Kërko

Volodymyr Zelensky, President i Republikës së Ukrainës Volodymyr Zelensky, President i Republikës së Ukrainës  (Vatican Media)

Papa dhe Zelensky, situata humanitare dhe politike e Ukrainës ndër temat e bisedës

Kreu i kombit të shpërfytyruar nga lufta mbërriti mëngjesin e sotëm, 13 maj, në Romë. Takimi me Presidentin Mattarella dhe Kryeministren Meloni; pasdite me Françeskun, për herë të dytë personalisht që nga viti 2020, e para që nga shpërthimi i konfliktit. “Faleminderit për këtë vizitë”, tha Françesku teksa e mirëpriti në Sallën e Palit VI. Menjëherë më pas Takimi me sekretarin për marrëdhëniet me shtetet, Imzot Gallagher.

R. SH. - Vatikan

“Është nder i madh për mua...”. "Faleminderit për këtë vizitë". Pak fjalë, të thëna personalisht për herë të parë që nga fillimi i konfliktit. Një shtrëngim duarsh, përkulja e kokës…  Volodymyr Zelensky ndodhet në Vatikan për të takuar Papën Françesku. Mbërriti pak pas orës 16, me një makinë të blinduar, në oborrin e Sallës Pali VI:  me pantallona gri, felpë të zezë ushtarake, përshëndeti gazetarët e pranishëm fillimisht me një tundje koke e më pas, me dorë.

Papa e priti në hyrje të Sallës së vogël, ku mbahen audiencat (jo në Pallatin Apostolik). Më pas morën së bashku rrugën për në studion e drunjtë. Të ulur përballë njëri-tjetrit në tryezë, me një kryq sipër e në të djathtë një figure të Zojës së Lujanit, nisën bisedën në prani të një përkthyesi. Një françeskani, fratit Marko Gonkalo, i lindur në Zhytomyr, në Ukrainë, të cilin në mars 2022, ndërsa ishte folës në polonisht në audiencën e përgjithshme, Papa e kishte përshëndetur dhe falënderuar për dëshminë: "Prindërit e tij në këtë çast janë në strehim nëntokësore, për t'u mbrojtur nga bombat, në një vend afër Kievit. Ndërsa ai vazhdon të bëjë detyrën e tij këtu, me ne. Duke e shoqëruar atë, shoqërojmë të gjithë njerëzit, që vuajnë nga bombardimet..."- theksoi Papa.

"Papa - njofton zyra e shtypit e Vatikanit - ka siguruar lutjen e tij të vazhdueshme, të dëshmuar nga thirrjet e shumta publike dhe uratë e tij të vazhdueshme drejtuar Zotit për paqe, që nga shkurti i vitit të kaluar. Të dy ranë dakord për nevojën e vazhdimit të përpjekjeve humanitare në mbështetje të popullsisë. Papa nënvizoi veçanërisht nevojën urgjente për 'gjeste të humanizmit' ndaj njerëzve më të brishtë, viktimave të pafajshme të konfliktit".

Dhuratat

Ishte një nga thirrjet e para publike të Papës për popullsinë e "martirizuar" ukrainase. Një nga fjalët e afërsisë, që nuk u ndërprenë kurrë në këto pesëmbëdhjetë muaj agresioni, a më shumë. Afërsia, dhimbja dhe madje shpresa në një paqe të  kërkuar me lutje në një mori rastesh, sot u pasqyruan në dhuratën që Papa i bëri Zelenskit, një degë ulliri prej bronzi, simbol i paqes. Bashkë me të, Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes 2023, Dokumenti mbi Vëllazërinë Njerëzore, libri mbi Statio Orbis i datës 27 mars 2020, redaktuar nga LEV dhe vëllimi "Një Enciklikë mbi Paqen në Ukrainë" që përmbledh shumicën e ndërhyrjeve publike të Papës në luftën. Dhuratat, dorëzuar nga Zelensky ishin domethënëse: një vepër arti e bërë nga një pjatë antiplumb dhe një pikturë e titulluar “Humbja”. kushtuar vrasjes së fëmijëve gjatë konfliktit.

Takime me Mattarellën dhe Melonin

Është hera e dytë që Zelensky mbërrin në Vatikan; e para ishte ajo e  shkurtit 2020, kur kërcënimi i pandemisë Covid-19 vërtitej pezull mbi Evropën, ndërsa lufta endej si fantazmë vetëm në pjesën lindore të Ukrainës. Një vit e gjysmë pas bombardimit të parë rus të Kievit, ndërmjet telefonatave, letrave, thirrjeve, kontakteve publike dhe private, Zelensky - jo më i izoluar si në muajt e parë të konfliktit - rifilloi udhëtimet dhe, gjatë  itinerarit ndër kryeqytete të ndryshme evropiane, u ndalua në Romë, ku u takua me Papën, nga i cili nuk i mungoi asnjëherë mbështetja shpirtërore, afërsia dhe ndihma konkrete e diplomatike.

Në Romë, Volodymir Zelensky mbërriti mëngjesin e sotëm, i pritur nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani. E njoftoi mbërritjen e tij në Twitter duke kujtuar takimin me  Papën dhe Kryeministren Giorgia Meloni, pa harruar  edhe Presidentin Sergio Mattarella: "Vizitë e rëndësishme, për t'iu afruar fitores së Ukrainës!"- shkroi. Meloni e mirëpriti  me një përqafim dhe e siguroi për "mbështetjen e gjithanshme" të Italisë, veçanërisht për nismat e eksportit të grurit. E njëjta mbështetje u përsërit nga Mattarella, i cili e quajti rrëmbimin e qindra fëmijëve ukrainas në Rusi “të neveritshëm. "Fitorja jonë është paqja" - u përgjigj Zelensky. Fjalë të përsëritura edhe në konferencën e mëpasshme për shtyp, gjatë së cilës Giorgia Meloni shprehu vlerësimin e saj për "angazhimin e Papës dhe të Selisë së Shenjtë" në mbështetje të rivendosjes së paqes ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. “Roma ripohon se është kryeqytet i paqes”, kujtoi kryeministri.

Roma e blinduar

Pak minuta pas orës 16.00, Zelensky u largua nga Pallati Chigi për t'u nisur me kortezhin, përmes një Rome të blinduar që dje, drejt Bazilikës së Shën Pjetrit. Makinat kaluan Sheshin dhe më pas u drejtuan nga Salla Pali VI. Presidenti ukrainas u mirëprit nga Imzot Leonardo Sapienza, regjent i Shtëpisë Papnore, i ndjekur nga ambasadori ukrainas pranë Selisë së Shenjtë, Andrii Yurash dhe shefi i zyrës së Presidentit, Andriy Yermak. Pas bisedës private me Françeskun, presidenti ukrainas u takua me sekretarin për marrëdhëniet me shtetet, Imzot Paul Gallagher. Kardinali Pietro Parolin, sekretar i shtetit, mungoi. Ishte në Fatima, për festën e Virgjërës Mari, në Shenjtnoren e Cova d' Iria.

13 maj 2023, 18:17