Kërko

Papa me pjesëmarrësit e festivalit Green and Blue Papa me pjesëmarrësit e festivalit Green and Blue

Papa për klimën: vendimet e kësaj dekade do të kenë ndikim për mijëra vite

Me rastin e Ditës Botërore të Ambientit, Françesku priti promotorët e Festivalit “Green and Blue”: ndryshimi klimatik na vë përpara përgjegjësive, pasi prek sidomos më të varfrit. Para se të mendojmë për solidaritet, kjo është çështje drejtësie

R.SH. – Vatikan

Sfidë e madhe dhe impenjative, “sepse kërkon kthesë, ndryshime vendimtare në modelin aktual të konsumit dhe të prodhimit”, që tepër shpesh, promovon indiferencën dhe shpërdorimin e ambientit e të njerëzve. Por edhe sfidë e bukur, “stimuluese dhe e realizueshme”, sepse na jep mundësinë të kalojmë nga kjo gjendje në një mënyrë jetese, bazuar në respektin dhe në kujdesin për krijimin e për të afërmin. Pikërisht këtë sfidë u paraqiti sot Papa Françesku promovuesve të festivalit “Green and Blue” (E gjelbër dhe e kaltër), organizuar sot në Romë dhe, nga 6 deri më 8 qershor, në Milano, nga grupi italian Gedi, kushtuar qëndrueshmërisë dhe ambientit.

Përgjegjësi para Zotit

Pikërisht sot, në gjithë planetin, kremtohet Dita Botërore e Ambientit, në përkujtim të 5 qershorit 1972, data e Konferencës së parë të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, në Stokholm. Në këto 50 vite, vuri në dukje Françesku, njerëzit janë ndërgjegjësuar më shumë dhe "njohuritë rreth ndikimit të veprimeve tona mbi shtëpinë tonë të përbashkët dhe mbi ata që banojnë në të” janë shtuar. Ati i Shenjtë nënvizoi se Zoti ua ka besuar njerëzve kujdesin për gjithësinë, prandaj ata duhet të mendojnë për të afërmit dhe për brezat e ardhshëm. Në veçanti, Françesku kujtoi se deshi ta botonte enciklikën “Laudato si’” para Takimit Cop 25 në Paris mbi klimën, duke shprehur keqardhjen që ajo ngjarje shumë pozitive nuk u pasua nga të tjera.

Bashkëpunim i të gjithëve për t’u bërë ballë ndryshimeve klimatike

Papa theksoi me forcë se, sipas raportit IPCC për klimën, "vendimet dhe veprimet e kësaj dekade do të ndikojnë edhe për mijëra vjet" më pas në përballimin e ndryshimeve klimatike.

“Fenomeni i ndryshimit të klimës – vërejti Ati i Shenjtë - na kujton me këmbëngulje përgjegjësitë tona: ai prek veçanërisht më të varfërit dhe më të brishtët, ata që kanë kontribuar më pak në evolucionin e tij. Së pari, është çështje drejtësie e pastaj, solidariteti”.

Siç dëshmoi pandemia e Covid-19, vazhdoi Papa, “bota tani është shumë e ndërvarur dhe nuk mund të ndahet në blloqe vendesh, që promovojnë interesat e tyre në mënyrë të izoluar, ose të paqëndrueshme”.

Mos u vidhni të ardhmen brezave të rinj

Papa Françesku kujtoi takimin e tij me peshkatarët e San Benedetto del Tronto, të cilët kthehen në breg me tonelata sendesh plastike, në vend të peshkut, vërtet, duke humbur të ardhurat nga peshkimi, por duke kontribuar në përmirësimin e ambientit. Ndryshimi, theksoi sërish Ati i Shenjtë, është urgjent dhe nuk mund të shtyhet. Vetë Vatikani e ka reduktuar përdorimin e plastikës më 93%. “Të mos u vjedhim brezave të rinj shpresën për një të ardhme më të mirë”, theksoi së fundi Papa.

05 qershor 2023, 16:09