Kërko

Takimi i Papës Françesku me presidenten e Sllovenisë, Natasa Pirc Musar Takimi i Papës Françesku me presidenten e Sllovenisë, Natasa Pirc Musar

Françesku pret presidenten e Sllovenisë

Nataša Pirc Musar u prit paraditen e sotme, 22 maj, në Vatikan: rreth gjysmë ore bisedë me Papën. Menjëherë pas, takimi në Sekretarinë e Shtetit me kardinalin Parolin dhe imzot Gallagher për çështje të natyrës ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë, situatën politike në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivat e ardhshme të rajonit në procesin e integrimit evropian

R.SH. – Vatikan

         Gjysmë ore, kaq zgjati biseda e Papës Françesku me presidenten e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, të cilën e priti paraditen e sotme, 22 maj, në Vatikan. Ata patën një dialog me dyer të mbyllura në Bibliotekën e Pallatit Apostolik. Musar u takua më pas me kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, i shoqëruar nga imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit

“Gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit – shkruhet në notën e Sallës së Shtypit të Vatikanit – u shpreh vlerësimi për marrëdhëniet pozitive dypalëshe, si edhe për kontributin e Kishës Katolike në shoqëri”. Në vazhdim të bisedës, thuhet në notë, “palët u përqendruan në çështje të ndryshme me natyrë ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj globale, si edhe situatën politike në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivat e ardhshme të rajonit në procesin e integrimit evropian”.

22 maj 2023, 12:12