Kërko

il santuario della madonna di Pompei il santuario della madonna di Pompei

Papa, Zojës së Pompeit: ndërmjetëso për dhuratën e paqes në Ukrainë

Në një tweet të ri, në faqen e internetit @Pontifex, Papa u bën jehonë fjalëve shqiptuar dje në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, kur iu lut Virgjërës Mari për përfundimin e luftës në Evropën Lindore, në ditën e Lutjes në Shenjtëroren e Pompeit, ku Kardinali Zuppi, kryetar i KII kremtoi Meshën, që përfundoi me lutjen mariane

R.SH. / Vatikan

Thirrja e djeshme e Papës në Sheshin e Shën Pjetrit u përsërit në një tweet, me të njëjtën lutje: “Njerëzit që vuajnë në Ukrainë dëshirojnë paqe!". Thirrja e Françeskut - përmes tweet-it të sotëm, 8 maj, nga faqja e internetit @Pontifex – rikumboi si ajo, që u tha njëzet e katër orë më parë gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore: kërkesë e drejtpërdrejtë drejtuar Zojës Rruzare të Pompeit, në ditën tradicionale të lutjes, që lufta në "Ukrainën e martirizuar " të marrë fund dhe që "udhëheqësit e kombeve" ta "plotësojnë dëshirën e njerëzve, që vuajnë dhe duan paqen".

Mesha e Kardinalit Zuppi nga Shenjtërorja e Pompeit

"Pa paqe nuk ka jetë" - theksoi kardinali Matteo Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane që në fillim të homelisë së Meshës, kremtuar në mëngjes, në Shenjtnoren Kampane, e cila përfundoi me lutjen që  thuhet çdo vit më 8 maj dhe në të dielën e parë të tetorit, përballë figures së Virgjërës.

Papa: dëgjojeni dëshirën e njerëzve, që duan paqen në Ukrainë

Kardinali Zuppi rikërkoi pikërisht çka kërkoi Papa pas lutjes mariane të Mbretëreshë Qiellore në Sheshin e Shën Pjetrit. “Ta naltojmë nga kjo shtëpi e Marisë, shtëpi lutjeje dhe bamirësie, uratën drejtuar Zojës Rruzare, që i Lumi Bartolo Longo donte t'ia kushtonte paqes. Të lutemi me këmbënguljen e vejushës së gjorë, që kërkon drejtësi nga gjykatësi i tmerrshëm, i padrejtë  e i pamëshirshëm, i cili e bën të pamëshirshme luftën". Më pas, kardinali kujtoi se "Zoti  dëshiron një botë me paqe", mbasi "pa paqe nuk ka jetë"; botë me Marinë që "është nëna jonë. Me Të, të gjithë jemi vëllezër, sepse të gjithë, bijtë e saj".

Zanafilla e luftës

Kryetari i ipeshkvijve italianë foli, më pas, për "inkubacionin e luftës". Në rrënjët e çdo konflikti është "dorëheqja përballë problemeve", siç janë "interesat e tmerrshme ekonomike" që i shtyjnë njerëzit "të shkatërrojnë veten e botën". Në këto rrethana “lutja shpreh pritjen e gjithë krijimit, që vuan e larton zërin në kërkim të paqes”. E është pikërisht lidhja e ngushtë me Marinë, që mund të na bëjë ta kuptojmë luftën. “Maria - vazhdoi Prelati – është e para që nën kryq, lutet të vijë sa më shpejt ringjallja e paqes, e shërimit, e dritës që ngadhënjen mbi errësirën, jetës, që fiton duelin me vdekjen!”.  

I krishteri në histori

Prelati citoi, më pas, enciklikën Pacem in terris, e cila këtë vit mbush gjashtëdhjetë vjet, duke pohuar se fjalët e shkruara nga Gjoni XXIII janë sot "lutja jonë", nisur me kërkesën që të largohet "nga zemra e njerëzve gjithçka mund të rrezikojë paqen, duke i shndërruar në dëshmitarë të së vërtetës, të drejtësisë, të dashurisë vëllazërore". Imzot Zuppi përsëriti edhe se të krishterët thirren për të qenë protagonistë të kohës së tyre, sepse “i krishteri nuk është njeri jashtë historisë”. Përkundrazi, në një botë të harruar dhe të paqëndrueshme, e cila rri larg përgjegjësive dhe nuk ka vizione, i krishteri - nënvizoi - hyn në palët e jetës reale, zbret në probleme, në kërkim të pranisë së Zotit".

Nuk e duam logjikën për të mos bërë asgjë

Prej këndej, inkurajimi i përkushtimit, si individë dhe si shoqëri, për të ndërtuar një të ardhme me paqe. “Asgjë nuk është e pamundur për ata që besojnë! Ne nuk e pranojmë - theksoi kardinali - logjikën për të mos bërë asgjë, për të jetuar duke shikuar qiellin. Ne ndjekim Marinë, të përvujtën, që bën gjërat më të mëdha. Lutemi për ata, që i kundërvihen së keqes, atyre që nuk mësohen me dhimbjen, që duan shërim dhe paqe. Lutja na shtyn të jemi punëtorë, artizanë të paqes. Kjo shtëpi e lutjes dhe e bamirësisë, ky qytet i paqes na vjen në ndihmë”.

Në këtë mision, lutja ka një rol themelor - përfundoi predikatari - “Na ndihmon Rruzarja e Shenjtë, lutje këmbëngulëse për të gjithë, që na bën t’i rijetojmë misteret e Krishtit në shoqërinë e Nënës së tij dhe të Kishës. “Asgjë - përsëriti predikatari - nuk është e pamundur për ata që besojnë”.

08 maj 2023, 13:07