Kërko

Kapela Sikstine Kapela Sikstine 

Papa Françesku do të takohet me rreth 200 artistë, në Kapelën Sikstine

Audiencë papnore, të premten, më 23 qershor, me rastin e 50-vjetorit të përurimit të Koleksionit të Artit Modern dhe Bashkëkohor të Muzeut të Vatikanit, Papa do të presë disa nga piktorët, skulptorët, arkitektët, shkrimtarët, poetët, muzikantët, regjisorët dhe aktorët më të shquar bashkëkohorë.

R. SH. - Vatikan

Me rastin e 50-vjetorit të përurimit të Koleksionit të Artit Modern dhe Bashkëkohor në Muzetë e Vatikanit, të premten, më 23 qershor 2023, Papa Françesku do të presë në Kapelën Sikstine rreth 200 nga krijuesit më të shquar bashkëkohorë: piktorë, skulptorë, arkitektë, shkrimtarë, poetë, muzikantë, regjisorë dhe aktorë.

Muzetë e Vatikanit: 50 vjetët e para të Koleksionit të Artit Bashkëkohor

Audienca - nënvizon një notë e Dikasterit për Kulturën dhe Arsimin - është pjesë e një serie takimesh papnore, kushtuar artistëve, akti i parë i të cilëve nis në vitin 1964, kur Pali VI kërkoi të përtërihej miqësia ndërmjet Kishës dhe artistëve. Ndaj Ati i Shenjtë dëshiron të kremtojë veprën dhe jetën e artistëve, duke vënë në dukje kontributin e tyre në edukimin e ndjenjës së humanizmit të përbashkët dhe në promovimin e vlerave të përbashkëta.

“Nisma thekson rolin e Dikasterit për Kulturën dhe Arsimin, parë si promovues i marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe botës së Kulturës, duke favorizuar dialogun si mjet i domosdoshëm i takimit të vërtetë, i ndërveprimit dhe pasurimit të ndërsjellë, në mënyrë që punonjësit e arteve, të letërsisë dhe të kulturës, në të gjitha format e saj, të njihen nga Kisha si njerëz në shërbim të kërkimit të sinqertë të së vërtetës, të së mirës dhe të së bukurës”.

De Mendonça: “Të rilidhet miqësia e Kishës me artistët"

Prefekti i Dikasterit për Kulturën dhe Arsimin, Kardinali José Tolentino de Mendonça, poet i njohur, pohon se “Kisha duhet ta rilidhë miqësinë me artistët, e interesuar siç është për pyetjet që bën sot bota bashkëkohore (sa ato aktuale, përplot me dramaticitete, ashtu edhe ato tejet vizionare, që shikojnë drejt kohëve të reja e të shpresuara) e gatshme për të pasuruar dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellë".

Veprimtaria, e promovuar nga Dikasteri për Kulturën dhe Arsimin, organizohet në bashkëpunim me Guvernatoratin e Shtetit të Qytetit të Vatikanit, Muzetë e Vatikanit dhe Dikasterin për Komunikimin.

21 qershor 2023, 17:57