Kërko

Vatikan Vatikan 

Papa reformon “Kushtetutën” e Shtetit të Qytetit të Vatikanit

Françesku shpalli sot një ligj të ri themelor, që zëvendëson atë të vitit 2000, "për t'iu përgjigjur nevojave të ditëve tona" dhe me detyrën që t’i bëjë vepruese angazhimet ndërkombëtare të ndërmarra nga Selia e Shenjtë edhe për Shtetin. Zgjerohet Komisioni Papnor: tashmë nuk do të përbëhet vetëm nga kardinajtë. Do të mund të marrin pjesë edhe laikë dhe laike. Rregullimi i buxhetit dhe bilancit përfundimtar është më i shtrënguar. Në fuqi, më 7 qershor.

R. SH. - Vatikan

Për t'iu "përgjigjur nevojave të ditëve tona" dhe "për t’i bërë vepruese” situatat që rrjedhin nga angazhimet ndërkombëtare të ndërmarra nga Selia Apostolike "me kërkesat e reja që kërkon ky aspekt specifik", Papa nxori sot 13 maj, ditë përkujtimore e Zojës së Fatimes, një ligj të ri themelor për shtetin e qytetit të Vatikanit. Françesku  e përtëriu "Kushtetutën" e Shtetit të Vatikanit, duke zëvendësuar atë të 26 nëntorit 2000 të Shën Gjon Palit II, e cila pasote atë të 7 qershorit 1929, nga Piu XI.

Reformë, në kuadër të reformave

Një reformë e re, pra, në fuqi nga 7 qershori i ardhshëm, e cila bën pjesë në kuadrin e reformave të shumta të vëna në jetë në këto dhjetë vjet papnije. Ligji u përgatit dhe u formulua për t'i dhënë "fizionomi kushtetuese" shtetit, kompetencave të tij, ushtrimit të funksioneve. Ndërkaq "merr përsipër dhe plotëson" azhurnimet rregullatore të nxjerra tashmë dhe profilet institucionale funksionale në shtet me reformën e Ligjit për burimet e së drejtës, të Ligjit për Qeverinë e Shtetit dhe të Ligjit për sistemin gjyqësor. Vetë Papa e shpjegon këtë duke prezantuar 24 artikujt:

“I thirrur për të ushtruar në bazën e munus petrino (rolit të Pjetrit) pushtet sovran edhe mbi shtetin e qytetit të Vatikanit, të cilin Traktati Lateran e vuri si mjet për të garantuar pavarësinë absolute dhe të dukshme të Selisë së Shenjtë dhe për të garantuar sovranitetin e saj edhe në arenën ndërkombëtare, e pashë të arsyeshme të miratoj një ligj të ri themelor për t'iu përgjigjur nevojave të ditëve tona”.

Kështu, synohet garantimi i "autonomisë së nevojshme" të kërkuar nga funksionet shtetërore ndaj akteve dhe veprimtarive që i përkasin shtetit.

13 maj 2023, 13:50