Kërko

Papa: ka rëndësi të ruhen fondet audiovizive të Kishës

Françesku dërgon një mesazh me rastin e takimit të parë të komitetit shkencor të Fondacionit MAC (Memorie Audiovizive të Katolicizmit)

R.SH. – Vatikan

         Papa i bën thirrje gjithë bashkësisë kishtare të ruajë fondet historike audiovizive të Kishës: një trashëgimi që duhet mbledhur dhe renditur sipas kritereve shkencore. Pasi e pati trajtuar këtë temë në një intervistë me don Dario Viganò, për librin "Vështrimi, porta e zemrës", Françesku i rikthehet kësaj teme në një mesazh për Fondacionin e sapothemeluar Italian MAC - Memorie Audiovizive të Katolicizmit, kryesuar po nga Viganò, "për t'iu përgjigjur urgjencës kulturore të mbledhjes, ruajtjes dhe përmirësimit të trashëgimisë historike audiovizive dhe të trashëgimisë dokumentare të lidhur me të, përsa i përket katolicizmit".

         Sot paradite, komiteti shkencor i Fondacionit u mblodh në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit dhe imzot Angelo Vincenzo Zani, arkivist dhe bibliotekar i Kishës Shenjte Romake, njëkohësisht, anëtar i komitetit shkencor, lexoi fjalët e Papës. "Më duket e rëndësishme - shkruan Françesku - që institucioni juaj, falë përfshirjes së institucioneve më të rëndësishme arkivore, filmike dhe akademike, të propozojë një vizion dhe një metodë të bazuar në ndarjen e trashëgimisë, të aftësive më të larta dhe të fondeve, në shërbim të transmetimit të kujtesës audiovizive të katolicizmit". Në mesazhin e tij, Papa imagjinon një rrugë që, në vazhdën e Motu Proprio-s “La cura vigilantissima” të Gjon Palit II, mund të çojë së shpejti në lindjen e një institucioni, i cili do të bëhet Arkiv Qendror i audiovizivëve të Selisë së Shenjtë dhe të gjithë Kishës.

         Në Fondacionin MAC, kryesuar nga imzot Dario Viganò, zv.Kancelar i Akademisë Papnore të Shkencave dhe të Shkencave Shoqërore, bëjnë pjesë Giuliano Canella, drejtor menaxhues i Grupit Alì Spa; Valerio Molinari, ortak efektiv i Ecogest Spa; Giordano Riello, president i Nplus srl; Alessandro Maggioni, CEO i Arzanà Srl; Nicola Salvi, administrator i “Officina della Comunicazione”; Elisabetta Sola, administratore e “Officina della Comunicazione”.

Në fjalën e tij, imzot Zani kujtoi se "Kushtetuta e fundit Apostolike ‘Praedicate Evangelium’ i cakton Bibliotekës Apostolike të Vatikanit detyrën ‘të mbledhë dhe të ruajë trashëgiminë e pasur të shkencës dhe të artit, duke ua vënë atë në dispozicion studiuesve që kërkojnë të vërtetën’. Në këtë kuadër duhet parë edhe horizonti i veprimtarive të Fondacionit”.

02 maj 2023, 16:48