Kërko

l Papa saluta una donna anziana al Gemelli durante il suo ricovero dopo l'operazione del 2021 l Papa saluta una donna anziana al Gemelli durante il suo ricovero dopo l'operazione del 2021

Papa të rinjve: vizitoni një të moshuar përpara se të niseni për Ditën Botërore të Rinisë

Mesazhi i Françeskut për Ditën e Tretë Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, e cila do të kremtohet më 23 korrik: "Të mos e privojmë veten nga shoqëria e tyre dhe të mos i privojmë ata nga prania jonë, të mos i bëjmë të moshuarit të ndihen të refuzuar"

R.SH.– Vatikan

Një aleancë ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve, si ajo e vulosur nga takimi ungjillor i Marisë Virgjër me kushërirën e saj Elizabetën, tashmë të shtyrë në moshë. Është horizonti, që tregon Papa Françesku në mesazhin për Ditën e tretë Botërore të Gjyshërve, titulluar "Mëshira e tij kalon brezni më brezni" (Lk 1,50), publikuar sot nga Salla e Shtypit e Vatikanit për takimin, të cilin sivjet Kisha do të kremtojë të dielën, më 23 korrik.

Pak ditë pas Ditës së tretë Botërore të Gjyshërve e të Moshuarve, Papa Françesku do të jetë në Lisbonë për Takimin botëror me të rinjtë, në program nga data 1 deri më 6 gusht. Pikërisht afërsia mes këtyre datave i jep Papës mundësinë të reflektojë në mesazh mbi një temë të dashur për të siç është aleanca ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve. Jo vetëm në nivelin teorik, por duke u sugjeruar të dyja palëve gjeste konkrete afërsie.

“Ju të rinjve, që po përgatiteni të niseni për në Lisbonë, ose që do ta përjetoni Ditën Botërore të Rinisë në vendet tuaja – shkruan Papa Françesku – dua t’ju ​​them: përpara se të niseni në udhëtim, shkoni dhe vizitojini gjyshërit, bëjini një vizitë një të moshuari. Lutja e tij do t'ju mbrojë dhe ju do ta mbani bekimin e atij takimi në zemër. Ju të moshuarve ju kërkoj t’i shoqëroni me lutje të rinjtë, që do të kremtojnë DBR-në. Ata djem e vajza janë përgjigjja e Zotit për kërkesat tuaja, të rinjtë janë fryti i asaj që keni mbjellë, shenjë se Zoti nuk e braktis popullin e vet, por gjithmonë e ripërtërin me imagjinatën e Shpirtit Shenjt”.

"Ata që përqendrohen vetëm në të menjëhershmen, në avantazhet e tyre personale për t'u arritur shpejt dhe me lakmi, ata që synojnë "gjithçka dhe menjëherë", nuk e shohin veprimin e Zotit - shpjegon Papa. - Plani i dashurisë së tij përshkon të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, përqafon e lidh breznitë. Është projekt që shkon përtej vetvetes, por në të, secili prej nesh është i rëndësishëm, i thirrur të shkojë më larg, në det të hapur.

Për më të rinjtë, është fjala për të shkuar përtej kufijve të së menjëhershmes së realitetit virtual, i cili shpesh i largon nga veprimet konkrete; për më të moshuarit është fjala për të mos u ndalur tek forcat, që pakësohen dhe tek keqardhja për rastet e mundësitë e humbura. Të shohim përpara - këshillon Papa. - Të plazmohemi nga hiri i Zotit, i cili, brez pas brezi, na çliron nga amullia në veprime dhe nga keqardhja për të shkuarën”.

Qoftë një përqafim, qoftë një bisedë së bashku, qoftë një vizitë e thjeshtë, ka rëndësi të "bëni diçka" për t’i "nderuar" gjyshërit dhe të moshuarit, duke mos i lënë të ndihen të vetmuar, të braktisur, pra, "të mënjanuar". Edhe një herë, në Mesazhin e tij për Ditën e tretë Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve 2023, të cilën e themeloi vetë në vitin 2021 dhe që sivjet do të kremtohet më 23 korrik, Papa Françesku ripohon rëndësinë e lidhjeve me ata, që janë kujtesa dhe rrënjët e shoqërisë dhe të jetës personale të gjithsecilit: "të moshuarit", të cilët jemi të ftuar t'i shikojmë dhe t'i respektojmë si pasuri e vyeshme, si thesar.

15 qershor 2023, 15:28