Kërko

Papa Françesku në DBR-në e Krakovisë Papa Françesku në DBR-në e Krakovisë

Papa: DBR-të, ngjarje hiri, që i ndihmojnë të rinjtë të ëndërrojnë gjëra të mëdha

Rádio Renascença botoi sot, 2 maj, parathënien e Papës për librin e gazetares portugeze Aura Miguel "Një udhëtim i gjatë drejt Lisbonës" (Um Longo Caminho até Lisboa - Bertrand Editora), i cili tregon rrugëtimin e Ditëve Botërore të Rinisë, që nga fillimi i tyre, duke pasur parasysh takimin e radhës, në gusht, në kryeqytetin e Portugalisë. Teksti në portugalisht do të jetë në librari më 4 maj

R.SH. – Vatikan

“Kam ende në sy e në zemër turmën e pamasë të të rinjve, që më pritën në Rio de Janeiro, në korrikun e dhjetë viteve më parë”.  Kështu e fillon Papa Françesku parathënien e librit të gazetares portugeze Aura Miguel "Një udhëtim i gjatë drejt Lisbonës" (Um Longo Caminho até Lisboa - Bertrand Editora), i cili tregon rrugëtimin e Ditëve Botërore të Rinisë, që nga fillimi i tyre, duke pasur parasysh takimin e radhës, në gusht, në kryeqytetin e Portugalisë. Teksti i plotë në portugalisht do të jetë në librari më 4 maj, por Rádio Renascença botoi sot, 2 maj, parathënien.

DBR-të dhe Papët

Ati i Shenjtë kujton udhëtimet me papamobil, entuziazmin e të rinjve, që i hidhnin flamuj, kapele, bluza, i ofronin një gotë me pijen e tij të preferuar, maten – pra, një përvojë e paharrueshme. “Për mua, - shkruan Françesku – ashtu si për Benediktin XVI, ndodhi e njëjta gjë: udhëtimi i parë ndërkombëtar i papnisë u bë me rastin e Ditës Botërore të Rinisë - në Rio de Zhaneiro në rastin tim, në 2005 në Këln, domethënë në atdheun e tij, në rastin e Papës Ratzinger, i cili ishte ulur prej pak muajsh në fronin e Pjetrit. Të dy, si të thuash, u ‘vendosëm’ në vazhdën e asaj, që pati përuruar Shën Gjon Pali II, duke ndjekur intuitën e sugjeruar nga Shpirti Shenjt”.

Rinia është ëndrra e Zotit

Papa Françesku, duke pasur parasysh botën e sotme, me të ashtuquajturit “të lindur dixhitalë”, që ka rrezik të mbyllen në botën virtuale, nënvizon rëndësinë e Ditëve Botërore të Rinisë si përvojë e jashtëzakonshme pozitive për të rinjtë, që mund të takojnë bashkëmoshatarë nga e gjithë bota, të luten e të festojnë së bashku. Ati i Shenjtë kujton këshillat e shumta, që u ka dhënë të rinjve në vite si: të mos e shohin botën nga ballkoni, të mos jenë të rinj divanesh, sepse rinia është ëndërr, është zbulim i realitetit dhe i talenteve, për realizimin e të cilave ia vlen të luftosh gjithë jetën.

Lufta, problemet e botës dhe të rinjtë

Pas pandemisë, vëren më tej Papa, bota është zhytur në luftë e po riarmatoset. “Filloi lufta kundër Ukrainës së martirizuar, luftë e përgjakshme në zemër të Evropës së krishterë, vetëm një nga pjesët e shumta të asaj Lufte III Botërore, që fatkeqësisht ka filluar vite më parë. Shumë luftëra vazhdojnë të harrohen, shumë konflikte”.

Ato përfshijnë edhe të rinjtë, si ata që i pësojnë, ashtu edhe ata, që i shohin bashkëmoshatarët e tyre në gjendje të dëshpëruar. Ditët Botërore të Rinisë janë rast pikërisht për t’i shkundur të rinjtë nga apatia, që ata të mos rrinë thjesht duke parë ç’ndodh në botë, por të interesohen për fatin e miliona njerëzve, sidomos të fëmijëve, që nuk kanë ujë, ushqim, ilaçe, ndërsa qeveritarët e globit bëjnë gara armatimesh; të interesohen për të vuajturit e për të braktisurit aty ku jetojnë; të kujdesen për planetin; ta bëjnë më njerëzor ambientin dixhital; të ëndërrojnë gjëra të mëdha. Natyrisht, nënvizon Françesku, në Ditët Botërore të Rinisë hidhet fara, e cila, më pas, duhet të mbijë e të japë fryte.

“Kemi nevojë – shkruan Papa - për të rinj vigjilentë, të etur për t'iu përgjigjur ëndrrës së Zotit, për t'u interesuar për të tjerët. Të rinj, që zbulojnë gëzimin dhe bukurinë e një jete për Krishtin, në shërbim të të tjerëve, më të varfërve, më të vuajturve”.

Dëshmia personale e gazetares Aura Miguel

Gazetarja e Rádio Renascença, Aura Miguel, e pati takuar Papën pikërisht në avionin, që e çonte në Rio de Janeiro, në korrik 2013. I pati thënë se i kishte jetuar të gjitha Ditët Botërore të Rinisë, përveç së parës, në Buenos Ajres, më 1987. Ati i Shenjtë iu përgjigj se ajo Ditë ishte e vetmja, ku ai kishte marrë pjesë, para se të bëhej papë. Por, për kë dëshiron të dijë më shumë, Ditët rinore përshkruhen në libër në kuadrin e kohës, duke përfshirë edhe ngjarjet, që kanë ndodhur gjatë kremtimit të tyre, në botë e në Kishë. Natyrisht, duke shtuar dëshminë personale të gazetares, e cila, për herë të parë këtë vit, nuk ka nevojë të lëvizë nga shtëpia për të ndjekur Ditën Botërore të Rinisë, pasi ajo do të mbahet pikërisht në Lisbonë, ku jeton.

02 maj 2023, 12:52