Kërko

Udienca e Papës me asuncionistët Udienca e Papës me asuncionistët

Papa: lufta vë në rrezik ekuilibrin civil dhe fetar të Evropës Lindore

Françesku pret agustinianët e Zojës së Madhe, mbledhur në kapitullin e përgjithshëm në Vatikan dhe kujton fushat në të cilat shprehet karizma e tyre: apostullimi i shtegtimeve, impenjimi në media dhe misioni në Lindje. Papa i inkurajon edhe për praninë e Urdhrit në Tokën Shenjte, ku të krishterët kërcënohen vazhdimisht

R.SH. – Vatikan

Një nga misionet kryesore të jetës rregulltare apostolike është të dëshmojë, konkretisht, afërsinë e Mbretërisë së Zotit. Me këto fjalë nisi takimi i Papës Françesku me agustinianët e Zojës së Madhe, të cilët i priti sot në Vatikan, në mbyllje të kapitullit të tyre të përgjithshëm me temë “Mbretëria e Hyjit është afër (Mk 1,15). Ta jetojmë dhe ta kumtojmë shpresën e Ungjillit”. Me të, rregulltarët përcaktojnë udhët, që do të ndjekin për gjashtë vitet e ardhshme.

Apostullimi gjatë shtegtimeve

Papa foli për shpresën, duke kujtuar një nga karizmat e asuncionistëve: apostullimin gjatë shtegtimeve, të cilin e vënë në jetë nga shenjtërorja e Lurdës e deri në Amerikën Latine. Duke dalë jashtë tekstit zyrtar, Françesku kujtoi kohët kur ishte i vogël:

“Më kujtohet, si fëmijë, se kishim Motrat e Zojës së Madhe në Buenos Aires, të cilat, prej andej, organizonin shtegtime në Lurdë. Si fëmijë… Ishte si yll, që duhet ta ndjekim… Më kujtohet mirë…”.

Impenjimi në media e karakterizon Urdhrin në çdo kontinent e, Ati i Shenjtë e kujtoi edhe atë.

Misioni në Lindje

Pastaj, shërbimi “historikisht më i rëndësishëm” i rregulltarëve agustinianë, sifë edhe në këtë epokë konfliktesh: misioni drejt Lindjes.

“Ju inkurajoj ta çoni përpara këtë mision në Lindjen e Mesme, ku të krishterët janë objekt kërcënimesh dhe në Evropën Lindore, ku lufta në Ukrainë vë në rrezik ekuilibrin civil dhe fetar të rajonit. Dua edhe t’ju shpreh mirënjohjen e Selisë së Shenjtë për besnikërinë e impenjimit tuaj në favor të Kishës së vogël katolike të ritit bizantin në Bullgari, e cila pret shumë prej jush. Përvoja e gjatë e dialogut me Ortodoksinë, si edhe me Islamin e Judaizmin, është e paçmuar për Kishën; ajo ju shndërroftë, sot më shumë se kurrë, në artizanë të bashkimit, në shërbim të paqes”.

Hiri i thirrjeve

Papa trajtoi edhe çështjen e pakësimit të thirrjeve, e cila duket se nuk ndikon shumë tek rregulltarët e këtij Urdhri, që ka gjithnjë kandidatë të rinj për t’u bërë agustinianë.

“Ju siguroj për lutjet e për besimin tim, në mënyrë që të mund të investoni forcat më të mira veçanërisht në ato të vende të jugut të botës, të cilat, në Institutin tuaj, ashtu si në shumë të tjerë, po marrin fondet, që më parë përdoreshin në veri. Më thonë se një ndër tre anëtarë të Institutit tuaj vijon aktualisht formimin: kjo është e mrekullueshme në këto kohë të mungesës së thirrjeve, të lindjeve zero… ky është hir... Ju lutem, ata që po formohen ta kuptojnë mirë karizmën”.

"Kisha ka besim tek ju"

Së fundi, Papa kujtoi mësimet e themeluesit të Urdhrit, Emmanuel d'Alzon, për të cilin vijon çështja e lumnimit. I nxiti agustinianët të ndjekin udhën e përvijuar prej tij, por me energji të përtërirë.

“Duhet të jemi të guximshëm. Mbretëria e Zotit, a s’është në vetvete një risi radikale për njerëzimin? Prandaj, guxim. Për t’i bërë ballë kësaj sfide, mos kini frikë të kultivoni në ju dhe rreth jush ‘dashurinë e trefishtë’, që ju mësoi Át d’Alzon: ta doni Krishtin, ta doni Virgjërën Mari dhe ta doni Kishën. Kështu do t’i qëndroni besnikë karizmës dhe do të gjeni mënyra besnike dhe novatore për ta aktualizuar atë. Në të gjitha këto gjëra, në këto udhë të vjetra e të reja, vëllezër të dashur, mund të mbështeteni në lutjet dhe në besimin tim. Kisha ka besim tek ju”.

22 qershor 2023, 13:50