Kërko

Papa Francesco durante la sosta alla sede de "Il Messaggero" nel 2018 Papa Francesco durante la sosta alla sede de "Il Messaggero" nel 2018

Papa: Jubileu 2025, jo thjesht fakt fetar, por ngjarje rilindjeje

Papa u shkruan drejtuesve të së përditshmes italiane “Il Messaggero”, që kremton 145 vjetorin e veprimtarisë:  të nxitet përmasa etike e gazetarisë, në një epokë kur ka shumë fake news - domethënë,  lajme të rreme. Viti Shenjt, çast që rindez shpresën për një botë më vëllazërore!

R.SH. / Vatikan

 Pothuajse një shekull e gjysmë për të rrëfyer Romën, Italinë dhe botën - në një epokë lajmesh në të cilën informacioni i përpiktë dhe i saktë përzihet, veçanërisht në internet, me tymin e lajmeve të rreme – do të vërshojë në Romë për Jubileun 2025, ngjarje që synon të përhapë kudo mesazhin universal të fesë e të shpresës. Gërshetohen puna gazetareske - ajo e Il Messaggero që ka arritur pragun e 145 viteve të veprimtarisë - me  pritjet për Vitin e Shenjtë të ardhshëm - në rreshtat dërguar nga Papa drejtuesve të gazetës romake.

Pol tërheqjeje

Nga shekulli i 19-të e deri më sot, "pikë e fortë e gazetarisë dhe informacionit"- kështu e quan Françesku gazetën - duke i ftuar gazetarët të "kujdesen dhe ta vlerësojnë posaçërisht" "përmasën etike" të këtij profesioni, pasi, vëren,  "jetojmë në një stinë shoqërore e kulturore, në të cilin bëhet gjithnjë e më e vështirë ta dallosh të vërtetën nga lajmet e rreme”. Më pas  kalon në ngjarjen jubilare, që do të ketë një përmasë globale në të cilën, shkruan,  “Qyteti i Amshuar do të bëhet edhe një herë poli i tërheqjes për rinisjen e mesazhit të krishterë dhe rindezjen e shpresës në zemrat e atyre që, të ngarkuar me mundimet e jetës dhe me shpresat e shpirtit, do të vijnë si  shtegtarë”

 Rilindje etike

Thelbi i Vitit të Shenjtë - kujton Papa - ka të bëjë me pajtimin e Zotit me njerëzimin, një çast në të cilin do të coptohen "zinxhirët e së keqes, të skllavërisë dhe të dhunës, që e shpërfytyrojnë bukurinë e dinjitetit njerëzor" me sigurinë - kujton - se Zoti i dhimbjes dhe i mëshirës vjen të na vizitojë dhe të na pajtojë”. Françesku ripohon gjithashtu se në qëllimin e tij për të "nxitur një vizion më të drejtë dhe më vëllazëror të shoqërisë" dhe "ndërtimin e një bote më solidare e, mbi të gjitha, më humane", jubileu nuk ka "vetëm vlerën fetare, por edhe e sidomos, etikën e rilindjes morale, shoqërore dhe kulturore”.

Një ngjarje pra "e aftë për të shëruar plagët e shkaktuara nga padrejtësia dhe format e ndryshme të dhunës, për të kapërcyer pabarazitë ekonomike dhe diskriminimin, për të rivendosur një klimë kolektive besimi dhe shprese dhe për të nisur proceset e rritjes së gjithanshme njerëzore, me një vëmendje të veçantë tek më të brishtët dhe më të pambrojturit”.

Këtu, përfundon Françesku në letrën e tij drejtuar gazetës Messaggero, është "urgjenca" e "të jetuarit të Jubileut të ardhshëm me entuziazëm dhe pjesëmarrje, gjë që mund të favorizojë shumë rikrijimin e shpresës së re e të besimit të ri".



19 qershor 2023, 16:37