Kërko

 Paraqitja e Letrave kredenciale të ambasadorëve të Islandës, Bangladeshit, Sirisë, Gamies e Kazakistanit. Paraqitja e Letrave kredenciale të ambasadorëve të Islandës, Bangladeshit, Sirisë, Gamies e Kazakistanit.  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Françesku: luftërat shmangen nëse jemi një familje e vetme njerëzore

Françesku u shprehu ambasadorëve që paraqitën sot letrat e tyre kredenciale, dëshirën për të qenë, në këtë kohë sfidash dhe krizash globale, avokatë të dialogut dhe kampionë të shpresës.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku priti në audiencë, në Selinë e Shenjtë, ambasadorët e jashtëzakonshëm e fuqiplotë të pesë vendeve: Islandës, Bangladeshit, Sirisë, Gambies dhe Kazakistanit. Papa kujtoi veçanërisht "popullin e dashur sirian, që përpiqet vështirësisht ta marrë veten pas tërmetit të dhunshëm, ndërmjet vuajtjeve të vazhdueshme, shkaktuar nga konflikti i armatosur". Nënvizoi edhe se, duke vërejtur me kujdes skenarin botëror, “mjafton vetëm një shikim sipërfaqësor, për të na lënë të shqetësuar dhe të  shkurajuar”:

“Ne mendojmë për shumë vende si Sudani, Republika Demokratike e Kongos, Mianmari, Libani dhe Jeruzalemi, të cilat po përballojnë përplasje e trazira. Në Haiti vazhdon kriza e rëndë sociale, ekonomike dhe humanitare. Pastaj, natyrisht, duhet kujtuar lufta e vazhdueshme në Ukrainë, me pasojë vuajtje dhe vdekje të papërshkrueshme. Veç kësaj, shikojmë rritjen e fluksit të migrimeve të detyruara, efektet e ndryshimeve klimatike dhe një numër të madh vëllezërish e motrash në mbarë botën, që jetojnë ende në varfëri për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, të ushqimit, kujdesit shëndetësor bazë, arsimimit dhe punës së denjë. Ekziston, pa dyshim, një çekuilibër në rritje në sistemin ekonomik global.

E kur do të mësojmë se jemi një familje e vetme njerëzore?

Kuadri botëror është përplot me plasaritje. Ndaj Papa, duke kujtuar  problemeve kritike që shkaktojnë vuajtje torturuese për popullsinë e shumë vendeve, bëri një sërë pyetjesh. Pyetjet që kërkojnë përgjigje nga të gjithë njerëzit:

“E kur do të mësojmë nga historia se udhët e dhunës, të shtypjes dhe të ambicies së shfrenuar për të pushtuar troje nuk i shërbejnë të mirës së përbashkët? Kur do të mësojmë se të investosh në mirëqenien e njerëzve është gjithmonë gjë më e mirë sesa t’i shpenzosh burimet për prodhimin e armëve vdekjeprurëse? Kur do të mësojmë se çështjet sociale, ekonomike dhe të sigurisë janë të lidhura me njëra-tjetrën? E kur, se jemi një familje e vetme njerëzore, e cila mund të lulëzojë vërtet vetëm kur të gjithë anëtarët e saj respektohen, kujdesohen dhe janë të aftë të japin ndihmesën e tyre në mënyrë origjinale? Derisa të mos e arrijmë këtë vetëdije, do të vazhdojmë të jetojmë atë, që e kam quajtur lufta e tretë botërore, e luftuar pjesë-pjesë”.

Ambasadorët, burra e gra të dialogut e të shpresës

Françesku nënvizoi se duhen kujtuar edhe "rezultatet e lavdërueshme", që nuk mungojnë në botë, si "progresi i jashtëzakonshëm teknologjik dhe shkencor" ose hapat e ndërmarrë tashmë "për të përballuar çështjet shoqërore dhe për të zhvilluar më tej të drejtën ndërkombëtare". Por kjo nuk mund të na kënaqë, ose, ç’është më keq, të na bëjë indiferentë përballë situatës aktuale në botë". Duhet punuar “që të gjithë të përfitojnë nga këto arritje dhe këto zhvillime”. Më pas, Papa i nxiti të pranishmit "të jenë optimistë e të vendosur, me besimin se familja njerëzore është në gjendje të përballojë me sukses sfidat e kohës sonë" e në vijim kujtoi se "funksioni i "ambasadorit është i lashtë dhe fisnik", madje edhe "i përfshirë në Shkrimet e krishtera nga Apostulli Pal":

“Si burrë a grua dialogu a si ndërtues urash, ambasadori mund të jetë figurë plot shpresë. Shpresë në mirësinë e njerëzimit. Shpresë se një terren i përbashkët do të jetë i mundur, sepse ne të gjithë jemi pjesë e familjes njerëzore. Shpresë që fjala e fundit të mos thuhet kurrë për të shmangur  konflikte a për t’i zgjidhur në mënyrë paqësore. Shpresë që paqja të mos jetë një ëndërr. Ndërsa vazhdon t'i shërbejë me besnikëri atdheut të tij, ambasadori përpiqet të lërë mënjanë emocionet e panevojshme dhe të kapërcejë pozicionet e rrënjosura, për të gjetur zgjidhje të pranueshme.  Sigurisht nuk është detyrë e lehtë. Zëri i arsyes dhe thirrjet për paqe shpesh bien në vesh të shurdhër. Megjithatë, situata aktuale botërore nuk pushon së nënvizuari nevojën që ambasadorët dhe kolegët e tyre të jenë avokatë të dialogut, kampionë të shpresës”.

Angazhimi i Selisë së Shenjtë

Së fundi, Papa pohoi se Selia e Shenjtë vlerëson rolin e rëndësishëm që luajnë ambasadorët dhe se merr përsipër të mbrojë "dinjitetin e pacenueshëm të çdo personi, të japë ndihmesën për të mirën e përbashkët dhe të nxisë vëllazërimin njerëzor ndërmjet të gjithë popujve". Këto përpjekje, të cilat nuk ndjekin qëllime politike, tregtare apo ushtarake, arrihen - shpjegoi Papa - nëpërmjet ushtrimit të asnjanësisë pozitive",  larg "neutralitetit etik", veçanërisht përballë vuajtjeve njerëzore, gjë që i krijon Selisë së Shenjtë "një pozicion të mirëpërcaktuar në bashkësinë ndërkombëtare si dhe kushtet për të kontribuar më mirë në zgjidhjen e konflikteve dhe të çështjeve të tjera".

 

13 maj 2023, 11:42