Kërko

Dy Papë Dy Papë  (ANSA)

Kard. Herranz: Françesku e Benedikti më përforcuan me virtytet e tyre

Kardinali spanjoll Herranz publikon kujtimet e tij me “Dy Papët”: “I nderuar nga miqësia e tyre personale”. Në parathënie, Papa Françesku falenderon Kardinalin Herranz për punën si "njeri i Kishës".

R. SH. - Vatikan

"Dy Papë", dëshmi e përparimit të Kishës në dekadat e fundit, është libër me kujtime, që kardinali Julián Herranz Casado ia kushton përvojës në shërbim të Benediktit XVI dhe Françeskut. Parathënia, nënshkruar nga Papa Françesku, është falënderim për “punën dhe mundin” e autorit. Në të kujtohen çastet e kaluar me kardinalin Herranz, të cilin e cilëson “njeri i Kishës, me zemër kishtare”.

Gjashtë dekada në shërbim të gjashtë papëve

Françesku kujton një anekdotë: pas Konklavit, në të cilën u zgjodh Benedikti XVI, kardinali Herranz ftoi kardinajt Hummes e Bergoglio. Një takim, shkruan Papa, nga i cili "dolëm të përforcuar falë personalitetit të tij si një njeri i Kishës, njeri me zemër kishtare". Njëzet e një kapituj:  përshkrim i hollësishëm nga papnia e Benediktit XVI, në atë të Françeskut, si dhe kujtimi i papëve të tjerë që ndikuan mi jetën e autorit. Ndër temat e trajtuara, edhe ato të diskutueshme: Vatileaks, pedofilia, reformat, dorëheqja e një pape, madje edhe armiqësitë kundër Papës. "Përmes një ledhatimi të Provanisë - për të cilin jam shumë mirënjohës çdo ditë - pata fatin e papërfytyrueshëm t’u shërbej gjashtë papëve në Vatikan, që nga viti i largët 1960, deri më sot. Jo më pak se gjashtë dekada... dhe posaçërisht dy të fundit, të pabotuara – shkruan kardinali në librin e tij.

Dy papë: fytyra e Jezusit të Nazaretit

Kardinali Herranz shpjegon në veçanti se "Benedikti XVI dhe Françesku  reflektojnë, secili në mënyrën e vet, sipas Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, mbi fytyrën miqësore dhe mësimet e gëzueshme të Jezusit të Nazaretit, pavarësisht nga dallimet e supozuara doktrinore, të cilat disa i ekzagjerojnë, duke nisur nga ideologjitë kundërshtare dhe ekstremiste, ose thjesht për shkak të interesave të përkohshme të natyrës socio-politike”. “E takova kryeipeshkvin e Mynihut, Joseph Ratzinger, në qershor të vitit 1977, sapo u emërua kardinal - kujton në vijim – Ndërsa miqësia me kardinalin Bergoglio, kryeipeshkëv i Buenos Ajres, nisi gjatë konklavit të vitit 2005, kur u zgjodh Kardinalin Ratzinger - Benedikti XVI - vijon autori. E më tej, nënvizon: “Dy papët më lartuan më shumë se sa meritoj me virtytet e tyre, më nderuan me miqësinë e besimin e tyre personal e edhe me gjestet prekëse”.

Benedikti XVI, Atë i Kishës

Kardinali Julián Herranz, duke e përshkruar Benediktin XVI si "Atë i Kishës për shekullin XXI", cek faktin se karakteristikat e tij personale "e rilidhin, në përmasën e dyfishtë intelektuale dhe baritore, me Etërit e Kishës, të cilët i jetuan ngjarjet dhe aspektet kishtare dhe shoqërore të shekujve të parë të krishterimit me qartësi të veçantë doktrinore dhe me ndjenjë të thellë përgjegjësie baritore”. Për autorin, edhe Benedikti XVI është  bari universal, që përballoi vendosmërisht krimet shumë të rënda të abuzimit të fëmijëve: "Ratzinger trajtoi për herë të parë në Selinë e Shenjtë mundësinë për të rishqyrtuar normat gjyqësore kanunore dhe baritore kundër këtyre krimeve shumë të rënda, për të lehtësuar zbatimin dhe për të evituar praktikat e gabuara të ndjekura deri atëherë”.  Ishte Papa i parë - dëshmon Herranz - i cili "gjatë udhëtimeve të tij baritore deshi të takohej me viktimat e këtyre krimeve dhe t’i dëgjonte". Këtë thekson, për të shkruar, më pas: "Me çfarë zelli dhe këmbënguljeje, së pari kardinali Ratzinger - më pas Benedikti XVI - e mori mbi vete përgjegjësinë baritore operative për ta nxjerrë në pah dhe për ta shëruar këtë plagë të jashtëzakonshme në shpirtin e viktimave dhe në të gjithë Popullin e Zotit".

Benedikti XVI dhe Françesku: afërsia e dy papnive

 Në librin e tij "Dy Papë", Kardinali Herranz Casado nënvizon edhe afërsinë dhe vazhdimësinë e magjisterit të Benediktit XVI tek Françesku: "Veçanërisht në enciklikat Laudato si' dhe Fratelli tutti, ai është në përputhje me ndjeshmërinë dhe shqetësimin e Benediktit. Zoti Krijues dhe Atë është në të njëjtën kohë ai që i jep dinjitet teologjik natyrës së krijuar dhe që na bën vëllezër e motra”. “Kjo, dhimbja e madhe e Papës përballë “luftës sakrilegje” në Ukrainë dhe shumë të tjerave që e bëjnë ideologjinë e kainizmit në mënyrë djallëzore të pranishme në botë”, shkruan kardinali, duke pasur parasysh shqetësimin dhe përkushtimin e madh të Françeskut në kërkim të paqes.

Françesku, Papa "i dashuruar" me të varfërit

Nga takimet personale me Françeskun, si dhe nga shkëmbimi i letrave personale, kardinali spanjoll kujton me emocion Papën e “dashuruar”, i cili që në ditët e para të papnisë deshi të shkonte në Lampeduza për të shoqëruar ata që vuanin nga mbytja e emigrantëve: “Personalisht, e vlerësova me entuziazëm idenë e udhëtimit të tij të parë baritor – ‘si njeri i dashuruar’ – e jo si ‘kryetar shteti’, por si ‘vikar i Krishtit’, i cili i dha përparësi shërbimit ndaj të varfërve, shkoi për të 'provuar me ta dhimbjen dhe ankthin e të krishtërve të panumërt, të fshikulluar nga mungesa e paqes dhe e punës". E kujton edhe lutjen e zjarrtë në Sheshin e Shën Pjetrit, drejtuar Zotit, për njerëzit e prekur nga pandemia në viset e mbarë botës.

04 qershor 2023, 11:45