Kërko

Papa në bisedën me anëtarët e Komitetit Organizativ të Kongresit Eukaristik të SHBA-së Papa në bisedën me anëtarët e Komitetit Organizativ të Kongresit Eukaristik të SHBA-së

Papa, amerikanëve: dëshmojeni dashurinë për Eukaristinë Shenjte

Vazhdoni përpjekjet për të kontribuar në ringjalljen e fesë dhe të dashurisë për Eukaristinë Shenjte: kështu pohoi Papa Françesku, ndërsa takohej sot me anëtarët e Komitetit amerikan, që po përgatit Kongresin e ardhshëm Kombëtar Eukaristik në SHBA-të

R.SH. – Vatikan

Edhe pas dymijë viteve jetë të Kishës, ende ekziston një rrezik për të krishterët: ai i ngatërrimit të pranisë së vërtetë të Krishtit në Eukaristi me një "simbol", të realitetit të dashurisë me një shenjë pak a shumë të vagëllt. Për këtë arsye, të krishterët duhet “të impenjohen me zell gjithnjë e më të madh për të qenë dishepuj misionarë" të Jezusit në botë, dëshmitarë për dhuratën e madhe të vetvetes, që bën Krishti çdo ditë në meshë. Papa - i cili sot rifilloi ritmin normal të audiencave e të takimeve, pas daljes nga spitali Gemelli – u ndal në kuptimin e Eukaristisë, në bisedën me anëtarët e Komitetit Organizativ të Kongresit Eukaristik të SHBA-së, duke marrë shkas nga episodi ungjillor i shumëzimit të bukëve.

Uria më e thellë e zemrës njerëzore

Me atë mrekulli, vërejti Françesku, Jezusi deshi ta shndërronte "urinë materiale" të dishepujve të tij "në një lloj tjetër urie", që ka nevojë për amshimin. Kështu, me Eukaristinë, ai i dha përgjigje "urisë më të thellë të zemrës njerëzore". Kongresi Eukaristik, nënvizoi më tej Ati i Shenjtë, ka për detyrë t'i frymëzojë katolikët që ta kuptojnë këtë realitet të Sakramentit, me të cilin lidhet ngushtë adhurimi i Zotit.

“Mendoj se në këtë epokë moderne, e kemi humbur ndjesinë e adhurimit, duhet të rifitojmë ndjesinë e adhurimit në heshtje, të adhurojmë. Është lutje, që e kemi humbur, pak njerëz e dinë se ç’është kjo dhe ju ipeshkvijtë duhet t’i katekizoni besimtarët që të luten përmes adhurimit e, kështu duhet bërë edhe me Eukaristinë”.

Ta kuptojmë Eukaristinë si ftesë për veprim

 Duke përmendur Papën shenjt Gjon Pali II, i cili thoshte se "nuk ka Eukaristi pa meshtari", Françesku kaloi nga adhurimi në veprimin, sepse, theksoi ai, nuk ka Eukaristi, që nuk nxit "një dashuri thellësisht të përkushtuar për të afërmin" e, po ashtu, shtoi, "nuk mund ta kuptojmë dhe ta përjetojmë vërtet kuptimin e saj, nëse i mbajmë zemrat të mbyllura për vëllezërit dhe motrat, veçanërisht për të varfrit, për të vuajturit, për të sfiliturit, ose për të humburit në jetë". Ndër ta, Ati i Shenjtë vuri në dukje, në veçanti, dy grupe njerëzish që “duhet të shkojmë gjithmonë për t'i parë: të moshuarit, të cilët janë urtia e një populli dhe të sëmurët, të cilët janë figura e Jezusit në dhimbje”.

“Bëhemi dëshmitarë të besueshëm të gëzimit dhe të bukurisë transformuese të Ungjillit, vetëm duke pranuar se dashuria e kremtuar në Sakrament nuk mund të mbahet për vete, por duhet ndarë me të gjithë”.

19 qershor 2023, 13:24