Kërko

Delegacioni i  "Conferencia Eclesial de la Amazonia" Delegacioni i "Conferencia Eclesial de la Amazonia"  (Vatican Media)

Amazona, prijëset indigjene për Papën: inkurajoi angazhimin e grave

Patricia Gualinga, motra Laura Vicuña dhe Yesica Patiachi, përfaqësuese të Konferencës Kishtare të Amazonës dhe të REPAM, i shkruan Françeskut një letër. I kërkonin audiencë për t’i shprehur shqetësimet lindur nga sulmet kundër tokave të tyre në Ekuador, Kolumbi dhe Peru. Dje, më 1 qershor, u pritën në Vatikan. Gjatë takimit me Papën, i folën për punët e grave, për zonën dhe për kishën: "Ai na inkurajoi të ecim përpara, duke theksuar se askush nuk do të mund t’i ndalojë ndryshimet”.

R. SH. - Vatikan

I patën shkruar një letër, më 4 mars, për t’i përshkruar "lucha-n" e tyre, domethënë, luftën që vijon prej vitesh për të mbrojtur Amazonën dhe popullsinë e saj si dhe për ta falënderuar për vëmendjen që i kushton gjithmonë kësaj pjese të botës, themelore për të gjithë eko-sistemin. Ideja lindi gjatë një ndalese në një aeroport në Kolumbi, gjatë njërit prej udhëtimeve të panumërta në forumet ndërkombëtare, ku bëhen zë i zërit të njerëzve të tyre, që të mund t’i dëgjojë mbarë bota! Si e shkruan letrën, ia dorëzuan peruanit Pedro Barreto.

Audienca në Vatikan

Më 9 mars, përgjigjja! Nuk e prisnin kaq shpejt, as pesë ditë më vonë, e mbi të gjitha, që “gjyshi Francesco” t’i ftonte përmes Prefekturës së Shtëpisë Papnore, të bënin një bisedë personale me të, ballë për ballë në Vatikan. Dje në mëngjes, tri prijëset indigjene: Patricia Gualinga, motra Laura Vicuña dhe Yesica Patiachi, që përfaqësonin Konferencën Kishtare të Amazonës (CEAMA) dhe Rrjetin Kishtar Pan-Amazonik (REPAM), por mbi të gjitha përkatësisht popullatat amazoniane të Ekuadorit, Kolumbisë dhe Perusë,  u pritën nga Papa Françesku në Bibliotekën e Pallatit Apostolik.

Në bisedë me Papën
Në bisedë me Papën

Biseda me Papën

“Një bisedë e këndshme, e qetë dhe besimplote” – pohuan gratë për mediat e Vatikanit, menjëherë pas audiencës, duke rrëfyer, thellësisht të prekura, sulmet kundër tokës së tyre e duke buzëqeshur, më pas, ndërsa kujtonin batutat e Papës për “portuñol",  përzjerjen e  portugalishtes me spanjishte, gjuhë me të cilën komunikuan. “Ky takim me Papën ishte  gëzim i madh për ne”, kujton Imrã Laura Vicuña Pereira Manso, autoktone e popullit Kariri, braziliane, bijë e prindërve emigrantë dhe rregulltare e Kongregatës së Motrave Katekiste Françeskane, e diplomuar në antropologji dhe e specializuar në psikologji sociale. "Çfarë të them…? Ishte takim historik. Papa Françesku përfaqëson frymën e re të Shpirtit Shenjt. Sjell pranverën në Kishë. Po e jetojmë këtë pranverë dhe ndjej se Papa Françesku po i udhëheq  këto ndryshime. Ndryshime reale, pa kthim prapa, sepse të frymëzuara nga themeli, që është Jezu Krishti”.

Përqafime, dhurata, inkurajime

“Papa Françesku na dha shumë siguri dhe besim”, thotë Patricia Gualinga. Flokë të gjata të zeza, vathë të mëdhenj në formë lulesh, që nga qershori 2020 ka qenë nënkryetare e CEAMA, Konferenca Kishtare e Amazonës,  organizatë e udhëhequr nga i ndjeri Kardinal Claudio Hummes deri në vdekje, e lindur pesë muaj pas publikimit të Querida Amazonia, nxitjes post-sinodale të Françeskut kushtuar rajonit pan-Amazonik. Por Patricia është para së gjithash udhëheqësja e Kichwa e Sarayakut, në Ekuador, popullsi indigjene magjepsëse, një nga banoret e pyllit Pastaza, që vënë mbi gjithçka  mbrojtjen e "nënës Tierra" nga kërcënimet e kompanive të huaja të naftës.

