Kërko

Papa duke dalë nga spitali Papa duke dalë nga spitali 

Papa del nga Spitali Gemelli: mendimi i parë, për emigrantët vdekur në Greqi: "Shumë dhimbje"

Pak para orës 09.00 Papa doli nga Poliklinika, pas shtrimit për operacionin laparotomisë. Duartrokitje, kore, emocion e pak rrëmujë në turmën e njerëzve, ndërmjet të cilëve, edhe gazetarët, në hyrjen kryesore. Françesku i përshëndeti duke bërë shaka: "Jam ende gjallë!". Më pas shkoi në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku e falënderoi Zojen për rezultatin e suksesshëm të operacionit. Kirurgu Alfieri: Papa është më mirë se më parë.

R. SH. - Vatikan

Fytyra pakëz e hequr, por buzëqeshja, e njëjtë si gjithmonë. “Atë i Shenjtë, si jeni?”. "Ende gjallë!". Papa Françesku u largua rreth orës 8.45, nga Poliklinika romake Gemelli, ku ishte i shtruar që prej 7 qershorit për operacionin e laparotomisë. Në hyrjen kryesore të spitalit, nën strehë, nga njëra anë presin dy kordonë me pacientë, mjekë, infermierë e kalimtarë; nga ana tjetër, gazetarë e kameramanë të gatshëm me telekamera dhe aparate fotografike. Janë aty që në orën 6.00 duke pritur Françeskun, gati për t'u ngritur në lëvizjen e parë që mund të shihej brenda. Nga dritaret me pamje nga shtatorja e Gjon Palit II infermierët me bluza të bardha dhe studentët e Universitetit Katolik rrinë gati për ta filmuar ngjarjen me smartphone.

Brohoritje, përshëndetje, duartrokitje

"Ja Papa!" - bërtiti një burrë kur pa karrocën me Françeskun, i cili menjëherë ngriti dorën për të përshëndetur të pranishmit. Pak hapa, deri në Fiatin e bardhë 500 L, gati për t’u nisur. Por Françesku ndalon për pak çaste. Nis menjëherë shtytja, dikush bie,  kordonët e rregulluar me kujdes nga policia dhe xhandarët herët në mëngjes, prishen. Turma lëviz! Të gjithë duan të përshëndesin Jorge Mario Bergoglio e, mundësisht, t'i bëjnë disa pyetje. Por emocioni është më i fortë.

Ndërkaq Papa Françesku ndalet me një grup të vogël gazetarësh, të mbledhur në mes të turmës. Përshëndet korrespondenten e Radio Cope, Eva Fernández, e cila e pyet se si shkoi kjo anestezi e dytë e përgjithshme. “Nuk e di mirë...”, i përgjigjet Papa në spanjisht dhe thërret kirurgun Sergio Alfieri që e operoi dy herë dhe që në dy konferenca shtypi përshkroi hollësira të çmuara mbi kursin postoperativ të Papës. Ishte “përgjigjje teknike”.

Dhimbja për mbytjen e anijes në Greqi

Mes përshëndetjeve dhe thirrjeve: “Atë i Shenjtë, Atë i Shenjtë!”, Françesku arriti të shprehë një mendim për mbytjen e fundit, dramatike, të anijes në Greqi, ku humbën jetën mbi 80 persona, refugjatë. Ndërsa dje pati dërguar një telegram për të shprehur dhimbjen për tragjedinë e refugjatëve, sot me zë të ultë dhe  me fytyrë të ngrysur, pëshpëriti: "Shumë, shumë dhimbje".

