Kërko

Lutja e Engjëllit Lutja e Engjëllit 

Françesku: afërsi dhe lutje për familjen e Emanuela Orlandit

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Françesku iu drejtua një grupi njerëzish, ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit me pankarta dhe foto të vajzës së zhdukur në vitin 1983, duke kujtuar familjet e të gjithë njerëzve të zhdukur pa gjurmë. Nuk i harroi as viktimat e revoltës në një burg të Hondurasit e, sidomos. "popullin e martirizuar ukrainas".

R. SH. - Vatikan

Në përshëndetjet pas lutjes së Engjëllit Papa u shprehu afërsinë familjarëve të Emanuela Orlandit, shtetase e Vatikanit, zhdukur më 22 qershor 1983. Të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, rreth njëqind demonstrues me pankarta dhe foto të të resë, ndërmjet të cilëve, i vëllai i vajzës së zhdukur, Pietro Orlandi:  

“Këto ditë përkujtohet 40-vjetori i zhdukjes së Emanuela Orlandit. Do të doja të përfitoj nga kjo rrethanë për të shprehur edhe një herë afërsinë time me familjen, veçanërisht me nënën dhe t’i siguroj lutjet e mia. Kujtoj me këtë rast të gjitha familjet, që vijojnë ta vajtojnë me dhimbje, njeriun e dashur, të zhdukur”.

Më pas Françesku shprehu shqetësimin e thellë për tragjedinë e së martës së kaluar, 22 qershor, në një burg në Honduras, ku 46 të burgosur vdiqën gjatë dhunës së bandave:

“Më trishtoi shumë ajo që ndodhi disa ditë më parë në Qendrën e Burgimeve të Grave Támara, në Honduras. Një dhunë e tmerrshme mes bandave rivale mbolli vdekje dhe vuajtje. Lutem për të ndjerët, lutem për familjarët. Virgjëra e Suyapa-s, Nëna e Hondurasit, i ndihmoftë zemrat që të pajtohen dhe të krijojnë hapësirë për bashkëjetesë vëllazërore, edhe brenda burgjeve”.

Në përshëndetjet  drejtuar shtegtarëve, mendimi i Papës shkoi përsëri në Ukrainë. E kujtoi rishtas vendin e martirizuara duke përshëndetur vullnetarët e Radio Maria Italia, të pranishëm në shesh me një pankartë të madhe, përmes së cilës - kujtoi Françesku - "i ftojnë të gjithë të mblidhen nën mantelin e Nënës, Virgjërës Mari, e t'i luten Zotit për dhuratën e paqes. Këtë e kërkojmë veçanërisht për popullin martir ukrainas”.

25 qershor 2023, 13:38