Kërko

Spitali Gemelli Spitali Gemelli

Papa Françesku do të dalë nga spitali nesër, më 16 qershor

Ekipi mjekësor, që ndjek shëndetin e Papës pas operacionit të fundit, konfirmon se gjendja është e rregullt dhe analizat janë normale, prandaj Ati i Shenjtë do të dalë nga spitali Gemelli, më 16 qershor. Françesku përshëndeti mjekët, infermierët dhe të gjithë personelin, që koordinoi dhe bëri të mundur operacionin. Mbrëmjen e djeshme, darkë me ata që e asistojnë

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku do të dalë nesër paradite - e premte, 16 qershor - nga Poliklinika Gemelli, ku ndodhet prej më se një jave, pas laparotomisë dhe operacionin plastik të murit të barkut. Konfirmimi vjen nga personeli mjekësor, i cili, pas kontrolleve, vëren se ecuria e shëndetit është e rregullt, pa ndërlikime dhe analizat, normale.  

Analiza normale

 Informacion, ky i fundit, konfirmuar edhe në njoftimin e sotëm, ku thuhet se “Papa Françesku ka pushuar mirë gjatë natës” dhe se “analizat e gjakut janë normale”. Mbrëmjen e djeshme Papa "hëngri darkë me ata, të cilët e kanë asistuar që nga dita e shtrimit në spital", ndërsa sot paradite, "në shenjë falënderimi, priti gjithë ekipin operativ të përbërë nga personeli mjekësor, infermierët, punonjësit socio-shëndetësorë dhe ata ndihmës”, të cilët “koordinuan dhe bënë të mundur operacionin kirurgjikal” të 7 qershorit.

Takime dhe përshëndetje

Ndër takimet e ndryshme të Papës, edhe ai me imzot Claudio Giuliodori, asistent i përgjithshëm kishtar i Universitetit Katolik dhe me don Nunzio Currao, atë shpirtëror i personelit të Poliklinikës. Papa përshëndeti edhe përfaqësuesit e Këshillit Drejtues të Fondacionit Poliklinik Gemelli, së bashku me presidentin Carlo Fratta Pasini dhe rektorin e Universitetit Katolik, Franco Anelli e drejtues të tjerë.

15 qershor 2023, 14:09