Ngrohtësia e njerëzve

Papa hyn ngadalë në makinë, i shoqëruar nga profesor Alfieri dhe xhandarët. Rreth tij krijohet një mur kamerash. Ai përshëndet nga dritarja dhe i falënderon të gjithë gazetarët për dashurinë dhe për punën. Dikush përpiqet ta ndjekë, një djalë bërtet: "Rroftë Papa!". "Shëndet".  Një grua, me këmbët aq të fryra, sa i dalin nga këpucët, vijon të qëndrojë aty, pavarësisht se pret prej më shumë se një ore, e mbështetet në krahun e një shoqeje, duke buzëqeshur me emocion, e vetëdijshme se jetoi një çast të mrekullueshëm. Ndërkaq një grua tjetër e moshuar, e cila me druajtje u kërkoi gazetarëve t'i linin vend në rreshtin e parë, thërriste, e ngarkuar me emocion: "Përshëndeta Papën... E përshëndeta!".

Lutja në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe

Makina nis udhën drejt Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, simbol i përkushtimit Marian të Papës argjentinas. Françesku mbërrin rreth orës 9.30 përballë Zojës Salus Populi Romani e, si gjithmonë para dhe pas çdo udhëtimi, ndalon disa çaste në lutje falënderimi para Virgjërës për suksesin e operacionit. Në hyrje dhe në dalje, përshëndet besimtarët dhe turistët që e presin aty që në mëngjes, të sigurt për ardhjen e Papës.

Kirurgu Alfieri: “Papa është mirë”

Në spitalin Gemelli, Profesor Alfieri ndalet për disa shaka me gazetarët  që i drejtojnë pyetje të ndryshme. "Papa i ka konfirmuar të gjitha udhëtimet", atë në Lisbonë për DBR-në e edhe atë në Mongoli, në fund të gushtit. "Madje - nënvizon mjeku specialist - do të mund t'i përballojë më mirë se më parë, sepse tani nuk do ta ketë më ngacmimin e sëmundjeve të mëparshme. Do të jetë  Papë më i fortë".

Dikush pyet se si do të vazhdojë rikuperimi dhe kirurgu, pakëz ironik, përgjigjet menjëherë: "Po ai nuk bën pushim, tashmë ka filluar të punojë!". E ka fjalën për “orët e punës” gjatë ditëve të shtrimit në spital, shoqëruar nga lutja dhe leximi. “Ne i kërkuam të pushojë paksa e jam i sigurt se këtë herë do të na dëgjojë pak më shumë, sepse e presin takime të rëndësishme dhe tashmë ka thënë se do t’i ndjekë të gjitha, përfshirë edhe udhëtimet”, pohon doktor Alfieri.

Falënderim ekipit mjekësor të Gemelli-t

Dje ai dhe gjithë stafi i Gemellit jetuan një çast privat me Papën, i cili i falënderoi për vëmendjen dhe përkushtimin e tyre: “Ati i Shenjtë donte t’i falënderonte të gjithë infermierët, të gjithë punonjësit e shëndetësisë, të gjithë mjekët”- kujton profesor Alfieri. “Ai donte të falënderonte të gjithë drejtuesit sepse, kur vjen Papa këtu, i gjithë spitali vazhdon të punojë, askush nuk ngelet pas... Pati edhe një bisedë personale me një nga kolegët tanë që nuk është mirë. Çast shumë prekës, përveç atij që u përjetua në spitalin e pediatrisë”. Një foto e këtij çasti, që u publikua dje nga Salla e Shtypit e Vatikanit, e paraqiste Françeskun në një karrigen me rrota, nën një kryq, duke folur me një çift.

“Faleminderit”, “lutuni për mua”; “Jam ende gjallë” – këto, fjalët që Papa ia tha gjithë ekipit mjekësor të Gemelli-it. Prof. Alfieri, i prekur, u rikujton gazetarëve: “Po e përsëris, Papa është mirë, është më mirë se ishte...”. Më pas e bën hapin e parë, duke iu përgjigjur me shaka pyetjes “Çfarë efekti ka tek ju një Papë?”: “Epo, e kisha provuar edhe  më parë!”.

Lamtumirë - thotë mjeku - jo mirupafshim!

16 qershor 2023, 11:30