Kërko

Papa: luftërat dhe mjerimi cënojnë vëllazërimin njerëzor

Françesku priti pjesëmarrësit e një konference mbi krizat ushqimore dhe humanitare, mbajtur në Vatikan dhe nënvizoi urgjencën e lehtësimit të vuajtjeve për të uriturit e botës. Mendimi i tij shkoi edhe në Ukrainë: "Tepër shpesh, gjendja pas fatkeqësive natyrore, por edhe konfliktet e armatosura, korrupsioni politik, ai ekonomik dhe shfrytëzimi i tokës, kërcënojnë rrezikshëm furnizimin me ushqim të popullatave të tëra"

R.SH. – Vatikan

Sigurimi i ushqimit të mjaftueshëm për ata që nuk e kanë, si edhe pakësimi i vuajtjeve të tyre është sfidë urgjente, e cila kërkon "autoritete largpamëse dhe praktika të mira politike". Papa ua vuri në dukje këtë pjesëmarrësve në Konferencën e Akademisë Papnore të Shkencave, me titull "Krizat ushqimore dhe humanitare: shkenca dhe politika për parandalimin dhe zbutjen e tyre", e cila përfundoi sot në Shtëpinë Piu IV, në Vatikan. Ati i Shenjtë i priti në audiencë paraditen e sotme. "Nëse nuk do të prodhoheshin armë për një vit – pohoi Papa, duke cituar një studiues, takuar prej tij - uria në botë do të merrte fund".

“Tepër shpesh, gjendja pas fatkeqësive natyrore, por edhe konfliktet me armë - po mendoj veçanërisht për luftën në Ukrainë - korrupsioni politik apo ekonomik dhe shfrytëzimi i tokës, i shtëpisë sonë të përbashkët, e pengojnë prodhimin e ushqimit, minojnë stabilitetin e sistemeve bujqësore dhe kërcënojnë rrezikshëm furnizimin me ushqime të popullsive të tëra”.

Egoizmi i modeleve ekonomike

Të gjitha këtyre krizave, të rënduara nga pandemia Covid-19, denoncoi Françesku, i përgjigjet "erozioni i solidaritetit vëllazëror".

“Ky është fakt: luftërat dhe mjerimet çojnë në cënimin e solidaritetit vëllazëror dhe kjo rënie përcaktohet, ndër të tjera, nga pretendimet egoiste, tipike për disa modele aktuale ekonomike”.

Nga krizat nuk dilet vetëm

Është e nevojshme më shumë se kurrë, theksoi Papa, "të bëhemi gjithnjë e më të vetëdijshëm se gjithçka është e lidhur ngushtë", si edhe të kuptohet se gjatë një krize mund të "njihen dhe të nxirren mësime nga gabimet e së kaluarës", duke shkuar drejt “solidaritetit universal, bazuar në vëllazërim, dashuri dhe mirëkuptim të ndërsjellë”. Papa inkurajoi këdo që punon për t'iu përgjigjur krizave ushqimore dhe problemeve, që rrjedhin prej tyre.

“Krizat janë të ndryshme nga konfliktet. Konfliktet janë të mbyllura në vetvete, është e vështirë të dalësh nga një konflikt në mënyrë konstruktive. Përkundrazi, mund të dalim nga krizat, duhet të dalim, por me dy kushte: nuk mund të dalim të vetëm nga kriza, ose dalim së bashku, ose s’mund të dalim. Kjo është e rëndësishme, nuk mund të dalim vetëm, nevojitet e gjithë bashkësia, i gjithë grupi, që të dalim prej saj. Nga ana tjetër, nga kriza dilet për t'u përmirësuar, gjithmonë për të ecur përpara, për të përparuar. Prandaj, ju falënderoj për qëndrimin tuaj përballë kësaj krize, për të dalë së bashku dhe për të dalë më të mirë”.

10 maj 2023, 13:34