Kërko

Audienca e Papës Françesku me presidentin ukrainas Zelensky, më 8 shkurt  2020 Audienca e Papës Françesku me presidentin ukrainas Zelensky, më 8 shkurt 2020  (Copyright 2020 The Associated Press. All rights reserved)

Françesku pret presidentin ukrainas Zelensky në Vatikan

Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë konfirmon audiencën pasditen e sotme, e shtunë 13 maj, në Vatikan, në kuadër të një udhëtimi të kreut të shtetit, që përfshin edhe një ndalesë në Romë. Ky është takimi i dytë personal i Papës me Zelenskin, pas audiencës së vitit 2020; e para, që nga shpërthimi i konfliktit në Ukrainë. Në këto muaj, telefonata dhe kontakte.

R. SH. - Vatikan

Është takimi i dytë personalisht, pas atij të vitit 2020; i pari, që nga shpërthimi i konfliktit në Ukrainën e "martirizuar". Pothuajse pesëmbëdhjetë muaj pas sulmit të parë rus në Kiev, Papa Françesku pret Presidentin Volodimir Zelensky. Takimi po mbahet sot, e shtunë 13 maj, siç bën të ditur Salla e Shtypit e Vatikanit, duke konfirmuar lajmet e qarkulluara në orët e fundit. Seanca dëgjimore do të zhvillohet pasdite, pas orës 15, në Vatikan, në kuadrin e udhëtimit të presidentit ukrainas në Romë, ku do të takohet edhe me Presidentin e Republikës Italiane, Sergio Mattarella dhe kryeministren Giorgia Meloni. Vetë Zelensky e dha njoftimin rreth orës 10.24 në Twitter, duke folur për "një vizitë të rëndësishme".

Audienca e shkurtit 2020

Papa dhe presidenti ukrainas - siç u kujtua më sipër - u takuan personalisht në Pallatin Apostolik të Vatikanit më 8 shkurt 2020, më pak se një vit pas zgjedhjeve që dekretuan fitoren e Zelenskyt në krye të Ukrainës. Një intervistë që zgjati rreth gjysmë ore me dyer të mbyllura, në fund të së cilës Françesku i dhuroi presidentit të ri medaljonin e Shën Martinit të Tours, me urimin e mbrojtjes së popullin ukrainas të rrënuar nga "lufta", në atë kohë ajo në lindje të vendit. Zelensky më pas u takua edhe me Sekretarin e Shtetit, Kardinalin Pietro Parolin dhe me Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. "Bisedimet e përzemërta" në Sekretarinë e Shtetit i qenë kushtuar kryesisht "situatës humanitare dhe kërkimit të paqes në kontekstin e konfliktit i cili, që nga viti 2014, vijon ta martirizojë Ukrainën" -  shkruhej në buletinin e Sallës së Shtypit atë ditë. Urohej "që të gjitha palët e përfshira të tregojnë ndjeshmërinë më të madhe ndaj nevojave të popullsisë, viktimë e parë e dhunës, si dhe angazhimin dhe koherencën në dialog".

Bisedat telefonike

Pas sulmit rus në Ukrainë më 24 shkurt 2022, Françesku dhe Zelensky biseduan disa herë në telefon. Biseda e parë daton 26 shkurt të vitit të kaluar, dy ditë pas fillimit të konfliktit: ndërsa lajmet dramatike nga fronti i luftës shtoheshin nga ora në orë, Papa i shprehu presidentit "dhimbjen e tij më të thellë për ngjarjet tragjike që po ndodhin në Vend". Vetë Zelensky e shpjegoi situatën përmes Twitter-it, duke e falenderuar Papën Françesku që u lut për paqen dhe armëpushimin në Ukrainë. Populli ukrainas - shkruante - e ndjen mbështetjen shpirtërore të Shenjtërisë Suaj”.

