Kërko

2023.05.31 polonia chiesa lublin ebrei rifugiati caritas

Papa: lutuni më shumë për Ukrainën martire, po vuan tepër

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku falënderoi të rinjtë ukrainas dhe rusë të shoqatës Rondine Cittadella della Pace, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit: "Ju vendosët të mos jetoni si armiq, por si vëllezër". Jini shembull". Papa ia porosit Zojës "të gjithë ata, që vuajnë nga lufta"

R.SH. / Vatikan

Mendimi i Papës shkon rishtas në Ukrainën “e dashur”, “të martirizuar”: “Po vuan shumë... tepër shumë” - psherëtin Papa Françesku pas katekizmit të audiencës së përgjithshme të së mërkurës, duke i nxitur besimtarët e shumtë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit të "vijojnë lutjet " për vendin e sulmuar prej më shumë se një viti. Ndërmjet këtyre besimtarëve janë edhe të rinjtë e "Rondine", shoqatë toskane, Kështjellë e Paqes e së cilës në brigjet e Arnos ka mirëpritur ndër vite mijëra djem e vajza të kulturave, kombësive dhe feve të ndryshme, që mësuan këtu kulturën dhe praktikën e dialogut.

Shembulli i të rinjve

Në grupin e pranishëm sot, 31 maj, në Shën Pjetër, shoqëruar nga ipeshkvi Andrea Migliavacca  kishte edhe të rinj rusë e ukrainas. Papa i shikoi me dashuri të veçantë dhe u drejtoi "një përshënetje mirënjohëse". U kujtoi kështu të gjithëve se, "duke ardhur nga Ukraina,  Rusia dhe vende të tjera në luftë, vendosën të mos jenë armiq, por të jetojnë si vëllezër”:

“Shembulli juaj frymëzoftë propozime për paqe tek të gjithë, edhe tek ata që kanë përgjegjësi politike”.

Kjo - shtoi Papa Françesku jashtë tekstit  - duhet të na nxisë të lutemi më shumë për Ukrainën e martirizuar dhe të jemi pranë Ukrainës së dashur e të munduar, që po vuan kaq shumë.

Lutja Marisë

Papa u lut përsëri për Ukrainën në përfundim të audiencës, duke ia besuar popullsinë e saj ndërmjetësimit të Zojës së Bekuar. Më pas, duke iu drejtuar si zakonisht të rinjve, të sëmurëve, të moshuarve dhe çifteve të sapomartuara, kujtoi se “sot, në ditën e fundit të muajit maj, Kisha kremton Vizitën e Marisë te kushërira e saj, Elizabeta, e cila e quan ‘e lume’, sepse besoi në fjalën e Zotit".

Kujtojmë se Elizabeta, e shtyrë në moshë, simbolizon Izraelin, që pret Mesinë, ndërsa Maria, në moshën e vashërisë, sjell me vete përmbushjen e atij premtimi, që i përket mbarë njerëzimit!

Gratë, të dyja shtatzëna, mishërojnë pritjen e të Priturin, duke i ftuar besimtarët  t’i ngjasin edhe Elizabetës, që e pret mysafirin si vetë Zotin. E duke kujtuar se pa e dëshiruar Zotin, nuk mund ta njohim kurrë; pa e pritur, nuk mund ta takojmë; pa e kërkuar, nuk mund ta gjejmë”.
"Shikojeni Marinë dhe lutjuni Asaj për dhuratën e një feje gjithnjë e më të guximshme – ftoi Papa - Ndërmjetësimit të saj amtar ia besojmë gjithë të munduarit nga lufta, veçanërisht Ukrainën e dashur dhe të martirizuar, që po vuan kaq shumë”.

31 maj 2023, 12:16