Papa do të udhëtojë në Mongoli nga 31 gushti deri më 4 shtator
R. SH. - Vatikan
E kishte parashikuar në disa raste, duke shprehur dëshirën për të shkuar në vendin e stepave të mëdha, ndërmjet Rusisë dhe Kinës, ku katolikët janë 2% e popullsisë e ku vitin e kaluar krijoi kardinalin e parë, misionarin e ri Giorgio Marengo. Sot, 3 qershor, lajmi: Papa Françesku do të shtegtojë në Mongoli nga 31 gushti deri më 4 shtatorin e ardhshëm. Do të jetë shtegtimi i 43-të apostolik ndërkombëtar i papnisë.
Lajmin e dha drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, duke kujtuar ftesën e marrë nga “autoritetet civile dhe kishtare” dhe faktin se “programi e hollësitë e tjera do të komunikohen gjatë javëve në vijim”.
Në tokën e Genghis Khanit
Po studiohej prej kohe mundësia për një shtegtim në këtë tokë - perandori e Genghis Khan në imagjinatën kolektive - pesë herë më e madhe se Italia, me vendin e dytë në renditjen e viseve më pak të populluara në botë, me kontraste të mëdha klimatike (+40° në verë, -40° në dimër), vend i nomadëve dhe barinjve, ku një e treta e popullsisë jeton në kushtet e varfërisë. Vetë Françesku e ka kujtuar qëllimin e tij për ta vizituar, gjatë disa bisedave në aeroplan ose në seancat publike. Përveç kësaj kardinali Marengo, misionari i Zojës Ngushëlluese dhe prefekt i kryeqytetit Ulan Bator, në moshën 48-vjeçare, më i riu i Kolegjit të Kardinajve pas Koncistorit të gushtit 2022 pati njoftuar se e kishte ftuar Papën Françesku për të vizituar vendin dhe bashkësinë e vogël katolike, por plot gjallëri: rreth 1450 të pagëzuar ndërmjet 3.5 milionë banorëve.