Më pas pati një telefonatë të re më 22 mars 2022, ditën kur Presidenti Zelensky u takua me Parlamentin italian. “Papa tha fjalë shumë të rëndësishme”, u kujtoi kreu i shtetit parlamentarëve italianë, duke shtuar se i kishte folur për rezistencën e treguar nga populli ukrainas “që u bë ushtri, kur pa të keqen”. Sërish në Twitter, Zelensky informoi se i kishte folur Papës edhe “për situatën e vështirë humanitare dhe bllokimin e korridoreve të ndihmës nga forcat ruse. Roli ndërmjetësues i Selisë së Shenjtë për t'i dhënë fund vuajtjeve njerëzore do të ishte i mirëpritur. Shtoi edhe se e kishte falënderuar Françeskun lidhur me lutjet për paqen dhe për Ukrainën”.

Më në fund, një tjetër telefonatë më 12 gusht 2022, nësa Papa vijonte thirrjet e vazhdueshme dhe të fuqishme në lutjen e Engjëllit të Tënzot dhe në audienca publike si dhe kontaktet private me zyrtarët. Edhe atëherë ishte gjithmonë presidenti ukrainas ai që jepte lajmin përmes Twitter-it, duke kujtuar se në bisedë flitej për tmerret që pëson popullata për shkak të pushtimit rus. Udhëheqësi ukrainas shprehte gjithashtu mirënjohje për Papën, për lutjet e tij, me shpresë për një vizitë të Françeskut në Kiev.

Audienca me kryeministrin Shmyhal

Ftesa për në kryeqytet iu përsërit Papës së fundmi edhe nga kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, i pranuar në një audiencë private në Pallatin Apostolik, më 27 prill. Gjatë një bisede me dyer të mbyllura që zgjati rreth gjysmë ore, Shmyhal, ndër të tjera, i kërkoi Françeskut ndihmë për kthimin e fëmijëve të dëbuar me forcë në Rusi dhe mbështetje për vazhdimin pa pengesa të "korridorit të grurit".

Lutja e Engjëllit - thirrjet

Për të mos u harruar, Engjëlli i 3 tetorit 2022, në të cilin Papa, duke lënë mënjanë katekizmin, lexoi një thirrje të gjatë, të dëshpëruar për shkallëzimin e dhunës dhe iu drejtua drejtpërdrejt presidentëve rus dhe ukrainas, Vladimir Putin dhe Volodymir Zelensky, me një lutje: Presidentit të Federatës Ruse "të ndalojë këtë spirale dhune dhe vdekjeje, edhe nga dashuria për popullin e tij"; Presidentit të Ukrainës "të jetë i vëmendshëm ndaj propozimeve serioze të paqes". Rreth një muaj më vonë, në fund të nëntorit, pasoi Letra prekëse drejtuar popullit ukrainas, në rreshtat e fundit të së cilës, ipeshkvi i Romës iu lut Zotit për autoritetet të cilat - shkroi - "kanë detyrën ta qeverisin vendin në kohë tragjike dhe të marrin vendime largpamëse për paqen e zhvillimin ekonomik gjatë shkatërrimit të shumë infrastrukturave jetike, në qytet dhe në fshat”.

Misioni i paqes

Françesku nuk reshti kurrë së bëri thirrje për paqen, duke deklaruar se është "i gatshëm të bëjë gjithçka duhet bërë". Të njëjtat fjalë i përsëriti edhe në fluturimin e kthimit nga Budapesti, në fund të udhëtimit të tij të 41-të apostolik, në intervistën e zakonshme në aeroplan, gjatë së cilës u foli gazetarëve për një mision paqeje të Selisë së Shenjtë në Ukrainë, pa dhënë hollësira të mëtejshme. “Tani po zhvillohet një mision, por nuk është ende publik... Do ta shpall kur të jetë publik”, tha Papa. Këtyre fjalëve iu përgjigjën zyrtarë nga Moska dhe Kievi, duke deklaruar se nuk ishin në dijeni të kësaj nisme të Vatikanit. Kardinali Parolin, në fund të një takimi në Romë, kujtoi se ishte "befasuar" për reagimin e Rusisë dhe Ukrainës, por pa hyrë në hollësi ("Papa foli me këto terma, ia lëmë atij të japë çdo informacion të mëtejshëm ", tha ai), ndërsa siguroi se të dyja palët "ishin dhe janë të vetëdijshme" për misionin e paqes. Pak ditë më parë kardinali Parolin iu rikthye çështjes, duke deklaruar se ka pasur zhvillime lidhur me nismën, por “në nivel konfidencial”.

13 maj 2023, 13:05