Kërko

Pamje nga Ukraina Pamje nga Ukraina  (ANSA)

Afërsia e Papës me Ukrainën në luftë dhe me viktimat e aksidentit në Indi

Pas kremtimit të Engjëllit, Françesku u lut për 288 të vdekurit dhe 1200 të plagosurit, viktima të rrëzimit të një treni në shtetin indian të Orissa dhe kujtoi viktimat e luftërave, veçanërisht në Evropën Lindore.

R. Sh. - Vatikan

Në përfundim të lutjes mariane të Engjëllit nga dritarja e Pallatit Apostolik, Papa Françesku, duke përshëndetur përfaqësuesit e Armës së Karabinierëve, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, ia besoi Virgjërës Mari të gjitha popullsitë e prekura nga lufta, veçanërisht popullin ukrainas.

Një përshëndetje e veçantë, përfaqësuesve të Armës së Karabinierëve, të cilët i falënderoj për afërsinë e tyre me popullatën. Virgo Fidelis,  Pajtorja juaj, ju ruajtë ju dhe familjet tuaja - uroi - e më pas u lut:  “T’i besoj Ty, o Nënë e kujdesshme, popullatat e vëna në provë nga shuplaka e luftës, veçanërisht Ukrainën e dashur dhe të martirizuar”.

Lutja për fatkeqësinë në Indi

Françesku u lut gjithashtu për 288 viktimat e aksidentit të trenit që ndodhi të premten në Indi, një nga më të rëndat në historinë e vendit aziatik.

“Ju siguroj se lutem për viktimat e shumta të aksidentit të trenit në Indi. Jam pranë të plagosurve dhe familjeve të tyre, Ati Qiellor i pranoftë shpirtrat e të vdekurve në Mbretërinë e tij”.

Në Ukrainë vijojnë bombardimet, vdes një vogëlushe

Lutja e Atit të Shenjtë arrin pikërisht në kohën kur dhuna në Ukrainë  shkallëzohet. Në 24 orët e fundit ka pasur bombardime ruse në zona të ndryshme të trojeve të vendit. Ngjarja më e rëndë është ajo që ndodhi në Dnipro, ku humbi jetën një vajzë dyvjeçare dhe u plagosën 22 vetë të tjerë, ndërmjet të cilëve, edhe pesë të mitur. Presidenti Zelenski e quajti këtë sulm “akt terrorizmi”.

Indi: Numri i të vdekurve arrin në 288 vetë

Më pas Papa rishprehu dhimbjen për aksidentin e trenit në Indi, pasi të shtunën i dërgoi një telegram nuncit apostolik në vend, Imzot Leopoldo Girelli, duke siguruar afërsinë shpirtërore dhe duke shprehur ngushëllime për të prekurit nga rrëzimi. Ndërkohë, bilanci i katastrofës ka shkuar në 288 të vdekur, ndërsa flitet se përplasja e dy trenave të pasagjerëve është pasojë e dështimit të sinjalit në sistemin e shkëmbimit. Ekipet e shpëtimit dërguar në stacionin hekurudhor Bahanaga, në shtetin e Orissës ku ndodhi tragjedia, punuan pa u lodhur deri pasditen e së shtunës, kur përfunduan operacionet për shpëtimin e dy mijë pasagjerëve të përfshirë në këtë tragjedi. Shumë nga 1200 të plagosurit e dërguar në tre spitalet e zonës janë në gjendje të rëndë.

04 qershor 2023, 14:07