Kërko

Aksidenti i trenave në Indi Aksidenti i trenave në Indi  (AFP or licensors)

Dhimbja e Françeskut për tragjedinë në Indi, rreth 300 të vdekur

Në një telegram, Papa siguron afërsinë e tij shpirtërore dhe ngushëllimet për të prekurit nga aksidenti i djeshëm i trenit në shtetin indian të Orissa-s. Fatkeqësi nga më të rëndat që mbeten në kujtesën e vendit. 900 të plagosur, tre trena të dëmtuar.

R. SH. - Vatikan

Dhimbje të thellë shpreh Papa për aksidentin dramatik të trenit që ndodhi mbrëmë në Indi, në shtetin e Odishës, një nga më tragjikët regjistruar ndonjëherë në vend, me mbi 280 viktima, numër që fatkeqësisht mund të rritet.

Ngushëllime dhe lutje

Françesku, në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, drejtuar Nuncit Apostolik në Indi, Imzot Leopoldo Girelli, i siguron për afërsinë e tij të gjithë njerëzit e prekur nga tragjedia. Në vijim, "duke i besuar shpirtrat e të ndjerëve mëshirës plot dashuri të të Plotfuqishmit”, u dërgon ngushëllimet “të afërmve, që vajtojnë humbjen e tyre”. Françesku lutet edhe "për të plagosurit e shumtë dhe personelin e urgjencës duke kërkuar për ta dhuratat hyjnore të guximit dhe ngushëllimit".

Ngjarja

Pamje mizore, me vagonat njëri mbi tjetrin dhe fishkëllimat e pandërprera të ambulancave, që shoqërojnë punën e atyre, të cilët kërkojnë të mbijetuarit. Mbi 900 të plagosur. Tragjedia ndodhi dje, rreth orës 19.20 me orën lokale, për shkak të daljes nga shinat të një treni pasagjerësh, që do të ndeshej me dy trena të tjerë: njëri, pasagjerësh, tjetri, mallrash. Qeveria  njoftoi se do të bëjë "hetime të plota". Kryeministri Narendra Modi premtoi "gjithë ndihmën e mundshme", shoqëruar me ngushëllimet e tij. Burime të ndryshme shtypi theksojnë se në Indi ka shumë tragjedi të shkaktuara nga aksidentet hekurudhore: rrjeti i gjerë hekurudhor paraqet probleme të konsiderueshme për shkak të plakjes së infrastrukturës dhe mirëmbajtjes së dobët. Prandaj nuk mungojnë aksidentet. Por e djeshmja është një nga më tragjiket në historinë e vendit.

03 qershor 2023, 16:25