Kërko

Lëmosha e Shën Pjetrit, kështu mbërrin ndihma e Françeskut ndër nevojtarët

Të dielën, më 25 qershor, kremtohet Dita e Bamirësisë së Papës: falë mbështetjes së besimtarëve nga e gjithë bota, Ati i Shenjtë mund t’u qëndrojë konkretisht pranë njerëzve në vështirësi, në çdo anë të tokës

R.SH. – Vatikan

“Ndihmojeni Papën të ndihmojë”. Shpesh, kemi dëgjuar për nismat bamirëse të Ipeshkvit të Romës: përmes ndihmës konkrete financiare, blerjes dhe dërgimit të pajisjeve mjekësore, ilaçeve dhe sendeve bazë për jetesën, Françesku është i pranishëm në situatat më të vështira anekënd botës. Është mision pa kufi dhe përballon vazhdimisht emergjenca të reja. Luftërat - pamjet e të cilave na kalojnë çdo ditë para syve nga ekrani i televizorit, por edhe ato të harruara - uria, varfëria dhe uria, lëvizjet migratore, emergjencat klimatike: kërkesat që mbërrijnë në Selinë Apostolike e përfundojnë në duart e Papës janë të shumta. E, pikërisht, falë të ashtuquajtures Lëmoshë e Shën Pjetrit, i cili s’është tjetër veçse dhurata e besimtarëve, lëmoshët e tyre për këtë lloj fondi, Ati i Shenjtë mund t'u përgjigjet, me zemrën e atit të mirë, nevojave të shumta. E rezultatet janë të dukshme. Sipas Raportit vjetor të publikuar në qershor 2022, gjatë vitit të kaluar janë financuar 157 projekte në 67 vende (41,8% prej të cilave në Afrikë, 23,5% në Amerikë, 25,5% në Azi).

Lëmosha e Shën Pjetrit është një ofertë, që mund të jetë e vogël, por ka vlerë të madhe simbolike: për çdo besimtar, ajo dëshmon ndjenjën e përkatësisë në Kishë, si edhe dashurinë e besimin për Ipeshkvin e Romës, i cili kryeson të gjitha Kishat në dashuri. Kush dhuron lëmoshë për Papën, jo vetëm e ndihmon Atin e Shenjtë t’i ndihmojë nevojtarët, por merr pjesë në misionin e shpalljes së Ungjillit në mbarë botën dhe bashkëpunon që zëri dhe mesazhi i Papës të arrijë në skajet më të largëta të tokës përmes radios, televizionit dhe internetit. Gjithashtu, bashkëpunon në shërbimin e Pasardhësit të Shën Pjetrit për Kishat lokale, përmes dikastereve të Selisë së Shenjtë dhe rrjetit të Nuncëve Apostolikë, përfaqësuesve të tij në botë, duke mbështetur nismat, që synojnë promovimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, arsimin, paqen, drejtësinë dhe vëllazërimin ndërmjet popujve, në mënyrë që të heshtin armët dhe të rilidhen fijet e dialogut kudo.

Dita e Bamirësisë së Papës kremtohet më 25 qershor në të gjitha kishat, ku njerëzit do të dhurojnë ç’munden për Atin e Shenjtë. E, sidomos, do të luten për Papën Françesku e për misionin e tij. Për këtë do të shërbejë edhe kontributi sado i vogël i secilit, që mund të dhurohet edhe në çdo çast të vitit, përmes:

1. llogarisë bankare

të “Obolit të Shën Pjetrit” në FinecoBank S.p.A.

IBAN: IT 52 S 03015 03200 000003501166

Kodi BIC/SWIFT i përfituesit: FEBIITM1

(për përgjigjen, lutemi të shkruani emrin dhe adresën tuaj të plotë në arsyen e pagesës)

2. kartës së kreditit

Duke u lidhur me faqen e internetit www.obolodisanpietro.va ose duke skanuar kodin QR

3. llogari rrjedhëse postare

N. 75070003 i “Obolit të Shën Pjetrit”  - 00120 Qyteti i Vatikanit nëpërmjet Një çeku,

me transfertë postare, ose me xhirim në:

IBAN: IT 27 S 07601 03200 000075070003

Kodi BIC/SWIFT: BPPIITRRXXX

23 qershor 2023, 12:38