Kërko

Pjesëmarrësit në Asamblenë e Përgjithshme të Veprave Papnore Misionare Pjesëmarrësit në Asamblenë e Përgjithshme të Veprave Papnore Misionare  (Vatican Media)

Françesku, Pom-it: misioni nuk është punë parash, por përshpirtërie

Në fjalën drejtuar pjesëmarrësve në asamblenë e përgjithshme të Shoqatave të Misionit Papnor, Françesku nënvizoi se shërbimi i kryer nga kjo strukturë nuk është i "një agjencie të shpërndarjes së fondeve për ata që kërkojnë ndihmë", por i një "realiteti të thirrur për të mbështetur misionin ungjillëzues në Kishën universale": zemra e misionit është "të shkojmë tek të gjithë, pa përjashtuar askënd".

R. SH. - Vatikan

Misioni i vërtetë është të vazhdojmë veprën e Jezusit, që na tregoi "zemrën e Zotit", Atë, i cili na pret gjithmonë dhe që vjen të na takojë "krahëhapur". Këtë nënvizoi Papa Françesku gjatë takimit me pjesëmarrësit e asamblesë së përgjithshme të Shoqatave të Misionit Papnor, rrjet universal lutjesh dhe bamirësie në shërbim të Papës dhe të Kishës, për ungjillëzimin. Duhet të vazhdojmë ta dëshmojmë - shtoi Françesku - atë që na e tregoi Jezusin gjatë gjithë jetës së tij:

“Dërgohemi për të vazhduar këtë mision: të jemi shenjë e Zemrës së Krishtit dhe e dashurisë së Atit, duke përqafuar gjithë botën. Këtu e gjejmë ‘zemrën’ e misionit ungjillëzues të Kishës: t'u afrohemi të gjithëve me dhuratën e dashurisë së pafund të Zotit, t’i kërkojmë të gjithë, t’i mirëpresim të gjithë, të japim jetën për të gjithë, pa përjashtuar askënd. Për të gjithë. Kjo është fjala kyçe. Kur Zoti na tregon për atë dasmën, që shkoi keq se nuk erdhën të ftuarit: njëri pse kishte blerë një lopë, tjetri pse duhej të udhëtonte, tjetri pse u martua... çfarë na thotë Zoti? Shkoni në udhëkryq, e atje ftojini të gjithë, të gjithë: të shëndetshëm dhe të sëmurë, të këqij, të mirë, mëkatarë... të gjithë, të gjithë. Kjo është në qendër të misionit: që të gjithë. Pa përjashtuar askënd. Të gjithë!”.

 Shpirti para parave

Thirrja e Shoqatave të Misionit Papnor - shpjegoi Françesku - është të jenë "mjete për të promovuar përgjegjësinë misionare të çdo personi të pagëzuar dhe për të mbështetur Kishat e reja të veçanta". Pom - nënvizoi - "nuk janë thjesht  agjenci e shpërndarjes së fondeve për ata që kanë nevojë për ndihmë, por realitet i thirrur për të mbështetur misionin ungjillëzues në Kishën universale".

Ju lutemi, mos i reduktoni Pom-ët në para. Ky është mjet. Duhen paratë, po, por mos i reduktoni deri në këtë pikë. Janë më të mëdha se paratë. Paratë na duhen për të ecur përpara. Por po të mungojë përshpirtëria kjo mbetet vetëm një sipërmarrje parash, pas së cilës vjen menjëherë korrupsioni. E kemi parë, e edhe sot në gazeta shohim shumë histori  korrupsioni, të pandehura si të natyrës misionare të Kishës.

 Ëndërrim me sy të hapur

Duke folur për perspektivat dhe ëndrrat për rinovim, Papa Françesku  u kërkoi të pranishëmve:

“Së fundi, më lejoni të ëndërroj me ju ‘me sy hapur’, domethënë të shikoj larg, drejt atyre perspektivave që PMS janë thirrur të ndjekin në shërbim të misionit ungjillzues të të gjithë Kishës. Ëndrra më e madhe është ajo e bashkëpunimit misionar gjithnjë e më të ngushtë dhe më të koordinuar ndërmjet të gjithë anëtarëve të Kishës”.

Thirrje - përfundoi Papa - e cila kërkon "qëndrim të veçantë për të kultivuar bashkësinë dhe vëllazërinë". E kjo arrihet edhe nëpërmjet strukturave “të ngritura në të gjitha Konferencat dhe Dioqezat Ipeshkvnore për të mirën e mbarë Popullit të Zotit”.

03 qershor 2023, 15:09