Kërko

Papa, Regina Coeli Papa, Regina Coeli

Françesku: Shpirti Shenjt rri me ne e na kujton se jemi bij të dashur nga Zoti

Shpirti Shenjt është ngushëlluesi e avokati ynë, që nuk na lë kurrë vetëm e na mbron nga akuzat e botës, deri nga vetvetja e posaçërisht nga djalli, i cili “nuk lë gjë pa bërë, që të ndjehemi të paaftë e të palum”. Papa Françesku u shpreh kështu në lutjen e Mbretëreshës Qiellore të kësaj së dieleje, duke i porositur besimtarët t’ia venë mirë veshin zërit të Tij!

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore,  kremtuar sot në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, nënvizoi fjalët e Ungjillit të së Dielës VI të  Pashkëve, që flet për Shpirtin Shenjt (krh Gjn 14,15-17), duke na kujtuar se Shpirti i Zotit rri gjithnjë pranë nesh, na korrigjon, por pa na poshtëruar kurrë e na jep sigurinë se me Zotin mund t’ia dalim mbanesh edhe punëve më të vështira. Shpirti Ngushëllues është avokati ynë.

Ungjilli i kësaj të diele të gjashtë të kohës së Pashkëve nga shën Gjoni, na flet për Shpirtin Shenjt, të cilin Jezusi e quan Paraklit (krh. Gjn 14,15-17). E Paraklit do të thotë njëkohësisht ngushëllues dhe avokat. Gjë që na kujton se Shpirti Shenjt Zot nuk na lë të qetë, se është pranë nesh, si avokati që ndihmon të akuzuarin, duke i qëndruar pranë e duke e këshilluar se si të mbrohet përballë atyre, që e akuzojnë.

Reflektim mbi afërsinë dhe ndihmën e Shpirti Shenjt

Papa i ftoi sakaq besimtarët, si gjithnjë të panumërt, që mbushnin Sheshin e Shën Pjetrit, të reflektonin për këto dy aspekte: afërsinë e Zotit me ne dhe ndihmën e Tij kundër atyre që na akuzojnë.

Shpirti Shenjt rri pranë nesh e në ne

 Shpirti Shenjt, thotë Jezusi, ‘rri pranë jush dhe është në ju’ (krh. v. 17)- kujtoi Papa - Ai nuk na braktis: si pëllumb - shpesh e përshkruajmë kështu - kërkon një vend ku të zbresë për të ndërtuar folenë dhe nuk largohet, mbetet aty (krh. v. 16) – vijoi Françesku, duke kujtuar më pas se…

“Shpirti Shenjt dëshiron të jetë me ne: nuk është  mysafir kalimtar që vjen të na bëjë vizitë mirësjelljeje. Është partner i jetës, prani e qëndrueshme; është Shpirt dhe dëshiron të banojë në shpirtin tonë. I durueshëm, rri me ne edhe kur rrëzohemi. Rri, sepse na do vërtet: nuk bën sikur na do dhe më pas na lë të vetëm në vështirësi”.

Shpirti Shenjt na korrigjon, por pa na poshtëruar kurrë

Nëse duhet t’i bëjmë ballë provës – vijoi Papa - Shpirti Shenjt na ngushëllon, duke na sjellë faljen dhe forcën e Zotit. Edhe kur është përballë gabimeve tona dhe na korrigjon, këtë e bën me dashamirësi:

“Në zërin e tij që i flet zemrës sonë është gjithnjë vula e butësisë, e ngrohtësisë, e dashurisë. Sigurisht, Shpirti Ngushëllues është edhe kërkues, sepse është mik i vërtetë, besnik, që nuk fsheh asgjë, që na këshillon çka duhet të ndryshojmë dhe si duhet të rritemi. Por kur na korrigjon, nuk na poshtëron kurrë e kurrë nuk na ngjall mosbesim; përkundrazi, na jep sigurinë se me Zotin mund t’ia dalim mbanesh, gjithnjë. Kjo është afërsia e Tij”.

Aspekti i dytë: Shpirti Ngushëllues është avokati ynë

 Shpirti Paraklit - shpjegoi Papa në vijim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore - si avokati ynë, na mbron përballë atyre, që na akuzojnë:

“Përballë vetvetes, kur nuk e duam, as nuk e falim njëri-tjetrin, madje deri në atë pikë, sa të themi se jemi dështakë, që nuk vlejmë për asgjë; përballë botës, e cila i përjashton ata që nuk përputhen me skemat dhe modelet e saj; përballë djallit, i cili është ‘akuzuesi’ dhe ndarësi par excellence (shih Zb. 12:10) dhe bën gjithçka që të ndihemi të paaftë dhe të pakënaqur”.

T’i përgjigjemi djallit, me fjalët e Zotit

Përballë gjithë këtyre mendimeve akuzuese, Shpirti Shenjt - kujtoi në vijim Papa - na mëson si të përgjigjemi. E si?

“Parakliti, thotë Jezusi, është ai që ‘na kujton gjithçka na tha Jezusi’ (krh. Gjn 14:26). Na kujton fjalët e Ungjillit dhe kështu na mëson t'i përgjigjemi djallit akuzues jo me fjalët tona, por me fjalët e vetë Zotit. Mbi të gjitha, na kujton se Jezusi gjithmonë foli për Atin që është në qiell, na njohu me Të dhe na zbuloi dashurinë e Tij për ne, bijtë. Nëse i lutemi Shpirtit, mësojmë të mirëpresim dhe të kujtojmë realitetin më të rëndësishëm të jetës, i cili na mbron nga akuzat e së keqes: jemi bijtë e dashur të Hyjit”.

Ta pyesim veten!

Në përfundim, si zakonisht, një breshëri pyetjesh, që na ftojnë ta jetojmë çka dëgjuam këtë të dielë nga goja e Papës.

Vëllezër dhe motra, le ta pyesim veten sot - bëri thirrje Françesku në përfundim - a i lutemi Shpirtit Shenjt, a i lutemi shpesh? Të mos e harrojmë Atë, që është pranë nesh, brenda nesh! Dhe pastaj, a e dëgjojmë zërin e Tij, si kur na inkurajon, ashtu edhe kur na korrigjon? A i përgjigjemi me fjalët e Jezusit akuzave për të keqen, në “gjykatat” e jetës? A kujtohemi se jemi fëmijët e dashur të Zotit?

E përcolli me këto pyetje - që presin meditim e përgjigje - turmën e Sheshit të Shën Pjetrit Papa, për të përfunduar, si zakonisht me lutjen drejtuar Zojës së Bekuar:

“Maria na ndihmoftë t’i bindemi zërit të Shpirtit Shenjt dhe ta ndjejmë praninë së Tij”.

14 maj 2023, 12:34

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >