Kërko

Pamje nga Khartoum -i Pamje nga Khartoum -i 

Françesku, pranë Sudanit dhe Ukrainës: të mos mësohemi me luftën

Thirrja e Françeskut pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore për situatën e rëndë në Sudan: t’i jepet fund luftës! Afërsia me popullin martir ukrainas

R. SH. - Vatikan

Në fund të lutjes së Mbretëreshës Qiellore nga dritarja e Pallatit Apostolik, mendimi i parë i Françeskut shkoi në Sudan: "Është e trishtueshme, por një muaj pas shpërthimit të dhunës, situata vazhdon të jetë e rëndë" - kujtoi. E më pas, inkurajoi "marrëveshjet e pjesshme" dhe përsëriti "thirrjen për t’i ulur armët".  

Të fitojë dialogu

Më pas, edhe thirrja drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, që të mos kursehet asnjë përpjekje “për dialogun dhe lehtësimin e vuajtjeve të popullatës”. Prandaj Ipeshkvi i Romës bëri thirrje: “Ju lutem, të mos mësohemi me konflikte e dhunë! Të mos mësohemi me luftën, ju lutem! Vazhdojmë të jemi pranë popullit martir ukrainas”.

Në vend të armëve, armëpushim humanitar

Dje në Sudan ushtria dhe forcat paraushtarake të ndihmës së shpejtë (RSF) ranë dakord për ndalim zjarri dhe armëpushim humanitar shtatë-ditor. Lajmi u konfirmua nga Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite në një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve në Jeddah. Vendimi do të hyjë në fuqi 48 orë pas marrëveshjes, dmth në orën 21:45 me orën lokale, të hënën, më 22 maj. Ndonëse që nga shpërthimi i përleshjeve ndërmjet dy fraksioneve në pushtet, në prillin e kaluar, të cilat morën qindra jetë, të dyja palët patën arritur një marrëveshje për mbrojtjen e civilëve dhe ndihmën humanitare për njerëzit e prekur nga konflikti, tani armëpushime të ngjashme u refuzuan. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ndalimi i armëve "mund të zgjatet me marrëveshjen e palëve".

Përfaqësuesit e kreut të ushtrisë Abdel Fattah al-Burhan dhe ish-zëvendësit të tij, shndërruar në rival, Mohamed Hamdan Daglo, u zotuan të mos kërkojnë asnjë avantazh ushtarak përpara se armëpushimi të hyjë në fuqi në orën 21:45 me kohën e Khartoum (në të njëjtën kohë në Itali) të 22 majit.

21 maj 2023, 13:31