Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot: të humbasësh jetën, e vetmja gjë që duhet të na trembë!

Gjatë lutjes së sotme mariane të Engjëllit Tënzot, Papa Françesku ripohoi rëndësinë e besnikërisë ndaj Ungjillit, që edhe sot pëson dhunë e persekutime! Kujtoi edhe se shpesh vlerësohen gjërat e dorës së dytë, ndërsa duhet të heqësh dorë nga idhujt e fitimit e të konsumizmit e të mos e humbasësh çka vlen me të vërtetë.

R.SH. - Vatikan

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëmëngjes! Jehoi përsëri nga dritarja e Engjëllit zëri i Papës, që e nisi lutjen e së Dielës me thirrjen e Jezusit: "Mos kini frikë" (Mt 10:26.28.31) - drejtuar turmës që mblidhet çdo të diel në Sheshin e Shën Pjetrit për të dëgjuar të renë e Ungjillit, kësaj radhe të pjesës së Ungjillit të Dielës së 12-të gjatë vitit kishtar. Me vetëdijen se Ungjilli mbetet gjithnjë i ri e u flet gjithnjë një fjalë të re shpirtrave njerëzor, në përkim me situatën në të cilën jetojnë. E situata, për të krishterin e vërtetë, mbetet gjithnjë e ngarkuar me persekutime të të gjitha llojeve, edhe aty ku më pak priten!

Persekutime për Ungjillin

Që nga origjina e saj - vijoi Ati i Shenjtë - Kisha, së bashku me gëzimet, njohu edhe shumë persekutime:

“Duket paradoksale: shpallja e Mbretërisë së Zotit është mesazh paqeje dhe drejtësie, i bazuar në dashurinë dhe faljen vëllazërore, ndërsa ndeshet me kundërshtime, me dhunë, me persekutim”.

E megjithatë - vijoi - Jezusi na thotë të mos kemi frikë: jo sepse gjithçka do të jetë mirë në botë, por sepse për Atin ne jemi të çmuar, ndaj asgjë e mirë nuk do të na humbasë. Prandaj ai na thotë të mos tmerrohemi nga frika, por  të trembemi nga diçka tjetër, nga një gjë e vetme.  

Gehena, a skëterra!

Cila është, pra? E zbulojmë nëpërmjet një figure që përdor Jezusi sot: figurës së "Gjehenës" (krh. v. 28), domethënë të skëterrës, të fundit të ferrit!  E që, në vijim, Papa na e përshkruan si vend vaji e ndëshkimi të përjetshëm:

Lugina e "Gjehenës" ishte një vend që banorët e Jeruzalemit e njihnin mirë: vend ku shkarkoheshin mbeturinat e qytetit. Jezusi flet për të, për të na kujtuar se frika e vërtetë që duhet të kemi është ta flakim jetën tutje. Në plehra!

E kjo tingëllon kështu:

“Nuk duhet të trembemi aq nga keqkuptimet dhe kritikat, nga humbja e prestigjit dhe e leverdisë ekonomike, për t'i qëndruar besnikë Ungjillit, por nga shpërdorimi i jetës sonë në ndjekje të gjërave të pavlera, që nuk na e mbushin jetën me kuptim”.

Kjo është e rëndësishme për të gjithë ata që besojnë në Krishtin:

“Edhe sot mund të na tallin a të na marrin nëpër këmbë nëse nuk ndjekim disa modele, të cilat  shpesh vënë në qendër të vëmendjes  gjërat e dorës së dytë: punët, më shumë se njerëzit;  fitimin, më shumë sesa marrëdhëniet”.

Shembuj nga jeta njerëzore

Në vijim Papa solli disa shembuj. Ia nisi me një mendim kushtuar prindërve, që duhet të punojnë për të mbajtur familjet e tyre, por nuk mund të jetojnë vetëm për punën: kanë nevojë edhe për kohën e nevojshme që të mund të rrinë me fëmijët e tyre. Kujtoi priftin a murgeshën: edhe ata duhet t'i kushtohen shërbimit të tyre, por pa harruar t'i kushtojnë vëmendjen kryesore kohës kur rrinë me Jezusin, përndryshe merren me punë boshe dhe harrojnë se kush janë. E përsëri, kujtoi një të ri apo një të re që kanë një mijë angazhime dhe pasione: shkollë, sport, interesa të ndryshme, celularë dhe rrjete sociale, por ata kanë nevojë edhe të takojnë njerëz e të ëndërrojnë ëndrra të mëdha, pa humbur kohë për gjëra që kalojnë pa lënë shenjë as dukë:

“E gjithë kjo kërkon të heqësh dorë nga idhujt e fitimit e të konsumizmit e të mos e humbasësh kohën me gjëra, të cilat më pas flaken tutje, siç bëhej atëherë në Gjehenë”.

Gjehena vijon të jetë, aty ku ishte!

E në Gjehenë – vijoi të kujtojë Papa në lutjen e Engjëllit -  njerëzit vijojnë të flaken edhe sot e kësaj dite. Të mendojmë për të fundmit, që shpesh trajtohen si mbeturina a sende që nuk i duhen askujt! Të jesh besnik i gjërave që vlejnë, kushton shtrenjt; kushton shtrenjtë edhe të shkosh kundër rrymës, të çlirohesh nga detyrimi i të menduarit të rëndomtë, të lihesh mënjanë nga ata që “ndjekin valën”, domethënë, modën e ditës:

 “Por nuk ka pikën e rëndësisë – na thotë  Jezusi : ajo që ka rëndësi është të mos flakësh tutje të mirën më të madhe: jetën. Vetëm kjo duhet të na trembë!”.

Ta pyesim veten: pse kemi frikë nga jeta?

Në përfundim të lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot Papa i ftoi besimtarët ta pyesin gjithnjë veten për gjithçka ka të bëjë me jetën: atë këtu poshtë, e atë që na kujton se atdheu ynë i përjetshëm është në qiell. Të pyesim pra:

“…nga çka kam frikë? Nga që nuk e kam atë, që më pëlqen? Nga që nuk mund t’i arrijë qëllimet, që  kërkon shoqëria? Nga gjykimi i të tjerëve? Apo ngaqë nuk e kënaq Zotin dhe nuk e vë në krye të vendit Ungjillin e tij?”.

Pyetje të reja, këto, që na bën Papa - e që i shtohen një mori pyetjesh të tjera, të cilat i marrim me vete si pasuri të çmuar, kur rikthemi nga lutja e Engjëllit në shtëpitë a punët tona, duke menduar në çfarë rruge duhet të ecim.  E ndjejmë nevojën për ndihmë, për të përsëritur gjatë gjithë javës, lutjen që Papa ia drejtoi sot, si zakonisht, në përfundim, Marisë:

“Mari, Virgjër e Urtë, ndihmona të jemi të mençur dhe të guximshëm në zgjedhjet që bëjmë!”

25 qershor 2023, 12:27

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >