është realiteti themelor i jetës.

Nëse Zoti i qiellit është pranë, ne nuk jemi vetëm në tokë, e edhe në vështirësi nuk e humbasim besimin. Gjëja e parë që duhet të dijë njeriu është…:

“Zoti është Atë, ai të njeh dhe të do; dëshiron të të marrë për dore, edhe kur udhëton në shtigje të rrëpirta e të thepisura, edhe kur rrëzohesh e përpiqesh të ngrihesh përsëri e të kthehesh në rrugën e duhur. Shpesh në çastet kur jeni më të ligështuar se kurrë, mund ta ndjeni edhe më fort praninë e Tij. Ai e di rrugën, ai është me ju, ai është Ati juaj!”

Le të mbetemi me këtë shëmbëlltyrë, sepse shpallja e Zotit afër nesh të fton të mendosh si fëmijë, që ecën i mbajtur nga dora e të atit: gjithçka duket ndryshe. Bota, e madhe dhe misterioze bëhet e njohur dhe e sigurt, mbasi fëmija e di se është i mbrojtur. Ai nuk ka frikë dhe mëson si të ecë: takon njerëz të tjerë, gjen miq të rinj, mëson me gëzim gjëra, që nuk i dinte dhe pastaj kthehet në shtëpi dhe u tregon të gjithëve atë që ka parë, ndërsa brenda tij zjen dëshira të rritet sa më parë dhe të bëjë gjërat që shikon se i bën i ati:

“Kjo është arsyeja pse Jezusi niset që këtu, arsyeja pse afërsia e Zotit është shpallja e parë: duke qëndruar pranë Zotit, ne mposhtim frikën, ia hapim zemrën dashurisë, rritemi në mirësi dhe ndjejmë nevojën e gëzimin për ta shpallur”.

Nëse duam të jemi apostuj të mirë, duhet të jemi si fëmijë: duhet të ulemi “në prehrin e Zotit” dhe, që andej, ta shikojmë botën me besim dhe dashuri, në mënyrë që të dëshmojmë se Zoti është Ati, se vetëm ai na i shndërron zemrat tona dhe na jep atë gëzim dhe atë paqe, që ne vetë nuk mund ta kemi kurrë”.

Si mund ta shpallim Zotin?

Duhet të shpallim se Zoti është afër - por si mund ta bëjmë këtë? – pyeti Papa:

“Në Ungjill, Jezusi na këshillon të mos themi shumë fjalë, por të bëjmë shumë vepra dashurie dhe shprese në emër të Zotit: ‘Shëroni të sëmurët, ngjallni të vdekurit, pastroni lebrozët, dëboni demonët. Morët pa pagesë, pa pagesë jepni” (Mt 10,8). Kjo është zemra e shpalljes: dëshmia e dhënë falas, shërbimi”.

Pyetje, që presin përgjigje

Në përfundim, si zakonisht, Papa u drejtoi besimtarëve disa pyetje: ne, që mendojmë se Zoti është afër, a i besojmë Atij? A shikojmë përpara me besim, si fëmijë që e di se mbahet në krahët e babait? A dimë të ulemi në prehrin e Atit me lutje, duke dëgjuar Fjalën e tij e duke marrë Sakramentet? Dhe së fundi, pranë tij, a dimë t'u ngjallim të tjerëve guxim, të afrohemi me ata që vuajnë dhe janë të vetmuar, me ata që janë të largët, madje edhe me ata që janë armiqësorë?

Një enumeracion i zakonshëm pytjesh, pasuar nga  pohimi prekës, që na kujton se Papa sapo ka dalë nga spitali, ku u operua:

“Ditët e fundit pata shumë afërsi dhe për këtë bekoj Zotin dhe ju jam mirënjohës të gjithëve: falenderimet e mia të përzemërta!”.

Pas këtij falënderimi, lutja përfundimtare e zakonshme, drejtuar Marisë:

“E tani t'i lutemi Marisë; na ndihmoftë ajo të jemi të dashur dhe të transmetojmë besim e afërsi me njëri-tjetrin”.

18 qershor 2023, 12:35

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >