Kërko

Pope Francis' Angelus Pope Francis' Angelus

Françesku: Zoti është dashuri, si Ai ta mbajmë portën hapur për të gjithë

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të Solemnitetit të të Shenjtnueshmes Trini, Papa nënvizoi se “mund ta mendojmë Zotin përmes familjes së ulur rreth sofrës” e ta kujtojmë me gjestin më të thjeshtë, mësuar që fëmijë: “Shenjën e Kryqit”.

R.SH. - Vatikan

Fjalët e para të lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar sot në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku ia kushtoi Solemnitetit të Trinisë Shenjte, që kremtohet sot nga Kisha katolike e ritit romak. U kujtoi besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, se Ungjilli i sotëm qe marrë nga dialogu i Jezusit me Nikodemin (krh. Gjn 3,16-18). Flitej, prandaj, për një çast ungjillor vërtet dramatik!

Jezusi, Nikodemit: në mbretërinë e Zoti duhet të rilindim!

Nikodemi ishte anëtar i Sinedrit - shpjegoi Françesku - burrë i apasionuar pas misterit të Zotit: ai e njeh Jezusin si mësues hyjnor dhe bisedon  fshehurazi me të. Jezusi e dëgjon, e kupton se është njeri në kërkim e atëhere e mahnit duke i shpjeguar së pari se në Mbretërinë e Zotit duhet të rilindim. Për t’i zbuluar, më pas, zemrën e misterit:

“Zoti e deshi aq shumë njerëzimin, sa dërgoi Birin e tij në botë. Jezusi, pra, Biri, na flet për Atin dhe për dashurinë e tij të pambaruar!”.

Kuptimi i fjalës Zot

Babë e bir. Pamje familjare që, nëse e mendojmë, e ndryshon krejtësisht përfytyrimin tonë për Zotin - kujtoi Papa që, në vijim, u shpjegoi besimtarëve të shumtë, mbledhur si zakonisht në Sheshin e Shën Pjetrit - fjalën më tronditëse e njëkohësisht, më qetësuese ndërmjet të gjitha fjalëve: “Zot”.

Fjala "Zot" na kujton një realitet të veçantë, madhështor dhe të largët, ndërsa fjala Atë e Bir, na kujton shtëpinë:

“Po, ne mund ta mendojmë Zotin kështu, përmes pamjes së një familjeje të mbledhur rreth tryezës, ku ndahet jeta. Në fund të fundit, pamja e tryezës,   njëkohësisht altar, është simbol që shumë figure e përdorin për të paraqitur Trininë. Figure, që flasin për atë Zot, të cilin e marrim në kungim”.

Nuk është figure, është realitet!

Por Ai nuk është thjesht figure! Është realitet! – vijoi të shpjegojë Papa – realitet…

“…sepse Shpirti Shenjt, Shpirti që Ati nëpërmjet Jezusit, dikon në zemrat tona (shih Gal 4:6), na bën të shijojmë praninë e Zotit: prani e prekshme, e dhembshur, e butë. Shpirti Shenjt bën me ne, atë që bëri Jezusi me Nikodemin: na prin drejt misterit të lindjes së re, na zbulon zemrën e Atit dhe na bën pjesëmarrës në vetë jetën e Zotit”.

Shenja e Kryqit

Ftesa, që na drejton Shpirti Shenjt, mund të themi, është të ulemi në një tryezë me Zotin për të ndarë dashurinë e tij. Kështu ndodh në çdo Meshë, në altarin e tryezës eukaristike, ku Jezusi flijohet për Atin e edhe për ne:

“Po, vëllezër e motra – vijoi ta shpjegonte Papa këtë mister kaq të vështirë për t’u kuptuar - Zoti ynë është bashkësi dashurie: kështu na e zbuloi Jezusi dhe a e dini se si mund ta kujtojmë këtë? Me gjestin më të thjeshtë, të cilin e mësuam që fëmijë: shenjën e kryqit”.

Duke bërë shenjën e kryqit në trupin tonë, kujtojmë se sa shumë na deshi Zoti:

“Na deshi deri në atë pikë, sa dha jetën për ne; atëhere përsërisim me vete se dashuria e tij na pushton plotësisht, nga lart poshtë, nga e majta në të djathtë, si një përqafim që nuk të braktis kurrë. E në të njëjtën kohë angazhohemi ta dëshmojmë Zotin-dashuri, duke krijuar bashkim në emër të tij”.

A e dëshmojmë Zotin-dashuri?

Pra, sot mund të pyesim veten - vijoi si zakonisht në përfundim Papa - a e dëshmojmë dashurinë ndaj Zotit? Apo dashuria për Zotin është bërë thjesht koncept, që e kemi dëgjuar prej kohe, që nuk e vë në lëvizje, as nuk e vë më në provë jetën? Nëse Zoti është dashuri, a e dëshmojmë në bashkësitë tona? A dimë ta duam? A jemi një familje?  A e mbajmë derën gjithmonë hapur, a dimë t'i presim të gjithë, theksoj të gjithë, si vëllezër e motra? A i ofrojmë të gjithëve shujtën e ndjesës së Zotit dhe verën e gëzimit ungjillor? A thithim ajrin e shtëpisë apo i ngjasim më shumë një zyre a një vendi privat, ku hyjnë vetëm të zgjedhurit?

Pyetje  të vështira, që kërkojnë përgjigje po aq të vështira. Prej këndej lutja drejtuar Nënës së Zotit:

“Maria na ndihmoftë ta jetojmë Kishën si atë shtëpi, ku duam në mënyrë familjare, për lumni të Atit e të Birit e Shpirtit Shenjt”.

04 qershor 2023, 12:44

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >