Kërko

2023.04.28 Viaggio Apostolico in Ungheria 2023.04.28 Viaggio Apostolico in Ungheria  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa: Selia e Shenjtë do të punojë për t’i kthyer fëmijët ukrainas nga Rusia

“Është problem humaniteti”. Gjatë bisedës me gazetarët në aeroplanin që e kthente nga Budapesti në Romë, Françesku foli për mirëseardhjen, për paqen që "bëhet gjithmonë duke i hapur duart, jo duke i mbyllur", për misionin, në vijim, për të inkurajuar armëpushimin. E për shtrimin e tij të fundit në Gemelli, kujtoi: “Nuk më ka rënë të fikët”.

R. SH. - Vatikan

“Impenjimi i Selisë së Shenjtë për të lehtësuar kthimin në atdhe të fëmijëve ukrainas zhvendosur në Rusi gjatë luftës, paqja, kontaktet me Kremlinin, dialogu ekumenik, shëndeti i tij pas shtrimit në spital në Gemelli javën para së Dielës së Larit. Më pas, edhe kthimi i fragmenteve të Partenonit në Greqi, shembull për gjeste të reja të ngjashme në të ardhmen”... Këto ishin temat që preku Papa Françesku në dialogun e shkurtër gjatë fluturimit nga Budapesti në Romë.

Në vijim, transkriptimi i intervistës së Papës Françesku me gazetarët, në fluturimin e kthimit nga Hungaria.

Antal Hubai (Klubi Rtl)

Atë i Shenjtë, ne e dimë se, gjatë jetës suaj, keni pasur takime të ndryshme personale me hungarezët: a e ndryshuat mendimin për hungarezët pas takimeve që patët ditët e fundit?

Po, pata vërtet përvojë në vitet 1960 kur studioja në Kili, ku qenë detyruar të shkojnë shumë jezuitë hungarezë, sepse u dëbuan nga Hungaria. Pastaj mbeta  mik i ngushtë i motrave hungareze të Maria Uardit, të cilat kishin një shkollë 20 km larg Buenos Ajres. I vizitoja dy herë në muaj dhe sillesha pakëz si kapelan i jashtëzakonshëm. Pastaj edhe me një shoqëri laikësh hungarezë nga Buenos Ajres që punonin në kolegjin hungarez. I njihja mjaft mirë. Nuk e dija gjuhën! Mësova  veç dy fjalë, goulash dhe tokaj! Ishte përvojë e mirë dhe më dhëmbi shumë jeta e refugjatit, pamundësia për të shkuar në shtëpi dhe motrat e Maria Ward që mbetën aty të fshehura në apartamente, që të mos i merrte përsëri regjimi. Më pas e njoha më nga afër të gjithë çështjen, për ta bindur kardinalin e mirë Mindszenty të mbërrinte në Romë. E njoha edhe entuziazmin e vitit 1956, por edhe zhgënjimin e mëpasëm. Pak a shumë kjo!

... por a ka ndryshuar opinioni juaj për hungarezët që atëherë?

Jo, nuk ka ndryshuar: ndoshta është pasuruar, pasuruar në kuptimin se hungarezët që kam njohur kanë kulturë të madhe, kulturë të madhe; edhe ata që nuk ishin të një shtrese të lartë shoqërore, edhe ata të thjeshtët kishin një kulturë bazë shumë të lartë. Zakonisht flisnin gjermanisht ose anglisht, sepse hungarishtja nuk flitet jashtë Hungarisë - vetëm në Parajsë flitet, mbasi thonë se duhet gjithë amshimi për ta mësuar gjuhën (qesh). E kjo nuk ka ndryshuar, përkundrazi: vijon po ai stil!

Eliana Ruggiero (AGI)

Atë i Shenjtë, ju bëtë thirrje për t’i hapur - a për t’i rihapur - dyert e egoizmit tonë për të varfërit, për mërgimtarët, për ata që nuk janë në rregull me jetën. Në takimin tuaj me kryeministrin hungarez Orbán, a i kërkuat atij të rihapë kufijtë e rrugës ballkanike, që i mbylli? Më pas, ditët e fundit u takuat edhe me Mitropolitin Hilarion. A mund të bëhen vetë Hilarion dhe Orbán kanale hapjeje drejt Moskës për të shpejtuar procesin e paqes për Ukrainën ose për ta bërë të mundur takimin Tuaj me Presidentin Putin? Faleminderit.

Besoj se paqja bëhet gjithmonë duke hapur kanale, paqja nuk mund të bëhet kurrë me mbyllje. I ftoj të gjithë të hapin marrëdhënie, kanale miqësie… Kjo nuk është e lehtë. Të njëjtat fjalë ia thashë Orbanit e i përsërtita nga pak kudo. Për migracionin, mendoj se është problem, që Evropa duhet ta marrë në dorë, sepse janë pesë vende që vuajnë më shumë: Qiproja, Greqia, Malta, Italia, Spanja, mbasi janë vende mesdhetare dhe shumica janë atje. Nëse Evropa nuk e merr përsipër këtë, për një shpërndarje të drejtë të emigrantëve, problemi do të jetë i lidhur vetëm me këto vende. Besoj se Evropa duhet ta bëjë të ndjehet se është Bashkim Evropian edhe përballë kësaj. Ka një problem tjetër, lidhur me migrimin: problemi i lindjeve. Ka vende si Italia dhe Spanja që… nuk kanë fëmijë. Vitin e kaluar fola në një mbledhje familjare për këtë dhe së fundmi pashë se edhe qeveria e qeveritë e tjera, po flasin për këtë. Mosha mesatare në Itali është 46 vjeç, për Spanjën është edhe më e lartë. Ndërsa ka fshatra të vegjël që janë shkretuar. Fshate pa banorë! Një program migrator, por të organizuar mirë, sipas modelit të disa vendeve - po mendoj, për shembull, Suedinë në kohën e diktaturave të Amerikës Latine - mund t’i ndihmojë edhe këto vende ku lëkunden pak djepa! Pastaj, në fund, cila ishte e fundit? Ah po, Hilarion: Hilarionin e respektoj shumë: kemi pasur gjithmonë marrëdhënie të mira. Ai pati mirësinë të vinte të më shihte, pastaj ishte edhe në Meshë e akoma, e pashë edhe këtu, në aeroport. Hilarioni është inteligjent. Me të  mund të flasësh dhe këto marrëdhënie duhet të ruhen, sepse nëse flasim për ekumenizëm - kjo më pëlqen, kjo nuk më pëlqen - duhet të kemi një dorë të shtrirë për të gjithë, e edhe t’i shtrëngojmë duart. Kam folur me Patriarkun Kirill vetëm një herë, që nga fillimi i luftës, gjithsejt 40 minuta, pastaj, përmes Anthony, i cili tani është në vendin e Hilarionit, i cili vjen të më shohë: është peshkop ish-famullitar në Romë, ndaj e njeh mirë ambientin, nëpërmjet tij jam gjithmonë në kontakt me Kirillin. Mbledhja që duhej të kishim në Jeruzalem, në korrik ose qershor të vitit të kaluar, është në pritje, e pezulluar për shkak të luftës: kjo duhet bërë. Dhe pastaj, me rusët, kam marrëdhënie të mira me ambasadorin. Ambasador në Vatikan për shtatë vjet, që tani po largohet. Është një njeri i madh, njeri comme il faut (si duhet) Njeri serioz, i kulturuar, shumë i ekuilibruar. Marrëdhënia me rusët lidhet kryesisht me këtë ambasador. Nuk e di nëse i kam thënë të gjitha. Ishte kjo? Apo kam ngrënë diçka?

… nëse Hilarion e Orbán-i mund ta shpejtonin disi procesin e paqes në Ukrainë dhe të bënin të mundur një takim ndërmjet jush dhe Putinit, nëse ata mund të veprojnë – në thonjëza – si ndërmjetës…

Mund ta përfytyroni se në këtë takim nuk folëm vetëm për Kësulëkuqe, apo jo? Folëm për të gjitha këto gjëra. Ne flasim për këtë sepse të gjithë janë të interesuar për rrugën drejt paqes. Unë jam i gatshëm. Jam i gatshëm të bëj gjithçka duhet bërë.  Edhe tani po zhvillohet një mision, që nuk është ende publik. Të shohim si... do ta them kur të jetë publike.

Aura Maria Vistas Miguel (Radio Renascence)

Shenjtëri, etapa tjetër është Lisbona. Si jeni me shëndet? Mbasie u befasuam kur shkuat në spital: disa thanë se ju ra rënë të fikët. Pra, a e keni energjinë e duhur për të vizituar mijëra të rinj në ato ditë gushti, në Lisbonë? Dhe a do të dëshironit të ftoni një të ri ukrainas dhe një të ri rus në DBR si simbol paqeje edhe për breznitë e reja?

Para së gjithash shëndeti. Ajo që pata ishte ligështi shumë e fortë,  në përfundim të audiencës së të mërkurës. Nuk desha të ha drekë dhe kisha temperaturë të lartë. U shtriva, prandaj, për ca kohë, por nuk më ra të fikët. Në tre pasdite mjeku më çoi menjëherë në spital: pneumoni akute dhe e fortë, në pjesën e poshtme të mushkërive.  Falënderoj Zotin që organizmi iu përgjigj mirë trajtimit. Pastaj Lisbona: një ditë para nisjes fola me z. Américo (Imzot Américo Manuel Alves Aguiar, ipeshk ndihmës i Lisbonës dhe president i Fondacionit DBR 2023) i cili erdhi për të parë se si janë gjërat atje… Po, do të shkoj, do të shkoj, do të shkoj dhe shpresoj t'ia dal. Ju e shihni se nuk është njësoj si dy vjet më parë, por me shkop, tani më mirë, por në këto çaste udhëtimi nuk është anuluar. Më pas është udhëtimi drejt Marsejës, më pas në Mongoli, e, më pas është një i fundit që nuk e mbaj mend se ku... Përsëri programi më mban në lëvizje, le të shohim!

