Kërko

Papa Piu XII Papa Piu XII  Editorial

Papa Pacelli për nënat dhe baballarët e familjeve

Tetëdhjetë vjet më parë, më 29 qershor 1943, Piu XII botonte enciklikën Mystici Corporis

Andrea Tornielli

Ekziston një fragment i enciklikës të Piut XII Mystici Corporis (Korpi Mistik), posaçërisht i përshtatshëm në një kohë kur transmetimi i fesë në familje është në krizë dhe Kisha është gati të jetojë fazën e parë të Sinodit mbi sinodalitetin, duke vënë qendër të vëmendjes, misionin e saj. Është ai, që Papa Pacelli ia kushton përshkrimit të Kishës si Korp i Krishtit "organikisht dhe hierarkikisht". Papa fton të mos besohet se struktura organike e Kishës "përbëhet vetëm nga shkallët e hierarkisë dhe kufizohet në to, ose, sipas një mendimi të kundërt, përbëhet vetëm nga njerëz karizmatikë (ndonëse të krishterët e pajisur me dhurata të mrekullueshme nuk do t’i mungojnë kurrë Kishës)". E jo vetëm ipeshkvijtë dhe klerikët nga njëra anë - e njerëzit me karizma të veçanta nga ana tjetër. Papa shton: “Në të vërtetë, veçanërisht në kushtet aktuale, etërit dhe nënat e familjeve, kumbarët dhe nunat e pagëzimit, e, në veçanti, ata laikë që bashkëpunojnë me hierarkinë kishtare për të zgjeruar mbretërinë e Shëlbuesit hyjnor, në shoqërinë e krishterë kanë vende nderi, ndonëse shpesh të fshehur, e edhe ata, të frymëzuar dhe të ndihmuar nga Zoti, mund të ngjiten në majat më të larta të shenjtërisë e cila, sipas premtimeve të Jezu Krishtit, nuk do t’i mungojë kurrë në Kishë". 

“Në kushtet e sotme”, domethënë në vitin 1943, të pushtuar nga tmerri katastrofik i Luftës II Botërore, Pasardhësi i Shën Pjetrit flet për “vendin e nderit” që zënë (ose duhet ta zënë) etërit dhe nënat e familjeve, domethënë Populli i Zotit, që punon dhe jeton sipas dokeve të jetës së krishterë dhe sakramenteve të saj. Papa Pacelli jo vetëm kujton rrugën e shenjtërisë për ta, por nënvizon edhe kontributin themelor që japin për zgjerimin e Mbretërisë, pra, për misionin.

Edhe sot, si tetëdhjetë vjet më parë, madje ndoshta më shumë sot se tetëdhjetë vjet më parë, pikërisht dëshmisë së përditshme dhe të fshehtë të baballarëve dhe nënave të familjeve i është besuar misioni i dëshmimit të fesë. 

Duke riskicuar strukturën e Sinodit dhe duke e hapur atë për kontributin konkret të laikëve, krahas atij të ipeshkvijve, Papa Françesku vazhdon dhe thellon një ndërgjegjësim që vjen nga larg dhe që kishte si gur kilometrik, Koncilin II Ekumenik të Vatikanit.

28 qershor 2023, 16:40