Kërko

Rojet Zvicerane Papnore Rojet Zvicerane Papnore  (Vatican Media)

Papa, Rojeve Zvicerane: dëshmitarë të fesë së Krishtit në Vatikan

Me rastin e Festës së Betimit, që do të kremtohet sot pasdite, në Vatikan, Papa priti anëtarët e Rojes Papnore Zvicerane, të cilëve u shprehu vlerësimin për gatishmërinë dhe përkushtimin, dëshmi e besnikërisë së tyre ndaj Pasardhësit të Pjetrit. Çdo ditë!

R. SH. - Vatikan

Ta jetojnë dashurinë vëllazërore dhe ta vënë në jetë Ungjillin e Krishtit në çdo situatë e në çdo takim. Françesku ua drejtoi këtë ftesë anëtarëve të Gardës Papnore zvicerane, të pranishëm në Sallën Klementine me rastin e festës së betimit të 23 rekrutëve, sot pasdite, në oborrin e Shën Damasit dhe i nxiti të japin dëshmi për fenë e tyre në Krishtin në të gjitha vendet e ndryshme të shërbimit, duke parë dashurinë e Zotit për secilin "në fytyrat e atyre" që afrohen "çdo ditë, qofshin anëtarë të Kuries Romake apo shtegtarë e turistë të thjeshtë".

Fe dhe shërbim ndaj Papës

Rojet zvicerane, me uniformën e tyre tipike blu, kuq e verdh, mirëpresin me buzë në gaz këdo që shkel në Shtetin e Qytetit të Vatikanit çdo ditë të vitit. “Më pëlqen të mendoj - kujtoi Ipeshkvi i Romës duke iu drejtuar në mënyrë të veçantë rekrutëve të rinj - se vendimi për të vënë disa vite nga jeta juaj në shërbim të Papës dhe të Selisë së Shenjtë nuk është i jashtëzakonshëm për udhën tuaj personale të fesë":

“Misioni juaj këtu në Vatikan, është rrugë që Zoti jua hapi, për të jetuar Pagëzimin tuaj dhe për të dhënë dëshmi gazmore për besimin tuaj në Krishtin. Besim, që e mësuat në familje dhe e kultivuat në famulli për të treguar lidhjen e ngushtë të katolikëve zviceranë me Kishën e Romës”.

Dëshmi e gëzueshme

“Zoti ecën me ju” - pohoi Papa - duke i nxitur anëtarët e Rojes Papnore Zvicerane ta përdorin mirë kohën, për të njohur praninë frymëzuese dhe gazmore të Zotit në jetën e tyre:

“Misioni juaj këtu, në Vatikan, është rrugë e hapur nga Zoti për ju, që ta jetoni Pagëzimin tuaj dhe të jepni dëshmi të gëzueshme për fenë tuaj në Krishtin. Fe, që e mësuat në familje, e kultivuat në famulli dhe që shpreh  lidhjen e katolikëve zviceranë me Kishën e Romës”.

Një familje e madhe

Françesku e quajti Gardën Papnore Zvicerane "familje e madhe";"vend rritjeje"; "mjedis formimi njerëzor dhe të krishterë":

“Të rinjtë pasurohen nga përvoja e të moshuarve të cilët, nga ana tjetër, mund të mësojnë nga qëndrimi i të rinjve, nga entuziazmi i tyre, që i shtyn të zbulojnë vazhdimisht të renë, të nxitur nga kureshtja pozitive”.

 

 

06 maj 2023, 11:36