Kërko

Papa: jo, ekonomisë që prodhon hedhurina, duhet kërkuar e mira e të gjithëve

Papa përmendi Enciklikat Laudato si' e Fratelli tutti, nxitja Evangelii Gaudium, poetin milanez, Neri, për t’i thënë "jo" ekonomisë që "vret" dhe që prodhon “hedhurina”. Pastaj kujtoi Ungjillin dhe paralajmërimin e Jezusit për të mos u shërbyer "dy zotërinjve" e për t’u ruajtur nga "pasojat shkatërruese të perandorisë së parave": shpërngulje të detyruara, migrim, trafik njerëzish, drogë, luftë, dhunë. Kujtoi sfidën e ndërtimit të një bote ku "secili mund të gjejë vendin e vet"

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku, duke pritur sot Fondacionin Centesimus Annus në tridhjetë vjetorin e themelimit, i falënderoi anëtarët për angazhimin në përhapjen e Doktrinës Shoqërore të Kishës, duke i nxitur të kontribuojnë në përtëritjen e vazhdueshme të bashkësisë në të cilën ecin së bashku në rrugën drejt paqes”. Papa  Bergoglio kujton paralajmërimin e Jezusit në Ungjill: "O shërbeji Zotit ose, nëse je shërbëtor i parasë, nuk je i lirë".

Citoi enciklikat e tij Laudato si' dhe Fratelli tutti, nxitjen Evangelii Gaudium e edhe ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Paolo Grossi si dhe poetin milanez, Giampiero Neri, Papa Françesku, për t’i thënë "jo"  ekonomisë që "vret" dhe që prodhon “hedhurina”. Pastaj kujtoi Ungjillin dhe paralajmërimin e Jezusit për të mos u shërbyer "dy zotërinjve" e për t’u ruajtur nga "pasojat shkatërruese të perandorisë së parave": shpërngulje të detyruara, migrim, trafik njerëzish, drogë, luftë, dhunë. Më pas rikujtoi sfidën e ndërtimit të një bote ku "secili mund të gjejë vendin e vet".

Një komunitet që di t'i japë zë të pazërit është ajo që na duhet të gjithëve.

Angazhimi për të përhapur Doktrinën shoqërore të Kishës

Papa Françesku priti anëtarët e Fondacionit Centesimus Annus pro Pontifice, i cili këtë vit feston tridhjetëvjetorin e themelimit të tij me një konferencë ndërkombëtare në Vatikan, që nisi sot, më 5 qershor, me titull "Kujtesa për të ndërtuar të ardhmen: të menduarit dhe të vepruarit terma të bashkësisë". “Gjithçka filloi pas enciklikës së Shën Gjon Palit II të shkruar me rastin e njëqindvjetorit të enciklikës historike Rerum novarum   të Leonit XIII. E angazhimi juaj nisi pikërisht në këtë rrugë, në këtë ‘traditë’- kujtoi Françesku:

“Si angazhim për të studiuar dhe për të përhapur Doktrinën shoqërore të Kishës, duke u përpjekur të dëshmohet se nuk është thjesht teori, por mund të bëhet stil jetese të virtytshme, me të cilin mund të rriten shoqëri të denja për njeriun”.

Në fjalën e tij, Papa kujtoi tematikat e mëdha, në qendër të punës së fondacionit, në këto tri dekada: “Qendërsia e personit, e mira e përbashkët, solidariteti dhe ndihma”. Sfida "që u shndërruan në veprime konkrete", rifilluar me "kontributet" që Françesku u përpoq t'i japë zhvillimit të doktrinës sociale gjatë dhjetë vjetëve të papnisë.

Të jetosh ekonominë në mënyrë jo të shëndetshme

Tema e ekonomisë është qendrore për angazhimin e Centesimus Annus. Në këtë drejtim, Papa kujtoi Evangelii gaudium për të paralajmëruar "rrezikun e të jetuarit të ekonomisë në një mënyrë jo të shëndetshme". “Kjo ekonomi vret” – pati thënë në vitin 2013 - duke denoncuar “modelin ekonomik, i cili prodhon mbeturina dhe favorizon atë, që mund të përkufizohet si globalizimi i indiferencës”. Nuk ka ndryshuar shumë që atëherë, kështu që nevojitet e njëjtja përpjekje:

“Shumë prej jush punojnë në fushën ekonomike: e dini mirë, prandaj, sesa i dobishëm mund të jetë për të gjithë përfytyrimi i një realiteti, që e vë njeriun në qendër, nuk e shpërfill punëtorin dhe përpiqet të krijojë të mira për të gjithë”.

Më pas Papa u ndal tek kujdesi për mjedisin dhe shqetësimi për të varfërit, që qëndrojnë, ose bien së bashku.

O shërbëtorë të Zotit, o shërbëtor të parave

Prej këndej Papa u përqendrua tek "të menduarit dhe të vepruarit me termat e bashkësisë", që i jep titullin konferencës së Fondacionit. Duke folur lirisht, jashtë tekstit, për paratë, Papa citoi fragmentin e Ungjillit, në të cilin "Jezusi na kujton se  nuk mund të jesh shërbëtori i dy zotërinjve: ose i shërben Zotit, ose i shërben … prisja të thoshte djallit... Po nuk thotë djallit, thotë parasë”. Ose i shërben Zotit, ose parasë. Që është me keqe se vetë djalli.

Mendimi i Grossi-t

 Në fjalimin e Papës ishte edhe mendimi i “juristit të madh italian, Paolo Grossi”, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, që vdiq vitin e kaluar. “Bashkësia është gjithnjë shpëtim për të dobëtit; u jep zë edhe atyre që nuk kanë fare zë” - shkruante në Grammatiche del diritto:

“Ndoshta, që bashkësia të bëhet vërtet vend ku i ligshti e i pa zëshmi mund të ndihen të mirëpritur dhe të dëgjuar, duhet që të gjithë ta bëjnë atë ushtrim, të cilin mund ta quajmë ‘krijimi i hapësirës’. Secili pikturon nga pak "un-in" e tij, dhe kjo e lejon tjetrin të ekzistojë”.

Por për ta bërë këtë - vërejti Papa Françesku - “baza e  komunitetit duhet të jetë etika e dhuratës dhe jo ajo e shkëmbimit.

 Vargjet e Nerit

Për këtë fliste poeti milanez, Giampiero Neri, që u nda kohët e fundit nga jeta e që shkruante: “Thuhet për disa njerëz se kur hyjnë në një dhomë, e zënë të tërën. Duhet të besoj se kur largohen, lënë një zbrazëti të madhe. Por përkundrazi, mendoj se janë njerëzit e përulur, të heshtur ata që lënë   boshllëk të madh, që zënë vetëm hapësirën e nevojshme e që na bëjnë  t’i duam”.

Lini hapësirë edhe për të tjerët

E atëhere - përfundoi Papa - duhet “të mendojmë dhe të veprojmë si bashkësi, domethënë “të krijojmë vend për të tjerët”. E kjo do të thotë “të imagjinojmë dhe të punojmë për një të ardhme ku secili të gjejë vendin e vet dhe të ketë hapësirën e vet në botë”. Prandaj duhet edhe “të kontribuojmë për një mendim dhe një veprim që favorizon rritjen e bashkësisë, në të cilin të ecim së bashku në rrugën e paqes”.

05 qershor 2023, 14:14