Dhuratë për Papën Françesku
Dhuratë për Papën Françesku

Puna e grave

Në dialogun me Papën u trajtuan tre probleme të rëndësishme: “Puna e grave të Kishës në territor, njohja e strukturës kishtare të kësaj vepre, realiteti i popujve autoktonë dhe i arsimit”. Tre lideret indigjene i paraqitën shqetësimet e tyre ipeshkvit të Romës "në mënyrë që ai të jetë në dijeni”. Frika më e madhe është ajo e politikave të vendeve të ndryshme që shkelin mbi të drejtat e njeriut në nivel ndërkombëtar. "E, mbi të gjitha, të drejtat e banorëve të Amazonës" – pohon Gualinga - "Shumë nga këto politika kanë   qëllim tregtar."

Flitet për nxjerrje minerare, për territore të grabitura dhe banorë të kërcënuar se do të dëbohen nga shtëpitë e tyre për të ngritur aty miniera të hapura. “Edhe ato ilegale”, thotë përfaqësuesja e Sarayaku, duke shpjeguar se e gjithë kjo vijon vrullshëm në Ekuador. CEAMA shoqëron betejat e njerëzve dhe bën thirrje të respektohen territoret e Amazonës e kontributi i tyre themelor në botë, duke pasur parasysh pasurinë  e këtyre viseve. Mbetet ende një rrugë e gjatë për t’u bërë, por gratë janë në radhët  e para për ta vazhduar këtë "proces".

Sfida e Kishës me "fytyrë amazonike"

Nga ana e tij, Papa - pohojnë aktivistet në mikrofonat e Radio Vatikanit - vlerësoi angazhimin e grave të Amazonës, ndjeshmërinë e tyre, punën e tyre, edhe ungjillëzuese. “Ai na inkurajoi të ecim përpara dhe theksoi se askush nuk mund ta ndalojë ndryshimin” shpjegojnë. Ndryshim që përfshin edhe sfidën e nisur nga Sinodi Pan-Amazonian: t'i japë Kishës fytyrë Amazoniane. “Sfidë shumë e madhe, të cilën ne vijojmë ta krijojmë”, pohon Patricia Gualinga.

Tri udhëheqëset indigjene në selinë e Vatican News - Vatican Radio
Tri udhëheqëset indigjene në selinë e Vatican News - Vatican Radio

Tregu dhe shkatërrimi i krijimit

Motrat Laura dhe Yesica - shkrimtare, studiuese, piktore dhe edukatore të popullit Harakbut, të cilat Papa i pati njohur në takimin me popujt indigjenë në Puerto Maldonado, çast i udhëtimit të tij në Peru, në vitin 2018 - nënvizuan gjatë audiencës përpjekjet e përbashkëta me Konferencën Kishtare të Amazonës për të krijuar një shoqëri më të drejtë, pa harruar "kozmovizionin" e popujve vendas dhe "përshpirtshmërinë e madhe, që është prania e Zotit".  "Tregu na pushtoi", shpjegon Patricia, "na bindi se gjithçka ishte e mundur dhe na shkatërroi krijimin, aq të bukur".

Shërbesat e grave në Kishë

Në bashkëbisedimin me Papën nuk mungoi as realiteti social-edukativ dhe social-baritor i Amazonës, me “theksim” mbi misionin dhe shërbesat e grave në Kishë. Në këtë pikë, sipas Imrã Laura, të gjithë ishin njëmendjeje se "nuk mund të ketë kthim mbrapa" në misionin që çdo grua kryen prej kohësh në Kishë: "Gruaja është pikërisht fytyra e Nënës së  Kishës: Marisë, Nënës së Jezusit... Janë gratë ato që sjellin ndryshimet e që nxisin ungjillizimin e Kishës”.

“Shërbimi që i bëjmë Kishës - shpjegon murgesha - nuk njihet - e lind edhe tensione, por që gjithsesi mund të kapërcehen me njohjen e shërbesave të reja për gratë, sipas urgjencës së realitetit socio-baritor të Kishës në Amazonë”.

02 qershor 2023, 11:46