Kërko

2019.08.19 Blaise Pascal (Clermont-Ferrand, 19 giugno 1623 – Parigi, 19 agosto 1662) un matematico, fisico, filosofo e teologo francese 2019.08.19 Blaise Pascal (Clermont-Ferrand, 19 giugno 1623 – Parigi, 19 agosto 1662) un matematico, fisico, filosofo e teologo francese

Madhështia dhe mjerimi i njeriut: paradoksi i mendimit të Blaise Pascal

Papa Françesku ia kushton Letrën Apostolike “Sublimitas et miseria hominis” veprës së filozofit dhe teologut francez Blaise Pascal, në katërqindvjetorin e lindjes. "Shok udhëtimi - e quan - që na shoqëron në kërkimin e lumturisë së vërtetë" dhe "të njohjes së përvuajtur e të gëzueshme të Zotit të vdekur dhe të ringjallur", duke mbetur kështu në kujtesën e njerëzimit si mendimtar gjenial, por edhe i vëmendshëm ndaj nevojave të të varfërve

R.SH. / Vatikan

Pas Candor Lucis Aeternae (2021), letër apostolike e botuar me rastin e 700-vjetorit të vdekjes së Dante Alighierit, Papa po nderon një intelektual tjetër të madh të krishterë: Blaise Pascal (1623-1662). Për filozofin dhe shkencëtarin e madh francez, botoi sot, 19 qershor 2023, një letër apostolike. Ish-profesor i letërsisë gjatë viteve të formimit të jezuitëve në Argjentinë, Papa argjentinas duket se e njeh mirë veprën e francezit, të cilin e ka cituar në disa raste gjatë veprimtarive të viteve të fundit.

 Kërkues i palodhur i së vërtetës

 "Kërkues i palodhur i së vërtetës", "mendimtar gjenial", "i vëmendshëm ndaj nevojave materiale të gjithsecilit", "i dashuruar me Krishtin", "i krishterë me arsye të jashtëzakonshme" dhe me "inteligjencë të pamasë dhe të shqetë". Kështu e përshkruan filozofin dhe teologun francez Papa Françesku në Letrën Apostolike Sublimitas et miseria hominis, shkruar për katërqindvjetorin e lindjes së njeriut, që ishte edhe matematikan e fizikan. Letra u botua sot, ditën e përvjetorit të lindjes së tij.

"Madhështia dhe mjerimi i njeriut" - shpjegon Papa - formojnë paradoksin, në qendër të reflektimit dhe mesazhit të Paskalit, jeta e të cilit përmblidhet në këto data kryesore: i lindur më 19 qershor 1623 në Clermont, në Francën qendrore, vdiq në moshën 39-vjeçare, më 19 gusht, 1662, në Paris. Ndërmjet këtyre dy datave, trashëgimia jashtëzakonisht e pasur e këtij njeriu e filozofi të pashoq!

Pyetja e lashtë e shpirtit: "Çfarë është njeriu?"

Që në fëmijëri dhe gjatë gjithë jetës së tij - kujton Françesku - "ai e kërkoi të vërtetën" dhe "shenjat e saj”, veçanërisht në fushën e matematikës, gjeometrisë, fizikës dhe filozofisë". “Që heret, bëri zbulime të jashtëzakonshme”, ndonëse nuk mbeti i kënaqur me vetveten, në një shekull përparimi të madh shkencor. I shoqëruar nga fryma e skepticizmit filozofik dhe fetar në rritje, Pascal “dëshmoi se ishte kërkues i palodhur i së vërtetës”, gjithmonë "i shqetësuar", i tërhequr "nga horizonte të reja dhe të mëtejshme". Për këtë arsye ai nuk mund të heshtëte para pyetjes së lashtë për shpirtin e njeriut, që vijon ta bëjë në shekuj psalmisti, duke iu drejtuar Zoti në lutje: "Çfarë është njeriu, që ti ta kujtosh, e biri njeriu, që të kujdesesh për të?". "Asgjë, në krahasim me pafundësinë, e gjithçka, në krahasim me asgjënë". Kështu shkroi në një meditim botuar në “Mendimet” (Pensieri) e tij, njëheresh me fragmente të botuara pas vdekjes, shënime ose boca të një filozofi të frymëzuar nga një projekt teologjik.

