Kërko

 Un minuto per la pace 2023 Un minuto per la pace 2023

Papa: më 8 qershor, një minutë lutje, për t'i dhënë fund luftërave në botë

Në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku u kërkoi besimtarëve të feve të ndryshme të marrin pjesë në nismën e Veprimit Ndërkombëtar Katolik "Një minutë për paqen". Nesër, në orën 13.00, propozohet një ndalesë për të kërkuar paqen në pesë kontinentet e, veçanërisht, në Ukrainë

R.SH. / Vatikan

Një ftesë e re për t'u lutur për paqen në botë. E bëri Ati i Shenjtë Françesku, para se të mbyllte audiencën e sotme të përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke iu drejtuar të gjithëve të kërkojnë harmoninë ndërmjet popujve. Papa kërkoi lutje veçanërisht për Ukrainën, ku përfundoi dje misioni i kardinalit Matteo Zuppi, i dërguar për të "dëgjuar hollësisht autoritetet ukrainase mbi mënyrat e mundshme për të arritur një paqe të drejtë dhe për të mbështetur gjestet njerëzore, që kontribuojnë në zbutjen e tensioneve" - siç shpjegohet në një deklaratë të Selisë së Shenjtë.

Besimtarët e gjuhës polake, të pranishëm në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa i këshilloi rishtas të vijojnë "bamirësinë e krishterë dhe mbështetjen e ukrainasve". Më pas, ndërsa përfundonte përshëndetjen për shtegtarët italianë, duke iu drejtuar besimtarëve të besimeve dhe konfesioneve të ndryshme fetare, Papa u bëri thirrje të marrin pjesë nesër, 8 qershor, në nismën e Veprimit Katolik Ndërkombëtar, titulluar "Një minutë për paqen”, për Ukrainën, Tokën e Shenjtë dhe mbarë botën:

“Nesër, në orën 13, Veprimi Katolik Ndërkombëtar i fton besimtarët e besimeve dhe feve të ndryshme të mblidhen në lutje, duke i kushtuar ‘Një minutë paqes’. Ta mirëpresim këtë ftesë, duke u lutur për përfundimin e luftërave në botë e, veçanërisht, për Ukrainën e shtrenjtë dhe të martirizuar”.

Ftesa e Forumit Ndërkombëtar të Veprimit Katolik

Bëhet fjalë për "një nismë të thjeshtë", shpjegon Forumi Ndërkombëtar i Veprimit Katolik, duke i ftuar të gjithë "ta përhapin në familje, ndërmjet miqve e shoqatave, në vendet e studimit dhe të punës" e duke u kërkuar që, në orën 13.00 të vendin e vet, të "ndalen një minutë për t'u lutur ose për t’i kushtuar një mendim paqes".

Nisma filloi për herë të parë në vitin 2014

“Një minutë për paqen” filloi për herë të parë më 6 qershor 2014, në mbështetje të “Lutjes për paqen”, promovuar nga Papa Françesku, që do të zhvillohej dy ditë më vonë në Kopshtet e Vatikanit së bashku me Presidentin e asokohshëm izraelit Simon Peres, Presidentin e Autoritetit Palestinez Maḥmūd ʿAbbās e me pjesëmarrjen edhe të Patrikut të Kostandinopojës, Bartolomeu I. Për të promovuar nismën e lutjes, Forumi Ndërkombëtar i Veprimit Katolik përhapi hashtagun #unminutoporlapaz në mediat sociale dhe vuri në dispozicion, në faqen e internetit, një sërë njoftimesh dhe një udhëzues të vogël për lutjen e, më 10 qershor i fton të gjithë në një takim të shkurtër lutjesh në internet "me disa miq nga vendet në konflikt".

07 qershor 2023, 12:24