Kërko

Una donna che scappa con il suo bambino a Kyiv dopo i bombardamenti che hanno danneggiato numerosi palazzi  (AFP or licensors) Una donna che scappa con il suo bambino a Kyiv dopo i bombardamenti che hanno danneggiato numerosi palazzi (AFP or licensors)

Papa: "luftërat dhe mjerimi e shkatërrojnë solidaritetin vëllazëror"

Në një mesazh dërguar pjesëmarrësve në konferencën që mbahet në Universitetin e Lateranit, në Romë, me temë “Pacem in Terris”, Papa nënvizon se sa shumë i udhëheq dëshira për pushtet marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Eshtë e frikshme të mendosh se gara e armëve është një mjet për paqen, prandaj sot nevojitet një reformë e thellë e strukturave shumëpalëshe, thotë Papa, për të garantuar paqen

R.SH. – Vatikan

Një mesazh "pozitiv dhe konstruktiv" mund të nxirret ende sot nga enciklika Pacem in Terris e Gjonit XXIII, 11 prill 1963, sepse "paqja mbetet në shpirtin dhe në aspiratat e të gjithë familjes njerëzore, të çdo populli dhe çdo personi“. Kështu shkruan Papa Françesku në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve në konferencën ndërkombëtare "Paqja midis popujve. 60 vjet pas Pacem in Terris" promovuar nga Universiteti Papnor i Lateranit dhe Dikasteri i Vatikanit për Zhvillimin Integral Njerëzor, e cila u hap sot më 11 maj dhe do të mbyllet nesër.

Lufta sjell vetëm shkatërrim

"Lufta kurrë - nënvizon Papa - nuk i ka dhënë lehtësim jetëve të qenieve njerëzore, kurrë nuk ka ditur të udhëheqë udhëtimin e tyre në histori, as nuk ka arritur të zgjidhë konfliktet dhe kundërshtimet që u shfaqën në veprimet e tyre". Papa kujton luftërat që shkaktojnë: "viktima, shkatërrim, humbjen e jetës së njerëzve, intolerancë, deri edhe mohimin e mundësisë për të parë të nesërmen me besim të ri". Për këtë arsye, paqja duhet të ndërtohet mbi angazhimin për të ndjekur një politikë të bazuar, siç thuhet në enciklikën Pacem in Terris, mbi të vërtetën, drejtësinë, dashurinë dhe lirinë.

Njerëzimi i shurdhër

Duke bërë një bilanc 60 vjet pas botimit të atij dokumenti papnor, Ati i Shenjtë Françesku shpjegon se "njerëzimi nuk duket se e ka vlerësuar ende se sa e nevojshme është paqja, sa të mira sjell ajo". Ai shton se “egoizmi i disave dhe interesat gjithnjë e më të kufizuara të disave” të bëjnë të mendosh e sugjerojnë se armët janë zgjidhja e problemeve dhe konflikteve që shfaqen. Për më tepër, nëse nga njëra anë ka marrëdhënie ndërkombëtare që kufizojnë përdorimin e forcës nga ana tjetër, “dëshira për pushtet e forcë është ende, për fat të keq, një kriter gjykimi dhe një element aktiviteti në marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Dhe kjo manifestohet në rajone të ndryshme me efekte shkatërruese për njerëzit dhe të dashurit e tyre, pa kursyer infrastrukturën e mjedisin natyror”.

Gara e armatimeve

Papa ndalet më pas tek rritja e burimeve ekonomike për armatim, një garë që është kthyer “në të qenit instrument i marrëdhënieve ndërmjet shteteve”, thua se paqja është e mundur vetëm atëherë kur themelohet “në një ekuilibër të zotërimit të tyre”. Kushte këto që krijojnë frikë e terror dhe që rrezikojnë të precipitojnë sapo të bjerë një shkëndijë.

Reforma e strukturave shumëpalëshe

Edhe një herë, Papa Françesku bën thirrje për "një reformë të thellë të strukturave shumëpalëshe që shtetet kanë krijuar për të menaxhuar sigurinë dhe garantuar paqen, por që tani janë të privuar nga liria dhe mundësia e veprimit". Nuk mjafton të shpallësh paqen nëse nuk është në gjendje të veprojë konkretisht, rreziku është të jesh “instrument i njëanshëm” dhe jo më instrument për arritjen e së mirës së përbashkët. Duke kujtuar enciklikën Pacem in Terris, Papa Bergoglio u kujton shteteve se janë thirrura "nga natyra e tyre për t'u shërbyer komuniteteve të tyre përkatëse, u takon shteteve të veprojnë sipas metodës së lirisë dhe t'u përgjigjen kërkesave të drejtësisë", duke ditur megjithatë se “problemi i përshtatjes së realitetit shoqëror me kërkesat objektive të drejtësisë është një problem që nuk pranon kurrë një zgjidhje përfundimtare”.

Edukimi për paqen

“Ia besoj Universitetit detyrën e thellimit të metodës së edukimit për paqen, për një formim jo vetëm adekuat, por të pandërprerë”. Papa e shkruan këtë në përfundim të mesazhit të tij, duke kërkuar një formim të vërtetë shkencor, fryt i studimit dhe kërkimit, i analizës së thellë, i përditësimeve dhe ushtrimeve praktike. “Kjo – thekson Ati i Shenjtë – duhet të jetë rruga për të hapur horizonte të reja”, për të trajnuar brezat e rinj në këtë rrugë, në Ciklin e studimeve në Shkencat e Paqes që ka krijuar vetë Papa, duke promovuar kulturën e takimit, “themel i një bashkësie njerëzore të modeluar sipas vëllazërisë, që është më pas norma e veprimit për të ndërtuar paqen”.

11 maj 2023, 15:23