Kërko

Tërmeti në Turqi e Siri Tërmeti në Turqi e Siri

Françesku me ROACO-n: afërsi për Ukrainën e ndihma në Turqi, Eritre, Iran

Papa pret pjesëmarrësit në seancën plenare të ROACO-s, por ua dorëzon fjalimin, duke shpjeguar se nuk "merr frymë mirë", pasi ende i ndien “pasojat e anestezisë” pas operacionit. Në tekst, Ati i Shenjtë i nxit anëtarët e ROACO-s të vazhdojnë, me fakte, solidaritetin me zonat e plagosura të botës. Në veçanti, kërkon ndihma për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri: "Shumë premtime, por është ende e vështirë të dërgohet ndihma përmes sistemeve bankare"

R.SH. – Vatikan

Nuk e lexoi fjalimin e përgatitur, duke shpjeguar se ishte “ende nën efektin e anestezisë së plotë” të operacionit të 7 qershorit në spitalin Gemelli. "Nuk marr frymë mirë", u tha Papa Françesku anëtarëve të ROACO-s (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore) dhe atyre të Konferencës Rinore, mbledhur në seancë plenare në Romë, nga 19 deri më sot, 22 qershor, për të bërë një bilanc të vështirësive që po përjetojnë në shumë vende, veçanërisht në Tokën Shenjte, Eritre, Turqi dhe Iran. Papa, duke pohuar se ishte "i lumtur për këtë vizitë", ua dorëzoi tekstin e përgatitur, në të cilin vë në pah "solidaritetin e frytshëm" të organizmit, “që ndihmon në shërimin e plagëve dhe është përkëdhelje për fytyrën e të vuajturve". Prandaj, i inkurajon anëtarët e të rinjtë të vazhdojnë punën në trojet më të plagosura të botës, aty ku nuk duhet të mungojë “afërsia konkrete, lutja e bamirësia”, sidomos, me popullin martir ukrainas.

Pranë popullsisë ukrainase dhe viktimave të tërmetit

Françesku vlerëson "impenjimin e madh" të Roaco-s, "për të mbështetur të zhvendosurit brenda vendit dhe refugjatët" nga Ukraina, për të cilët vetë Ipeshkvi i Romës themeloi para disa vitesh, nismën “Papa për Ukrainën”, duke vijuar ndërhyrjet e tij edhe më vonë. Gjithashtu, vë në dukje kontributin e rëndësishëm të Bashkimit të Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore në "shërimin e plagëve të tërmetit në Turqi dhe në Siri”. Janë bërë shumë premtime, shkruan Ati i Shenjtë, por është ende e vështirë të përdoren sistemet normale bankare për të dërguar ndihma. Papa nuk harron as “projektet e ndihmës në Iran, Turqi dhe Eritre", duke iu lutur Zotit “t’u dhurojë qetësi banorëve të atyre vendeve”.

Pritshmëritë e të rinjve të Kishave Lindore

Në fjalimin e dorëzuar, Françesku ndalet gjithashtu, në një nga temat qendrore të seancës plenare të Roaco-s: "pritshmëritë e të rinjve të Kishave Lindore". “Të rinjtë duan të jenë protagonistë”, sidomos në ato vende ku puna për të mirën e përbashkët “është kusht thelbësor për mbijetesë". Papa i këshillon anëtarët e Konferencës Rinore: "Bëhuni rojtarë të paqes për të gjithë, profetë që ëndërrojnë dhe shpallin një botë ndryshe, jo më të ndarë!".

22 qershor 2023, 15:26