Kërko

Papa Françesku  në  TV RAI Papa Françesku në TV RAI   (ANSA)

Papa: "Me paqe fiton gjithmonë, me luftë humbet gjithçka"

Françesku protagonist i programit Rai "A Sua Immagine", regjistruar më 27 maj. Ndërmjet dëshmive në studio, klipeve të historive dhe lidhjeve video, Papa reflekton mbi problemet e botës e të jetës personale të secilit. "Ka kënaqësi edhe të torturosh" - kujton, duke menduar për filmimet e luftës apo episodet e bullizmit. Për dukjet mariane, vëren: "Nuk janë gjithnjë të vërteta". Mesazh prindërve: “Edukoni fëmijët dorëdhënë, por gjithmonë me kufi”

R. SH. - Vatikan

“Është histori e vjetër, sa njerëzimi: me paqen fiton gjithmonë, ndoshta pak, por fiton, me luftën humb gjithçka. Të gjitha! Dhe të ashtuquajturat fitime janë humbje”. Në studiot Rai të Saxa Rubra-s, i ftuar i programit të së dielës "A Sua Immagine" (Sipas shëmbëllimit të Tij), Françesku i bën jehonë thirrjes së Piut XII në mesazhin radiofonik drejtuar sundimtarëve të vitit 1939, në prag të Luftës së Dytë Botërore: "Asgjë nuk humbet me paqen. Çdo gjë, me luftën". Françesku e bën të vetin këtë paralajmërim, duke menduar për konfliktin në Ukrainë që dëmton Evropën, por edhe për të gjitha luftërat dhe dhunën që gjakosin botën. Ka edhe “kënaqësi në torturim”, vëren: “Po e shohim në luftë, në pamjet e luftës, kënaqësinë... Në shumë ushtarë që punojnë atje duke torturuar ushtarët ukrainas. Kam parë filmat. E kjo ndodh ndonjëherë edhe me djemtë”.

Hera e parë në Saxa Rubra

Lufta është një nga temat e shumta të cilave Françesku i kushtoi njërin nga reflektimet gjatë programit të thelluar fetar në Rai Uno, spektator i të cilit është vazhdimisht, siç ka pohuar gjithnjë. Një intervistë - hera e parë e një Pape në një studio televizive - drejtuar nga Lorena Bianchetti, shoqëruar nga ndërhyrjet e Don Marco Pozza-s, kapelan i burgut Due Palazzi në Padova, Motrës Agnese Rondi, murgeshë e Cottolengo, dhe mysafirëve të tjerë. Transmetimi, episod i posaçëm i "La forza della vita"(Forca e jetës), u regjistrua të shtunën e kaluar, më 27 maj, kur Francesco ishte në selinë e Rai në Saxa Rubra.

Roli i mediave

Mes lidhjeve të jashtme, klipeve nga historitë e jetës, dëshmive të drejtpërdrejta, sipas formatit tradicional të transmetimit, Papa Françesku tregon se nuk ka qenë kurrë në studio televizive e se nuk e ndjek shumë TV: "Do t'ju them një sekret, kur isha i ri, nuk ishte ende televizori”,  bën shaka me Bianchettin. Më pas ndalet te roli që duhet të luajë informacioni në skenarin aktual botëror: “Media duhet të ndihmojë për t’u takuar me njëri-tjetrin, për ta kuptuar njëri-tjetrin, për të bërë miq dhe për t’i dëbuar djajtë e vegjël që shkatërrojnë jetën e njerëzve. Ky është pozitivitet, nuk bëhet fjalë vetëm për fenë. Po, mund të bëhet, të flitet për Zotin... por duke ruajtur humanizmin.

Jubileu, rast për falje

​​Gjatë bisedës  u fol për ngjarjet e mëdha të Kishës, si për shembull, për Jubileun e 2025-ës,  rast "për t'i bashkuar të gjithë me Zotin, për të zgjidhur problemet, për të falur" ("Një nga gjërat më të bukura të njerëzve është falja", pohoi), ose për kujtimet personale, si ata të gjyshes së tij Roza, e para që i mësoi dashurinë për Zojen: "Ajo më foli për Shën Jozefin dhe Marinë, por duke vënë gjithmonë Jezusin në qendër".

