Kërko

Françesku takoi pjesëmarrësit në Bisedimet ndërmjet Dikasterit për Dialogun Ndërfetar dhe Institutit Mbretëror për Studimet Ndërfetare, themeluar në Jordani Françesku takoi pjesëmarrësit në Bisedimet ndërmjet Dikasterit për Dialogun Ndërfetar dhe Institutit Mbretëror për Studimet Ndërfetare, themeluar në Jordani

Papa: të krishterë e myslimanë, të punojmë për një botë vëllazërimi e dinjiteti

Françesku takoi pjesëmarrësit në Bisedimet ndërmjet Dikasterit për Dialogun Ndërfetar dhe Institutit Mbretëror për Studimet Ndërfetare, themeluar në Jordani, për të vlerësuar elementet e përbashkëta ndërmjet fesë së krishterë e asaj islame, "në këto kohë me konflikte dhe dhunë”. Kujtoi vuajtjet e të krishterëve dhe të myslimanëve në Turqi e Siri, goditur nga tërmeti shkurtin e kaluar

R.SH. – Vatikan

         Papa Françesku priti pjesëmarrësit në Bisedimet VI ndërmjet Dikasterit për Dialogun Ndërfetar dhe Institutit Mbretëror jordanez për Studime Ndërfetare, udhëhequr nga princi El Hassan bin Talal, objektivat kryesore të të cilit janë ruajtja dhe vlerësimi i trashëgimisë së krishterë arabe. Ati i Shenjtë nënvizoi udhën e qëndrueshme të marrëdhënieve dypalëshe, që dëshmon për miqësi besnike. Është rruga e vëllazërimit, theksoi Françesku.

         “Dëshiroj të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time ndaj Madhërisë së Tij Mbretit Abdullah II i Jordanisë, për vëmendjen që tregon për bashkësitë e krishtera jo vetëm në vendin e tij, por edhe në Lindjen e Mesme, veçanërisht në kohë konfliktesh e dhune. Madhëria e Tij nuk lodhet së përsërituri se të krishterët e atyre trojeve të bekuara janë autoktonë, prandaj, jetojnë aty ku kanë jetuar të parët e tyre prej shekujsh”.

Në dialog, të përqendrohemi në gjërat e përbashkëta

Papa Françesku vuri në pah natyrën e pranisë së krishterë në Lindjen e Mesme, rajon i pasur "me grupe etnike, fe, kultura, gjuhë dhe tradita". Një mozaik i bukur, pohoi ai, që duhet ruajtur në çdo pjesë. Dialogu, vazhdoi Ati i Shenjtë, ka nevojë për sinqeritet dhe respekt të ndërsjellë, duke e ditur se ka konvergjenca dhe divergjenca ndërmjet palëve, por duhet të punohet për të shtuar pikërisht konvergjencat.

“Në të parat duhet të përqendrohemi, pra, në gjithçka na bashkon, në nivelin fetaro-shpirtëror si dhe në atë etiko-moral. Në këtë kuptim, ju dëshironi të vini në pah vlerat e shumta të përbashkëta, si adhurimi i një Zoti të vetëm, lutja, agjërimi, shtegtimi fetar, dhembshuria, ndarja me të tjerët, kujdesi për njerëzit e ligshtë dhe të vuajtur: jetimi, vejusha, i sëmuri, i moshuari, emigranti, refugjati”.

Impenjimi i përbashkët për jetën e mirë

Ajo që i bashkon të krishterët dhe myslimanët, shtoi Françesku, është edhe besimi në jetën e përtejme dhe në gjykimin e Tënzot. Kjo sjell impenjimin e përbashkët "për jetën e mirë, që i thur lavde Zotit dhe u jep gëzim të gjithë atyre, që takojmë në shtegtimin tonë tokësor". Papa nuk harroi të kujtojë dramën e popullsive të Turqisë dhe të Sirisë veriore, goditur nga tërmeti i fortë i 6 shkurtit, që shkaktoi viktima dhe shkatërrime.

“Edhe zemra jonë është pranë njerëzve të shumtë, që vuajnë nga ky tërmet i tmerrshëm. Të lutemi për ta dhe të bëjmë çmos për t'i ndihmuar. Ka myslimanë, të krishterë, të gjithë vëllezër dhe motra me ne”.

Së fundi, Françesku kërkoi bekimin e Zotit për përpjekjet e pjesëmarrësve në mbledhjen e këtyre ditëve, që synojnë "një botë ku të gjithë të jetojnë si vëllezër e motra, në paqe, siguri dhe dinjitet".

04 maj 2023, 12:36