Kërko

Il Papa all'udienza con i religiosi della Congregazione dello Spirito Santo Il Papa all'udienza con i religiosi della Congregazione dello Spirito Santo

Françesku: njerëzit kanë nevojë për Ungjillin, edhe në Perëndimin e vjetër e të lodhur

Papa Françesku priti sot përfaqësuesit e Kongregates të Eterve Spiritanë, me rastin e 175-vjetorit të rithemelimit. I inkurajoi të vazhdojnë misionin e "ungjillizimit të të varfërve e të shkojnë atje, ku nuk dëshiron të shkojë askush tjetër". Më pas, porosia: “Sot sfidat e ndërkulturimit dhe të përfshirjes janë urgjente, ndaj shikojeni gjithkënd me sytë e Jezusit, i cili dëshiron t’i takojë të gjithë”.

R.SH. / Vatikan

Para së gjithash shpallni Ungjillin! Sepse edhe sot, në botë “sfida e ndërkulturimit dhe e përfshirjes është e gjallë dhe urgjente”. Brenda Kishës dhe jashtë saj, “shumë burra dhe gra kanë ende nevojë për Ungjillin”. Dhe "jo vetëm në 'tokat e misionit', por edhe në Perëndimin e vjetër e të lodhur".

Papa Françesku takohet me të ashtuquajturit Spiritans, Kongregatës rregulltare të Shpirtit Shenjt, nën mbrojtjen e Zemrës së Papërlyer të Marisë,  e cila lindi, a më mirë rilindi, nga bashkimi i dy instituteve rregulltare, Kongregatës së Shpirtit Shenjt (themeluar më 1703) dhe Shoqërisë së Zemrës së Krishtit e të Marisë  (themeluar më 1841). 175 vjet pas “rithemelimit”, Papa Bergoglio i priti anëtarët e kongregatës në Pallatin Apostolik, në Vatikan, duke bërë shaka për mungesën e ndjeshme të grave:

“Të dashur vëllezër dhe motra, ‘por nuk po shoh asnjë motër’, ku janë?”.

Origjina e kongregatës

Papa u ndalua veçanërisht tek historia e themelimit të parë të rregyulltarëve dhe tek vlerat kryesore, në themel të karizmës së Etërve Spiritanë: "Guximi, hapja e zemrës dhe lëshimi në krahët e Shpirtit Shenjt, që ai të bëjë diçka të re". Më pas kujtoi figurën e Claude-François Poullart des Plac, diakonit krejt të ri, që themeloi Kongregatën e Shpirtit Shenjt që, së bashku me dymbëdhjetë shokët e seminarit, "i frymëzuar nga Shpirti i Zotit, nis me guxim këtë aventurë të papritur":

“Hoqi dorë nga perspektiva e një ardhmërije paqësore - mund të kishte qenë prift i mirë nga një familje e pasur - për një mision ende për t’u zbuluar, duke përballuar flijime, keqkuptime dhe kundërshtime, me shëndet shumë të brishtë, që do ta çonte në një vdekje të parakohshme e edhe para se ta mund të shikonte të realizuar ëndrrën e tij”.

Shumë të papritura, shumë pengesa, por “ nënshtrimi i plotë ndaj Shpirtit Shenjt” e shndërron gjithçka në një “po” të guximshme, falë së cilës “Zoti nis përherë diçka të re, tek ai e, përmes tij, edhe tek të tjerët”. Domethënë, tek gjithë ata vëllezër që do të vazhdonin punën e tij "gati për t'iu përgjigjur shenjave të reja të kohës", pra shërbimit të seminaristëve të varfër, misioneve popullore, kumtimit të Ungjillit ad gentes në vende të ndryshme të botës, "pa u trembur as nga persekutimi fetar,  i nisur nga Revolucioni Francez”.

Përsëri “në lojë”

Histori "e bukur dhe e pasur" - vërejti Papa - duke kujtuar, më pas "një çast tjetër të veçantë, në të cilin gjithçka rihyn në lojë": themelimi i dytë i kongregatës rregulltare, ai i 1848-tës, bashkimi me Shoqërinë e Zemrës së Krishtit e të Marisë, nga i nderuari François Libermann, edhe ai misionar, por me një histori tjetër. Asokohe ishte e nevojshme të kapërceheshin frika dhe xhelozitë - kujtoi Françesku - por “vëllezërit e dy familjeve e pranuan sfidën, duke bashkuar forcat e çka kishin, për një fillim të ri”. Pas më shumë se një shekull e gjysmë, frytet mund të shihen, duke nisur nga prania e Kongregatës në 60 vende, në pesë kontinente, me rreth 2600 rregulltarë dhe me pjesëmarrjen e shumë laikëve:

“Falë vullnetit tuaj për të ndryshuar dhe këmbënguljes suaj, ju mbetët besnikë ndaj shpirtit të zanafillës: ungjillëzimit të të varfërve, pranimit të misioneve ku nuk dëshiron të shkojë askush tjetër, parapëlqimit të shërbimit ndaj më të braktisurve, respektimit të popujve dhe kulturave, përgatitjes së klerit vendas dhe laikëve, shërbimit të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, të gjitha me frymë vëllazërore, me thjeshtësi jete dhe me lutje të zellshme”.

Lutja, guximi, liria e Shpirtit

Mbi të gjitha lutja - theksoi Papa - duke u shkëputur nga teksti i shkruar: është e rëndësishme të lutesh, të mos e braktisësh lutjen dhe jo vetëm lutjen formale! Lutuni pra seriozisht! Po aq e rëndësishme është të mos heqësh dorë nga "guximi" dhe "liria e shpirtit", të kultivohesh dhe të bëhesh "pjesë e gjallë e apostullimit tënd", veçanërisht në këtë botë që ka kaq shumë nevojë për shpalljen ungjillore:

“Shikojeni secilin me sytë e Jezusit, i cili dëshiron t’i takojë të gjithë - të gjithë! Mos e harroni këtë, të gjithë, të gjithë, të gjithë! - duke u bërë i afërt veçanërisht me më të varfërit, duke i prekur me duart e veta, duke i ngulur sytë në sytë e tyre”.

Lëshojuni në krahët e  Shpirtit Shenjt

Edhe një porosi, e fundit, për t’u lëshuar në krahët e Shpirtit, për t’u udhëhequr nga "fryma e freskët dhe jetike" e Atij, që është "protagonist i vërtetë" i çdo misioni:

"Lejojeni t'ju ndriçojë, t'ju drejtojë, t'ju shtyjë ku dëshiron, pa kushte, pa përjashtuar askënd, sepse është Ai, që e di çka duhet në çdo epokë dhe në çdo çast”.

08 maj 2023, 15:56