Kërko

Migrantët në Greqi Migrantët në Greqi

Dhimbja e Françeskut për vdekjen e migrantëve të mbytur në brigjet e Greqisë

“Duhet të bëjmë ç’është e mundur, që migrantët, të cilët ikin nga luftrat dhe varfëria, të mos gjejnë vdekjen” rrugës: këtë kërkon Papa Françesku në një tweet të sotëm, pasi shprehu dhimbjen për viktimat në brigjet e Greqisë edhe dje, përmes një telegrami të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit. 104 gjallë, 78 të vdekur të gjetur e ndoshta, 600 të tjerë në fund të detit

R.SH. – Vatikan

Pas telegramit të djeshëm, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, me të cilin shprehte dhimbjen për emigrantët, viktima në brigjet e Greqisë, Papa Françesku shkruan sot një tweet, duke theksuar edhe një herë shqetësimin e tij të thellë për gjendjen e njerëzve, që detyrohen të lënë shtëpitë e tyre, në kërkim të një jete më të mirë.

“Ndiej shumë dhimbje për vdekjen e migrantëve, ndër të cilët shumë fëmijë, pas mbytjes së anijes së tyre në Detin Egje – shkruan Ati i Shenjtë. – Duhet të bëjmë ç’është e mundur që migrantët, të cilët ikin nga luftrat dhe varfëria të mos gjejnë vdekjen ndërsa kërkojnë një të ardhme shprese”.

Që dje, në telegramin për nuncin apostolik në Greqi, Papa premtonte “lutje për viktimat e për familjarët e tyre, si edhe për gjithë njerëzit e traumatizuar nga kjo tragjedi”.  Gjithashtu, i kërkonte Zotit të Gjithëpushtetshëm dhuratën e “forcës, të këmbënguljes e të shpresës” për të mbijetuarit, “për ata, që kujdesen dhe i strehojnë migrantët, si edhe për personelin e emergjencës”.

Dita e fundit e kërkimeve

 Sot, ishte dita e fundit e kërkimeve në det, të cilat vijojnë që nga e mërkura, 14 qershor, kur në jug të Peloponezit u mbyt anija e peshkimit, që transportonte rreth 600-700 vetë, nisur nga Libia. Vinin kryesisht nga Pakistani, Egjipti dhe Siria. Që mbrëmë s’është gjetur më asnjë trup i pajetë, përveç atyre 78 vetëve, që u nxorrën në breg deri dje. Të shpëtuarit janë 104. Por viktimat mund të jenë rreth 600, shumica të strehuar në stivën e anijes, pra, në pamundësi të dilnin menjëherë e pjesa më e madhe në gjumë në ato orë të para të mëngjesit, kur ndodhi tragjedia. Ndër ta, gra e fëmijë.

Polemika pa fund

Autoritetet greke kanë arrestuar nëntë egjiptianë, duke i akuzuar si skafistë. Ndërkaq, vijojnë polemikat mbi mungesën e ndërhyrjes së Rojes Bregdetare të Greqisë dhe të Frontex-it evropian, të cilët, me sa duket, e njihnin situatën që para mbytjes. Edhe në Bashkimin Evropian, ngrihen zëra për një politikë të përbashkët të shpëtimit të emigrantëve në det, ndërsa Organizata Botërore për Migracionin kërkon korridore të sigurta për kalimin e Mesdheut.

16 qershor 2023, 13:56