Kërko

Emërimi i nuncëve të rinj Emërimi i nuncëve të rinj 

Papa emëron nuncët në Bregun e Fildishtë, Pakistan dhe Kazakistan

Françesku emëroi në vendin afrikan Imzot Rueda Beltz, për vite me radhë organizator i udhëtimeve të tij apostolike, ndërsa në Pakistan dhe Kazakistan dërgoi përkatësisht Imzot Germano Penemote dhe George Panamthundil.

R. SH. - Vatikan

Për më shumë se 4 vjet, nga viti 2016 deri në vitin 2020, shkeli në vise të ndryshme të botës, së bashku me Papën Françesku, si organizator i udhëtimeve të tij jashtë vendit, ndërsa në dy vjetët e  fundit kryente detyrën e nënsekretarit të Seksionit për Personelin e Rolit Diplomatik të Selisë së Shenjtë. Tani për Imzot Mauricio Rueda Beltz erdhi koha të largohet nga Vatikani, për të shërbyer në Bregun e Fildishtë, ku Papa e emëroi sot nunc apostolik, duke e lartuar njëkohësisht në dinjitetin e kryeipeshkvit. Emërimin ia njoftoi Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin sot në mëmgjes, gjatë një ceremonie të shkurtër.

Kolumbian nga Bogota, 53-vjeçar, Imzot Beltz, meshtar që nga viti 1996,   i diplomuar në  Drejtësi kanonike, hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë në korrik 2004. Shërbeu në përfaqësitë papnore të Guinesë, Kilit, Shteteve të Bashkuara dhe Jordanisë. Më pas, në Sekretariatin e Shtetit, Seksioni për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare e në Seksionin për Çështjet e Përgjithshme si drejtues i shtegtimeve apostolike. Pas kësaj detyre, e para aktuales, u transferua në nuciaturën apostolike në Portugali. Flet frëngjisht, anglisht, italisht dhe portugalisht.

Nuncët e rinj në Pakistan dhe Kazakistan

Papa mori vendime edhe për dy vende aziatike. Në Pakistan, Françesku emëroi nunc apostolik priftin afrikan 53-vjeçar, Germano Penemote, deri tani këshilltar i nunciaturës, i lartuar në dinjitetin e kryeipeshkvit. I lindur në Ondobe, Angola, u shugurua meshtar në vitin 1998. I diplomuar në Utroque Iure, hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë në vitin 2003. Punoi në nunciaturat e Beninit, Uruguait, Sllovakisë, Tajlandës, Hungarisë, Perusë dhe Rumanisë. Zotëron gjuhën frënge, angleze, italiane, portugalishte dhe spanjishte.

Ndërkaq Papa emëroi edhe nuncin e ri apostolik në Kazakistan. Është prifti George Panamthundil, aktualisht me shërbim si këshilltar nuciature dhe i lartuar në dinjitetin e kryeipeshkvit. Me origjinë nga Trivandrum City, Indi, i lindur në 1972, u shugurua meshtar në vitin 1998. I diplomuar në të Drejtën Kanonike Lindore, është në shërbim të diplomacisë së Selisë së Shenjtë që nga viti 2005. Shërbeu në Kosta Rika, Guine, Irak, Austri, Izrael dhe në Delegacionin Apostolik në Jerusalem dhe Palestinë, si dhe në Përfaqësinë Papnore në Qipro. Edhe ai poliglot, zotëron frëngjishten, anglishten, italishten, spanjishten dhe gjermanishten.

16 qershor 2023, 14:10