Është prekëse, shkruan Françesku, që një mendimtar i shkëlqyer si Paskali, në fund të jetës së tij, "nuk sheh asnjë urgjencë tjetër përveç asaj të vënies së energjive në shërbim të veprave të mëshirës”.

Objekti i vetëm i Shkrimit është dashuria hyjnore

Matematikan, fizikan dhe shpikës i mrekullueshëm që në moshë të re, Blaise Pascal, me origjinë nga Clermont-Ferrand, frekuentonte dikur sallonet libertine të Parisit, përpara se të afrohej më shumë me lëvizjen Janseniste, e cila më pas do të zhvillohej rreth abacisë së Port-Royal. Ai madje  nisi të mbrojë partinë zhanseniste, kundër jezuitëve, në Provincialet e tij. Papa Françesku është Papa i parë i Shoqërisë së Jezusit, që e kritikoi vazhdimisht një formë të neo-zhansenizmit në Kishën aktuale, duke kujtuar sulmet e Paskalit në vitin 2014, kur i përshkroi të krishterët si “njerëz që e njohin doktrinën, por që nuk kanë fe".

Në favor të lumnimit të Pascal

Në vitet e tij të fundit, Pascal filloi të shkruante një Apologji për fenë e krishterë, por nuk qe në gjendje ta përfundonte para vdekjes. Fragmentet e këtij projekti të madh të papërfunduar u mblodhën së bashku në “Pensées” (Mendime, 1670, vepër postume)

 Ky tekst, sipas Papës, është një "libër i mrekullueshëm dhe interesant fetar".

Gjatë njërës nga audiencat e përgjithshme të vitit 2020, Papa Françesku citoi edhe Memorialin, lutje e shkurtër, që filozofi ishte kujdesur ta qepte në rrobat e tij, në vitet e fundit të jetës, pas një përvoje mistike kthimi në fe.

Dëshira për të vdekur në shoqërinë e të varfërve

Papa pati lexuar edhe një fragment, përmes të cilit kërkonte:

“Zotin e Abrahamit, Zotin e Isakut, Zotin e Jakobit, Zotin e Jezu Krishtit, jo filozofë dhe studiues. Siguri, siguri, ndjenjë, gëzim, paqe. Zotin Jezu Krisht”.

Në prag të vdekjes, shkruan një nga biografët e tij, kishte dëshirë të madhe të shuhej në shoqërinë e të varfërve. Pas marrjes së sakramenteve, fjalët e tij të fundit ishin: “Zoti mos më braktistë kurrë”.

Të ecim mbi gjurmët e Pascal, në kërkim të Zotit!

Dëshira e Papës është që "vepra e tij e ndritur dhe shembujt e jetës së tij, të pagëzuar aq thellë në Jezu Krishtin", të mund të na ndihmojnë "të ecim deri në fund në rrugën e së vërtetës, të kthimit dhe të bamirësisë".

Sipas shkrimtarit Éric-Emmanuel Schmitt, Papa ia përsëriti këtë lutje atij "përmendsh" gjatë një audience, më 14 nëntor 2022.

Në një intervistë me Eugenio Scalfari-n, themeluesin e ndjerë të gazetës italiane La Repubblica në vitin 2017, Papa Françesku tha se mendonte ‘personalisht’ që Pascali të lumnohej".

Në vitin 2019, studentë të Ecole Normale Supérieure në Paris themeluan Shoqatën e Miqve të Blaise Pascal për të mbrojtur kauzën e tij, por procesi për lumnim nuk është nisur ende nga kryedioqeza.

Shembulli i Tij na ndihmoftë…

Letra Apostolike “Sublimitas et miseria hominis” e Papës  i hap rrugën realizimit të dëshirës së kahmotshme të Françeskut për ta lartuar Filozofin e madh francez në nderimet e altarit. Kështu vepra e tij, thellësisht e pagëzuar në Krishtin, do të mund t’i ndihmojë gjithë të krishterët për ta përshkuar deri në fund të fundit udhën e së vërtetës, të pendimit, të mëshirës e të dashurisë së krishterë!

19 qershor 2023, 13:33