Kërko

Mons Paul Gallagher Mons Paul Gallagher

Papa: sot ka një “mungesë të vëllazërisë”, t’i themi seriozisht “jo” luftës

“Në botën e sotme të globalizuar jemi të gjithë më afër, por jo për këtë arsye më shumë vëllezër. Përkundrazi, ne vuajmë nga mungesa e vëllazërisë, e cila lind nga kaq shumë situata padrejtësie, varfërie dhe pabarazie, nga mungesa e një kulture solidariteti”. Pohon akoma Papa Françesku në mesazhin drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork. "Paqja është e mundur nëse dëshirohet. Është ëndrra e Zotit për njerëzimin, por me luftën po kthehet në një makth”

R.SH - Vatikan

"Ka ardhur koha për t'i thënë seriozisht 'jo' luftës, për të pohuar se luftërat nuk janë të drejta, por se vetëm paqja është e drejtë". Dhe paqja është "e mundur, nëse dëshirohet me të vërtet". Këto janë fjalët që Papa Françesku i drejton asamblesë së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, duke bërë edhe një herë thirrje për t'i dhënë fund dhunës, konflikteve dhe armatimeve, që kanë si rezultat një "mangësi të vëllazërisë" që karakterizon botën e sotme.

Mesazhi i Françeskut - siç dihet, i shtruar në Poliklinikën Gemelli, në Romë, pas një operacioni që pati më 7 qershor - u lexua, në Nju Jork gjatë asamblesë së Këshillit të Kombeve të Bashkuara, nga kryeipeshkvi imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat ndërkombëtare. Të pranishëm në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që ka si temë "Vlerat e vëllazërisë njerëzore në promovimin dhe ruajtjen e paqes", sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres dhe imami i madh i al-Azharit, Muhammad Ahmad al-Tayyib.

Lufta e Tretë Botërore “vende-vende, copa-copa”

Fjalimi i Papës u hap me një analizë të "momentit vendimtar" që po kalon njerëzimi, "në të cilin paqja duket se i nënshtrohet luftës" dhe duket se "ne po kthehemi përsëri mbrapa në histori, me shfaqjen e nacionalizmave të acaruar, të inatosur dhe agresivë, të cilët kanë ndezur konflikte jo vetëm anakronike dhe të vjetruara, por edhe më të dhunshme”.

Konfliktet po rriten dhe stabiliteti është gjithnjë e më i rrezikuar. Ne po përjetojmë një luftë të tretë botërore pjesë-pjesë, e cila sa më shumë kalon koha, aq më shumë duket se zgjerohet.

Jo ideologjive dhe interesave partiake

Vetë Këshilli i Sigurimit i OKB-së, mandati i të cilit është të mbikëqyrë sigurinë dhe paqen në botë, "nganjëherë duket i pafuqishëm dhe i paralizuar në sytë e popujve", pranon Papa. "Por puna juaj, e vlerësuar nga Selia e Shenjtë, është thelbësore për të promovuar paqen dhe pikërisht për këtë dua t'ju ftoj, në mënyrë të përzemërt, të përballeni me problemet e përbashkëta duke u distancuar nga ideologjitë dhe partikularizmat, nga vizionet dhe interesat partiake”.

Zbatimi i Kartës së Kombeve të Bashkuara me transparencë

Një synim i vetëm duhet të mbështesë gjithë këtë punë: “Të punohet për të mirën e mbarë njerëzimit”. Në fakt, shkruan Papa Françesku, "Nga Këshilli pritet të respektojë dhe zbatojë Kartën e Kombeve të Bashkuara me transparencë dhe sinqeritet, pa qëllime të fshehta, si një pikë referimi të detyrueshme për drejtësinë dhe jo si një mjet për të maskuar qëllimet e paqarta".

Në botën e sotme të globalizuar ne jemi të gjithë më afër, por jo më shumë vëllezër për këtë. Në të vërtetë, ne vuajmë nga mungesa e vëllazërisë, e cila lind nga kaq shumë situata padrejtësie, varfërie dhe pabarazie, nga mungesa e një kulture solidariteti.

Hapa pas njerëzimit

Papa Françesku citon Mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes 2023: "Ideologjitë e reja, të karakterizuara nga individualizmi i përhapur, egocentrizmi dhe konsumizmi materialist, i dobësojnë lidhjet shoqërore, duke ushqyer mentalitetin e “përjashtimit” e të “mënjanimit”, që çon në përçmim dhe braktisje të më të dobëtëve, të atyre që konsiderohen 'të padobishëm'. Kështu, bashkëjetesa njerëzore bëhet gjithnjë e më shumë si një do ut des pragmatike dhe egoiste”.

Efekti më i keq i kësaj mungese vëllazërimi janë "konfliktet e armatosura" dhe "luftërat", të cilat "ngatërrojnë e armiqësojnë jo vetëm individë, por popuj të tërë, rezultatet negative të të cilave kanë pasoja për breza të tërë". Njerëzimi ka bërë një hap mbrapa, – vëren Papa – në krahasim me epokën pas dy luftërave botërore “të tmerrshme”, kur me lindjen e Kombeve të Bashkuara dukej se mësimi ishte nxjerrë. Kështu sot duhet të dimë sa i rëndësishëm është "orientimi dhe ecja drejt një paqeje më të qëndrueshme, për t'u bërë më në fund një familje kombesh".

Jemi të gjithë më afër, por jo më shumë vëllezër

“Në botën e sotme të globalizuar jemi të gjithë më afër, por jo për këtë arsye më shumë vëllezër. Përkundrazi, ne vuajmë nga mungesa e vëllazërisë, e cila lind nga kaq shumë situata padrejtësie, varfërie dhe pabarazie, nga mungesa e një kulture solidariteti”. Pohon akoma Papa Françesku në mesazhin drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, të cilin e lexoi kryeipeshkvi imzot Paul Gallagher, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet e Organizatat Ndërkombëtare.

Edhe një herë Papa denoncon trafikun e armëve dhe thotë: "Duhet më shumë guxim për të hequr dorë nga fitimet e lehta për të ruajtur paqen sesa për të shitur armë gjithnjë e më të sofistikuara dhe më të fuqishme. Duhet më shumë guxim për të kërkuar paqen sesa për të bërë luftë. Duhet më shumë guxim për të favorizuar më shumë takimet se sa ndeshjet, për t'u ulur në tavolinat e bisedimeve sesa për të vazhduar armiqësitë".

Dhe shton: "Si besimtar, besoj se paqja është ëndrra e Zotit për njerëzimin. Por, për fat të keq, vërej se për shkak të luftës, kjo ëndërr e mrekullueshme po kthehet në një makth". Është e nevojshme, prandaj, të dalim nga logjika e legjitimitetit të luftës  shkruan Papa Françesku e shton: "Ne jemi ende në kohë për të shkruar një kapitull të ri të paqes në histori: mund të bëjmë në mënyrë që lufta t’i përket të shkuarës dhe jo të ardhmes".

15 qershor 2023, 11:09