Kërko

Audienca e Papës me gjykatësin Mohamed Abdelsalam Audienca e Papës me gjykatësin Mohamed Abdelsalam

Klima dhe Cop28, fetë e botës së bashku për të mbrojtur planetin

Gjatë një audience më 29 maj, Françesku u takua me gjykatësin Abdelsalam dhe me autoritete nga Emiratet e Bashkuara Arabe për një nismë, që synon të vlerësojë rolin e feve në gjetjen e zgjidhjeve praktike për t’u bërë ballë pasojave të ndryshimeve klimatike

R.SH. – Vatikan

         Jo vetëm politika, ose shoqëria civile. Edhe fetë janë dhe duan të jenë protagoniste në mbrojtjen e Tokës. Ky është objektivi i nismës së diskutuar disa ditë më parë nga Papa me gjyqtarin Mohamed Abdelsalam, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Musliman të Pleqve në Emiratet e Bashkuara Arabe, si edhe me ambasadorin Majid Al-Suwaidi, drejtor i përgjithshëm dhe përfaqësues i posaçëm i presidencës së COP28. Takimi i ardhshëm për klimën do të mbahet pikërisht në këtë vend, në fund të vitit, nga 30 nëntori deri më 12 dhjetor.

         Gjatë audiencës, e cila u zhvillua në Shtëpinë e Shën Martës më 29 maj, lexohet në një komunikatë, u fol mbi nismën e përbashkët, që ka të bëjë me përballimin e pasojave të ndryshimeve klimatike, në përgatitje të Cop28. Fetë, përmes institucioneve të tyre, duke përfshirë edhe krerët e organizatat e shoqërisë civile, duan të kontribuojnë në arritjen e objektivave të Samitit mbi klimën.

         Për këtë, ato “do të bashkohen – vijon nota – që të arrihet objektivi për mbrojtjen e Tokës, të shtëpisë sonë të përbashkët”. Nisma "synon rritjen e rolit të feve në krijimin e një ure komunikimi ndërmjet kombeve, kulturave dhe individëve dhe hapjen e horizonteve të reja të veprimit” në favor të klimës. Në këtë projekt, nënvizohet, besohet fuqimisht “në rëndësinë e rolit të krerëve dhe të institucioneve fetare në promovimin e zgjidhjeve praktike për të përballuar pasojat e dëmshme të ndryshimeve klimatike".

         Gjatë audiencës, përfundon deklarata, “u shqyrtua edhe mundësia e krijimit të një pavioni për dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor në Cop28. Kjo hapësirë ​​mund t'i kushtohet mirëkuptimit fetar e shkëmbimit të njohurive, duke shërbyer si platformë për dialogun ndërmjet feve dhe kulturave dhe duke theksuar rolin vendimtar të perspektivave dhe të vlerave fetare në trajtimin e krizës klimatike".

01 qershor 2023, 16:57