… e takimi me të rinjtë e Rusisë dhe Ukrainës?

Américo ka diçka në mendje, po përgatit diçka, më tha. Ai po e përgatit mirë!

Nicole Winfield (Associated Press)

Atë i Shenjtë, doja të të pyesja diçka pak më ndryshe: së fundmi bëtë një gjest shumë të fortë ekumenik, duke i dhuruar Greqisë tre fragmentet e skulpturave të Partenonit në emër të Muzeut të Vatikanit. Ky gjest pati  jehonë edhe jashtë botës ortodokse, sepse shumë muzeume perëndimore po diskutojnë për rikthimin e objekteve të marra gjatë periudhës koloniale, si  akt drejtësie ndaj këtyre njerëzve. Desha të pyesja nëse jeni gati  edhe për gjeste të tjera të kësaj natyre. Po mendoj, për shembull, për popujt dhe grupet indigjene të Kanadasë, që kërkojnë kthimin e objekteve nga koleksionet e Vatikanit, si pjesë e procesit të shpërblimit të dëmit, pësuar në periudhën koloniale...

Por ky, para së gjithash, është urdhërimi i shtatë: nëse ke vjedhur, duhet ta kthesh gjënë e vjedhur! Por, ka një histori të tërë. Ndonjëherë luftërat dhe kolonizimet çojnë në vendime për të marrë të mirat e tjetrit. Ky ishte gjest i duhur, duhej bërë: i duhej dhënë diçka Partenonit. Dhe nëse egjiptianët vijnë nesër për të kërkuar obeliskun, çfarë do të bëjmë? Në çdo rast duhet bërë një dallim. Pastaj kthimi i gjërave indigjene, që është duke u zhvilluar; me Kanadanë, të paktën ishim dakord ta bëjmë çka kërkojnë. Tani do të pyes se si do të shkojë kjo. Përvoja me aborigjenët e Kanadasë ishte shumë e frytshme. Edhe në Shtetet e Bashkuara, jezuitët po bëjnë diçka me grupin e indigjenëve! Por le të kthehemi te rimbursimi. Për aq sa mund të kthehet, është e nevojshme, është gjest që, sa më mirë të bëhet, aq më mirë do të jetë. Ndonjëherë nuk është e mundur, nuk ka mundësi politike apo mundësi reale a konkrete. Por në masën që mund të kthehet, duhet bërë,  është gjë e mirë për të gjithë. Që të mos mësohesh të futësh dorën në xhepat e të tjerëve!

Eva Fernandez (Radio COPE)

Kryeministri ukrainas ka kërkuar ndihmën tuaj për rikthimin e fëmijëve të dërguar me forcë në Rusi. A mendoni se mund ta ndihmoni?

Mendoj kështu, sepse Selia e Shenjtë ka vepruar si ndërmjetëse në disa nga situatat e shkëmbimit të të burgosurve, e, përmes ambasadës, kjo ka shkuar mirë. Ndaj mendoj se edhe kjo mund të shkojë mirë. Është e rëndësishme, të paktën Selia e Shenjtë është e gatshme ta bëjë sepse është e drejtë, është gjë e drejtë dhe duhet të ndihmojmë, të ndihmojmë që ky të mos jetë  casus belli, por rast njerëzor. Është problem i njerëzimit dhe jo problem i plaçkës së luftës apo internimit gjatë luftës.

Ndihmojnë gjestet njerëzore, jo gjestet e mizorisë! Ne duhet të bëjmë gjithçka njerëzore që është e mundur. Mendoj dhe dua të flas edhe për gratë që vijnë në vendet tona: Itali, Spanjë, Poloni, Hungari, shumë gra, të cilat vijnë me fëmijët dhe burrat e tyre që ose kanë vdekur ose janë duke luftuar. Vërtetë, entuziazmi për ta bërë këtë moment po nxitet, ndaj mos e humbni entuziazmin për ta bërë këtë, sepse kur entuziazmi dështon, këto gra mbeten pa mbrojtje, me rrezikun të bien në kthetrat e shkabave, që sillen e përsillën gjithnjë për t’i rrëmbyer. Duhet të  jemi të kujdesshëm, të mos e humbasim dëshirën për t’i ndihmuar refugjatët. Këtë duhet ta bëjmë të gjithë”. Faleminderit!

01 maj 2023, 11:48