Kërko

POPE FRANCIS POPE FRANCIS

Papa: Feja nuk është paketë idesh, po udhë për t’u bërë

Nuk duhet ta humbasim nga sytë cakun, as ta lëmë veten të shtypemi nga e tashmja, por të ndjekim Krishtin, që është udhë drejt lumturisë. Françesku në lutjen e Mbretëreshës Qiellore theksoi fjalët e Ungjillit të sotëm dhe tregoi busullën, që na drejton në vendin e përgatitur nga Zoti për ne: ta duam Jezusin, të besojmë në Të, t’i ngjasim me gjeste afërsie e mëshire për të tjerët. Përshëndetja e shoqatës Meter: “Gjithnjë përkrah viktimave”.

R.SH. - Vatikan

Këtë të diel, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, kremtuar në mesidtë në Sheshin e Shën Pjetrit. në Vatikan, Papa komentoi faqen e Ungjillit të Shën Gjonit (Gjn 14:1-12), marrë nga fjala e fundit e Jezusit, para vdekjes, kushtuar cakut tonë përfundimtar: takimit me Zotin. Nga dritarja e Engjëllit jehoi e mbushi plot Sheshin e Shën Pjetrit përshëndetja aq e pritur e së dielës: “Të dashur vëllezër dhe motra, mirëmëngjes!”. 

Ungjilli i liturgjisë së sotme (Gjn 14:1-12) - kujtoi më pas - është marrë nga fjala e fundit e Jezusit, para vdekjes. Zemrat e dishepujve janë të trazuara, por Zoti u thotë fjalë qetësuese, duke i ftuar të mos kenë frikë: në të vërtetë, nuk do t'i braktisë. Ai po shkon t’u përgatisë një vend dhe  t'i drejtojë drejt këtij caku:

“Kështu sot Zoti na tregon të gjithëve vendin e mrekullueshëm ku mund të shkojmë e, në të njëjtën kohë, edhe mënyrën sesi mund të shkojmë e    rrugën për të shkuar. Na tregon se ku të shkojmë dhe si të shkojmë atje”.

Jam në qiell, për t’ju përgatitur një vend!

Së pari - kujtoi në vijim Papa - ku duhet shkuar! Jezusi e sheh shqetësimin e dishepujve, frikën nga braktisja, ashtu siç na ndodh kur detyrohemi të ndahemi nga ndokush, që e duam. E pastaj u thotë: “Unë do t'ju përgatis një vend [...], që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (v. 2-3). Jezusi përdor figurën e njohur të shtëpisë, vend marrëdhëniesh dhe intimiteti:

“Në shtëpinë e Atit - u thotë ai miqve të tij dhe secilit prej nesh - ka vend për ju, jeni të mirëpritur, do të jeni të mirëpritur përgjithmonë nga ngrohtësia e një përqafimi, e unë jam në qiell për t'ju përgatitur vendin!”.

Jezusi nuk u nda nga ne, por na hapi rrugën drejt cakut përfundimtar

Vëllezër dhe motra - shpjegoi në vijim Papa - kjo Fjalë është burim ngushëllimi dhe shprese.

“Jezusi nuk u nda nga ne, por na hapi rrugën, duke parashikuar cakun tonë përfundimtar: takimin me Zotin Atë, në zemrën e të cilit ka vend për secilin prej nesh”.

Të mos e harrojmë madhështinë dhe bukurinë e cakut!

Pastaj, kur përjetojmë lodhje, hutim, madje edhe dështim, kujtojmë se ku po shkon jeta jonë. Nuk duhet ta harrojmë qëllimin, edhe nëse sot rrezikojmë ta harrojmë atë, të harrojmë pyetjet e fundit, ato të rëndësishmet: ku po shkojmë? Për ku ecim? Për çka ia vlen të jetosh? Pa këto pyetje, ne e ndrydhim jetën vetëm në të tashmen, mendojmë se duhet ta shijojmë sa më shumë dhe përfundojmë duke jetuar nga dita në ditë, pa synim, pa cak:

“Ndërsa Atdheu ynë është në parriz (Fil 3:20), të mos e harrojmë madhështinë dhe bukurinë e cakut!”.

Pasi ta kemi zbuluar, edhe ne, ashtu si Shën Toma Apostull në Ungjillin e sotëm, ta pyesim veten: e si të shkojmë atje? Ndonjëherë, sidomos kur ka probleme të mëdha për t'u përballur dhe na duket se e keqja është më e fortë, pyesim veten: çfarë duhet të bëj, cilën rrugë duhet të ndjek? Ta dëgjojmë përgjigjen e Jezusit:

"Unë jam udha, e vërteta dhe jeta" (Gjoni 14:6)”.

Besimi në Jezusin është rrugë për të udhëtuar

Vetë Jezusi është rruga. - nënvizoi Papa - Rrugë, që duhet ndjekur, nëse duam të jetojmë në të vërtetën dhe të kemi jetë me begati. Ai është rruga, prandaj besimi në Të nuk është "paketë idesh" për t'u besuar, por rrugë për të udhëtuar, udhëtim që duhet bërë, udhëtim me Të. Është të ndjekësh Jezusin, sepse Ai është rruga që të çon tek lumturia pa perëndim. Është t’i pëngjash, veçanërisht me gjeste afrimi dhe mëshirë ndaj të tjerëve:

“Kjo është busulla për të arritur në Parajsë: dashuria për Jezusin, rrugën, duke u bërë shenja të dashurisë së Tij mbi dhe”.

Të ecim, me sytë drejt qiellit

Vëllezër dhe motra - bëri thirrje në përfundim të lutjes Papa - të mos e lëmë veten të shtypemi nga e tashmja; të shikojmë lart, drejt qiellit, të kujtojmë qëllimin tonë, të mendojmë se jemi thirrur në amshim, në takim me Zotin. E, nga Qielli në zemrat tona, ta zgjedhim sot rrugën e Jezusit, rrugën për të dashuruar dhe për të ecur pas Tij! Këtë theksoi Françesku e, në përfundim të lutjes mariane, iu lut, si zakonisht, Virgjërës Mari që të na ndihmojë të ecim në rrugën e jetës pa perëndim:

“Virgjëra Mari, që duke ndjekur Jezusin, ka arritur tashmë në cak, na e forcoftë shpresën tonë”.

07 maj 2023, 12:22