Kërko

Francesco e Gjoni XXIII Francesco e Gjoni XXIII 

Gjashtëdhjetë vjet më parë vdiq Gjoni XXIII: profet i Kishës pranë njerëzve

Më 3 qershor 1963, Radio Vatikani dha lajmin për vdekjen e Papës Roncalli, Ipeshkëv i Romës që nga tetori 1958. Në vjeshtën e vitit 1962 pati hapur Koncilin e Dytë të Vatikanit, përfunduar nga pasuesi i tij, Pali VI. Ekspert i diplomacisë, Papa Gjon XXIII ishte Bari me zemër të madhe!

R. SH. - Vatikan

Papa i Koncilit II të Vatikanit, i krizës së raketave kubane, i dialogut dhe i ekumenizmit. Ipeshkvi i sjellshëm, i thjeshtë i Romës, Papa i “përkëdheljes për fëmijët”, i vizitës në burgun Regina Coeli... Gjoni XXIII u ul në fronin e Shën Pjetrit më 28 tetor 1958. Papnia e tij do të zgjaste më pak se pesë vjet e sot kujtohet përvjetori i gjashtëdhjetë i vdekjes së tij, në mbrëmjen e 3 qershorit 1963. Do të shpallej shenjt nga Françesku më 27 prill 2014, së bashku me Gjon Palin II - Papën Vojtila, pasi e pati shpallur të Lum, më 3 shtator 2000.

Lajmi i vdekjes

Lajmin për vdekjen e tij e dha Radio Vatikani, në lidhje me Radio Televizionin Italian: "Të prekur thellë në shpirt, po japim një lajm shumë të trishtuar: Papa Gjoni XXIII vdiq. Papa i mirësisë vdiq shenjtërisht dhe  qetësisht, pasi mori sakramentet sonte, 3 qershor 1963, në orën 19:49”.

Diplomat me zemër të madhe

Roncalli ishte Papa, që hapi Koncilin II të Vatikanit. Data e zgjedhur për kujtimin e tij liturgjik kujton pikërisht këtë hapje, 11 tetorin 1962. Vjen ende mes nesh jehona e fjalëve të thëna atë mbrëmje, në fund të Mbrëmësores së pishtarëve, kur ai u kërkoi prindërve t’u çonin fëmijëve përkëdheljet e Papës.

Mbeti në kujtesën e mbarë botës si njeri me përvojë të madhe në fushën e diplomacisë, me zemër të madhe, profet i Kishës pranë popullit. Ishte njeri "i shpresës, i atyre që janë të vendosur dhe dinë të kapin shenjat e kohës, duke na kujtuar se ilaçi është më i dobishëm se dënimi!”.

Pacem in Terris

Kështu titullohet enciklika e Gjonit XXIII, tejt aktuale për të gjitha kohët, posaçërisht për sot. Na kujton ndërhyrjen e Papës së Mirë për të shmangur  ndeshjen Kubë-Shtetet e Bashkuara, me rrezikun e përdorimit të raketave me koka bërthamore, që mund të godisnin Uashingtonin dhe qytetet kryesore amerikane. Luftë atomike, e cila u shmang për ca kohë. Sot, 60 vjet më vonë, rreziku riduket dramatikisht në horizont.

Papa Françesku dhe Enciklika “Pacem in Terris”

Enciklika Pacem në Terris e prillit 1963, nënshkruar nga Papa dy muaj para vdekjes së tij, është tepër aktuale - kujtoi Françesku më 12 prillin e kaluar, në fund të audiencës së përgjithshme.

"Një vështrim i qetë, në mes të reve të errëta". Ishte "Shikim i qartë" Pacem in Terris, enciklika e paqes që Gjoni XXIII e botoi më 11 prill 1963, në çastet e fundit të papnisë së tij: “Re të errëta” ishin ndeshjet politike dhe ushtarake ndërmjet dy mbifuqive kryesore fitimtare të Luftës II Botërore, që e mbajtën frymën e botës pezull në pritje të rrezikut bërthamor. Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Françesku e kujtoi kështu dokumentin e rëndësishëm të Papës Ronkali:

“Dje ishte përvjetori i gjashtëdhjetë i enciklikës Pacem in Terris, të cilën Shën Gjoni XXIII ia drejtoi Kishës dhe botës në kulmin e tensionit ndërmjet dy blloqeve kundërshtare në të ashtuquajturën Luftë e Ftohtë. Papa hapi para të gjithëve horizontin e gjerë, në të cilin mund të flitet për paqen dhe të ndërtohet paqja, për planin e Zotit, për botën dhe familjen e tij njerëzore”.

Mesazh "tejet aktual”

Për Françeskun, ajo enciklikë "ishte bekim i vërtetë, një copëz qiell i kaltër, në mes të reve të zeza". Mesazhi vijon të jetë tejet "aktual” - nënvizon Papa, duke cituar një fragment të tërë, pikën 62:

"Marrëdhëniet ndërmjet bashkësive politike, si ato ndërmjet njerëzve, nuk duhen rregulluar duke përdorur forcën e armëve, por dritën e arsyes; domethënë, të vërtetën, drejtësinë, solidaritetin veprues”.

Ftesë, krerëve të kombeve

Papa i ftoi besimtarët, burrat dhe gratë vullnetmira, ta lexojnë “Pacem in Terris":

“Lutem që udhëheqësit e kombeve të frymëzohen prej kësaj thirrjeje, në projektet dhe vendimet e tyre”.

03 qershor 2023, 14:58