Kërko

Rabini Abraham Skorka, mik i kahmotshëm i Papës Françesku (foto arkivi) Rabini Abraham Skorka, mik i kahmotshëm i Papës Françesku (foto arkivi) 

Papa, Rabinit Skorka: shembull i bindjes se besimi e të drejtat e njeriut nuk janë në konflikt

Sot në mëngjes, Fakulteti i Teologjisë i Universitetit të Trnavës, në Sllovaki, i dorëzoi një doktoratë nderi shkrimtarit dhe biofizikanit argjentinas rektor i Seminarit Rabinik të Amerikës Latine në Buenos Aires, mik i vjetër i Françeskut. Papa i dërgoi një letër për t’ia uruar titullin akademik, duke kujtuar angazhimin e tij për dialogun ndërfetar.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku deshi të uronte me një letër, rabinin Abraham Skorka, argjentinas, të cilit sot në mëngjes Fakulteti i Teologjisë i Universitetit të Trnavës, në Sllovaki, i drejtuar nga jezuitët, i dorëzoi një doktoratë nderi për kontributin e tij në përparimin e dialogut ndërmjet hebrenjve e të krishterëve dhe për promovimin e tolerancës në fushat e shkencës e të arsimit. Në letrën, lexuar gjatë ceremonisë, Françesku i shpreh mirënjohjen mikut të tij të vjetër për angazhimin dhe ndikimin pozitiv gjatë 42 vjetve të veprimtarisë pedagogjike dhe akademike mbi “dy breza rabinësh, si dhe teologësh katolikë e protestantë, duke respektuar plotësisht aspektet akademike të teologjisë”.

Takimet ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve krijojnë marrëdhënie të frytshme

“Edhe unë e kam përjetuar dhuratën tuaj të miqësisë dhe urtisë, për të cilën falënderoj Zotin” - i shkruan Papa rabinit Skorka - duke kujtuar çastet e kaluara së bashku me biseda të frytshme dhe reflektime mbi miqësinë në dialogun ndërfetar, botuar më vonë. Françesku kujtoi edhe "vizitën e paharrueshme në Sllovaki, në vitin 2021, si dhe takimin me bashkësinë hebraike në sheshin Rybné, në Bratislavë, ku ishin të pranishëm edhe shumë katolikë". Ngjarje, që "hapin portën e zhvillimit të marrëdhënieve të frytshme të anasjellta, siç i quan Papa, për të cilin nderimi i lartë akademik nga Universiteti i Tërnavës, qytet, ky i fundit, "me një histori të dhimbshme për hebrenjtë, është domethënës”. Për këtë arsye, për Françeskun, prania e mikut të tij rabin në universitetin sllovak, shikohet si "simbol i mirëpritur i një kapitulli të ri në histori, për të cilin bota jonë ka aq shumë nevojë".

Jetojeni vërtetësisht fenë tuaj dhe respektoni të drejtat e njeriut

Papa thekson se "gjatë shekujve feja është shfrytëzuar shpesh për të arritur qëllime politike ose ekonomike, të cilat mund të shërbejnë vetëm për t’i zbehur vlerat fetare" dhe thekson se Skorka "u përpoq gjithnjë për të nënvizuar se nuk duhet të ketë konflikt ndërmjet të jetuarit vërtetësisht të traditës tënde fetare dhe respektimit të të drejtave të njeriut”. "Për më tepër   me të drejtë jeni përpjekur të dëshmoni se njerëzit e fesë mund dhe duhet t’i mbrojnë të drejtat e njeriut në të gjitha situatat e jetës" - shton Françesku - duke uruar "që angazhimi për dialog, drejtësi dhe bashkëjetesë paqësore t’i karakterizojë gjithnjë e më shumë marrëdhëniet ndërmjet   burrave dhe grave, pavarësisht nga feja e tyre".

Së fundi, Papa uron që "rasti i gëzueshëm" i dhënies së doktoratës së nderit Rabinit Skorka "të forcojë në mënyrë të veçantë dialogun ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve si dhe atë ndërfetar".

10 maj 2023, 14:36