Dukjet mariane

Qëndërsia e Krishtit është e rëndësishme - vuri në dukje Papa - edhe për të dalluar vërtetësinë e dukjeve mariane. Dukjet "mos i kërko kudo”, sepse ky   mjet i devocionit marian nuk është gjithmonë i vërtetë" - paralajmëron. "Ka pasur dukje të vërteta të Zojës, por gjithmonë me gishtin drejt Jezusit. Zoja nuk ka tërhequr kurrë vëmendjen drejt vetes. Kur devocioni marian përqendrohet tepër tek vetja, nuk është gjë e mirë. As për devocinin e as për të devoçmit!

Bamirësia e Zotit

Ndër videot e ndryshme të transmetuara gjatë episodit, edhe ajo e Fausto Desalu, 29 vjeç, kampion olimpik me Italinë në stafetë, i cili tregon historinë e tij të rilindjes. I riu hyn në studio dhe pyet Papën: "Gjithçka në rregull?". "Ende gjallë," përgjigjet ai, me shakanë e zakonshme. Historia personale e djaloshit i krijon Papës mundësi të flasë për dhurimin falas: “Zoti ka qenë aq i mirë me ne, sa na ka mësuar të kemi një ndjenjë të pafalshme. E duam gjithçka falas. Shpërblimi është dhanti shumë e madhe e Zotit, por edhe ne duhet të japim tonën... Askush nuk mund të japë falas, nëse nuk e ka përjetuar atë dhuratë”.

"Kompleksi i palloit"

Në kontrast me këtë qëndrim, është “kompleksi i palloit”, a i pavodës: “Nuk e di nëse ekziston kjo kategori në psikologji, por unë e quaj “kompleksi i palloit”, dëshirën për t’u fryrë, për t’u dukur! Ata që janë të cektë, bien në tundimin e palloit, përpiqen të duken, të shtiren se...”. "Po kjo nuk është rruga ku duhet ecur" - pohon Papa - "jeta është për t’u jetuar, jo për të bërë makjazh".

Edukoni butësinë

Papës i tregojnë më pas historinë e Diana Ghini, 19 vjeçare, viktimë e bullizmit për pamjen e saj fizike e edhe për shkak të motrës së saj me aftësi të kufizuara të rënda. “Ligësia është një nga veset e njeriut”, komenton Papa. Fëmijët që kryejnë bullizëm “duken fitues”, por “është  fitore e rreme sepse fitore me agresion, mbi dhimbjen e të tjerëve. Fitorja e vërtetë është e harmonishme, nuk është agresive, është e butë. Fjala e vërtetë është butësia. Sot nuk edukohemi aq shumë në butësi, ngaqë mendohet se të jesh zemërbutë, do të thotë të jesh budalla”.

Edhe ai, Jorge Mario Bergoglio, dëgjoi fjalë, që e lënduan: “Si i ri, si fëmijë...”. Fillimisht reagoi duke “kapërdirë gjithçka”, në heshtim, më pas “duke pohuar se i meritonte fjalët që thuheshin për të…fjalë të drejta”.

Mesazh prindërve dhe mësuesve

Papa rikujtoi atë, që është "stili" i Zotit: "Afërsi, dhembshuri e butësi". Kjo duhet t'u mësohet fëmijëve: "Nuk ka rrugëdalje: ose zgjedhim rrugën e dashurisë, të butësisë, ose zgjedhim rrugën e indiferencës". Por kujdes – i porosit Papa prindërit: “Duhet të edukojmë brenda kufijve. Fëmijët kanë nevojë për përkëdhelje, dashuri, por jo gjithmonë. Nuk duhet tepruar! Se pastaj dëmtojmë, në vend që të ndreqim! T’i themi jo zemërimit”. E njëjta gjë vlen edhe për mësuesit: “Mësuesi nuk josh kurrë, tërheq, të bën të ndihesh mirë dhe të vë cak. Një mësues që të jep vetëm karamele nuk është i mirë. Mësues është ai që të ndihmon të ecësh, por të tregon kufirin e të qorton. E kur një baba a një nënë nuk e qortojnë fëmijën, diçka nuk shkon”.

04 qershor 2023, 14:39